Vendimi për ndalimin e dinarit nuk kthehet mbrapsht/ Profesori zbulon tentimet e mëhershme kundër valutës serbe dhe reagimet ndërkombëtare të asaj kohe

Politika

Vendimi për ndalimin e dinarit nuk kthehet mbrapsht/ Profesori zbulon tentimet e mëhershme kundër valutës serbe dhe reagimet ndërkombëtare të asaj kohe

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 1 shkurt 2024 Në ora: 10:10
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili

Vendimi i Kosovës për ndalimin e dinarit, i cili hyn në fuqi nga dita e sotme (1 shkurt), zgjoi reagime të shumta, si nga serbët, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Megjithatë, Kosova mbetet e vendosur në vendimin e saj dhe nga sot euro është valuta e vetme në shtetin tonë.

Madje këtë e ka konfirmuar edhe vetë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili, i cili ka mohuar se do të ketë shtyrje apo anulim të rregullores për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë.

“BQK s’është në situatë që mundet të thotë të shtyhet. Nëse se deri dje rregullimi nuk ka qenë i mjaftueshëm, e tash ka rregullim të ri. A po i bie kjo që ne të lejojmë të vazhdohet bartja e mjeteve financiare në kufi të bartet nga një institucion që nuk është i licencuar që ato para shkojnë pa asnjë kontroll nga institucionet”, ka thënë ai.

Për reagimin e QUINT-it lidhur me dinarin, ka reaguar edhe ish kryeministri Isa Mustafa. Sipas tij, pezullimi i Rregullores për ndërprerjen e përdorimit të dinarit serb tani është një sfidë shtesë për Qeverinë.

“Valutë zyrtare në Kosovë është euro. Valutat tjera përdoren por të konvertuara në euro. Kjo rregull nuk është se është përcaktuar tani nga Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës por ka ekzistuar edhe më parë”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa për kërkesën e shteteve të QUINT-it, Mustafa thotë se nuk ka qenë e nevojshme të bëhej.

“As QUINT s’do duhej ta shtronte një kërkesë të tillë. Mënyra e zbatimit është çështje që do duhej kordinuar me partnerë. Por mendoj se nuk ka vend që kjo çështje të diskutohet në Bruksel”, ka thënë ai.

Prof. Dr. Musa Limani: Propozova që në fillim si njësi montere në Kosovë të jetë marka gjermane

Image
Musa Limani

Lidhur me këtë ҫështje ka folur edhe profesori i ekonomisë, Prof. Dr. Musa Limani. Ai thekson se, pas çlirimit (1999), si sistemi ekonomiko-shoqëror, ashtu dhe sektori i financave publike u zhvillua në kushte specifike, me ç’ rast edhe sistemi bankar dhe financiar duhej të kaloj krejtësisht në një sistem të ri i mbështetur në postulatet e ekonomisë së tregut.

“Andaj, hap i parë që duhet bërë në sektorin e financave publike, ishte përcaktimi i njësisë monetare, që paraqitet një problem shumë të ndërlikur, jo aq ekonomik sa politik. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, përcaktimi i njësisë monetare në Kosovë nuk ishte vetëm çështje teknike, por ishte një problem shumë kompleks dhe i ndërlikuar politikë. Në këtë fazë, pasi që Kosova ende nuk ishte e pavarur, por nën protektoratin ndërkombëtar të udhëhequr nga UNMIK-u, me ç’ rast si pyetja në vete paraqitej se çfarë njësie monetare duhej të kishte Kosova, dinarin apo ndonjë valutë të vendeve të tjera”, vlerëson ai.

Profesor Limani thotë se, intenca jonë ishte që sa më parë të hiqej dinari si njësi monetare nga Kosova. Ai përmendi rastet e mëhershme kur ishte tentuar heqja e dinarit serb, kur në një rast ai kishte bërë një kërkesë të tillë, mirëpo kishte pasur reagim të ashpër nga faktori ndërkombëtar.

“Në vitin 2000, në mbledhjen e Këshillit për Politikë Ekonomike (KPE), që ishte bartës i vetëm i politikave zhvillimore në këtë kohë, të cilën e udhëhiqte J. Dikson, ku ishte prezent edhe administratori z. Kushner, unë si anëtar i këtij forumi, propozova që në fillim si njësi monetare në Kosovë të jetë marka gjermane. Ndaj këtij propozimi ashpër reagoi faktori ndërkombëtar. Mirëpo, falë mirëkuptimit dhe mbështetjes së plotë të administratorit (Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm - PSSP) të Kombeve të Bashkuara, të parë në Kosovë, Z.  Bernard Kushner (Benard Kouchner), u krijuan kushte dhe atmosferë politike, që në fillim si njësi monetare të përdoret paralel me markën gjermane edhe dinari serb. Ky ishte një hap pozitiv, sepse me kohë, me zbatimin e markës gjermane si njësi monetare për pagesa në të gatshme, u hoq nga përdorimi në transaksionet financiare të brendshme dhe të jashtme dinari serb. Ky proces, pos tjerash, paraqite edhe një element (hap) drejt pavarësisë së Kosovës. Më vonë, me hyrjen në fuqi të euros, si njësi monetare e përbashkët në sistemin unik monetar të BE-së, në vitin 2002, edhe në Kosovë, edhe pse nuk ishte ende e pavarur, si njësi monetare u caktua euro. Posa u caktua euro  si njësi monetare, përnjëherë u bë konvertimi i markës në euro dhe doli nga funksioni dinari serb”, vlerëson ai.

Burjani: Mirë do të ishte që të përkrahet qëndrimi i Hovenier për të shtyer edhe për tre muaj zbatimin e rregullores së BQK

Image
Blerim Burjani

Lidhur me këtë ҫështje ka folur edhe njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani. Ai thotë se ҫështja e dinarit serb është teknike dhe afarizuese e qytetarëve, por nuk është aspak politike.

“Kosova s’ka valutë të saj, euro është vendos si valutë e vetme që nga koha e UNMIK-ut, nga viti 2002, deri më tash pra rreth 25 vjet dinari vepronte në mënyrë ilegale dhe kishte po ashtu banka në enklava serbe që bënin transanksione me këtë valutë, kjo ҫështje nuk duhet të politizohet të bëhet temë dialogu sepse dëmton të arriturat e deritashme në këtë dialog, mirë do të ishte që të përkrahet qëndrimi i Hovenier për të shtyrë edhe për tre muaj zbatimin e rregullores së BQK, për të dhënë kohë për të dhënë mundësi pozitive, por kjo është të ndodhë shumë herët, dinari mund të jetë valutë por jo obligative, bankat operojnë me të gjitha valutat por dihet se ҫfarë valute zyrtare ka në një shtet, pra sërish po e them nuk mund të jetë dinari valutë këmbimore në Kosovën e pavarur”, vlerëson Burjani.

Sipas tij, kjo temë nuk duhet të politizohet më shumë.

“Pra tema nuk është politike por teknike afarizuese ekonomike, nuk duhet të politizohet skajshëm dhe të humbë kuptimi politik, nuk është gjithçka, pra ka ekonomi, drejtësi”, thekson Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat