“Më shumë lirim se dënim”/ Pakënaqësi me dënimin që iu shqiptua Pal Lekajt për 53 milionëshin

Politika

“Më shumë lirim se dënim”/ Pakënaqësi me dënimin që iu shqiptua Pal Lekajt për 53 milionëshin

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 1 shkurt 2024 Në ora: 16:50
Pal Lekaj

Ish-ministri i Infrastrukturës, e aktualisht deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, është dënuar me tre vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtimit të buxhetit të Kosovës.

Dënimi, i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë u dha më 31 janar dhe ka të bëjë me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Por, jo vetëm kaq. Gjykata shqiptoi edhe dënimin plotësues, duke ia ndaluar për një periudhë prej tre vjet e gjashtë muaj ushtrimin e funksionit në administratën publike.

Të dënuar së bashku me Lekajn, janë edhe Besim Tahiri, që Gjykata i shqiptoi dënimin në kohëzgjatje prej një vit e 8 muaj si dhe dënim plotësues në kohëzgjatje prej 2 viteve të ndalimit të ushtrimit të funksionit në administratë publike, ndërsa të pandehurit Eset Berisha, i shqiptoi me burgim me kohëzgjatje prej 3 vite e 3 muaj si dhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit në administratës publike në kohëzgjatje prej 3 viteve.

Për këtë vendim të gjykatës, kishte mospajtime nga dy taborët, dikujt iu duk dënim i vogël, e dikush u befasua.

Vet Lekaj ka thënë se ky vendim i gjykatës ishte i padrejtë dhe i pabazuar.

“Në historinë e gjykimeve në Kosovë, ka pasur mijëra raste të gjykimeve të padrejta e të pabazuara, siç ishte edhe vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore ndaj meje. E njoftoj opinionin e gjerë publik se asnjëherë nuk i kam tejkaluar kompetencat e mia e nuk e kam keqpërdorur pozitën e ministrit, kjo as në rastin e Autostradës “Arbën Xhaferi”!

“Natyrisht, unë do ta ankimoj vendimin në Apel dhe jam i bindur se vendimi i sotëm do të shpallet NUL. Kundërshtarëve te mi politikë u them të mos gëzohen para kohe, sepse e drejta që do të dalë në shesh shumë shpejt do t’i zhgënjejë. I bindur në pafaësinë time dhe në drejtësi” ka thënë Pal Lekaj.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke se është befasuar nga ky vendim.

“Jam i befasuar nga vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore për rastin e kolegut Pal Lekaj! Dua të besoj fuqishëm në sistemin e drejtësisë dhe në Gjykatën e Apelit e cila do ta zbardhë të vërtetën dhe do ta shkarkojë nga çdo akuzë ish-ministrin Lekaj.

Çdo person është i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë!I bindur në pafajësinë e kolegut Lekaj”.

Zogiani: Më shumë lirim se dënim

Njohësi i çështjeve politike, Avni Zogiani, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se Lekaj dhe zyrtarët kanë marrë më shumë lirim se sa dënim.

Image
Avni Zogiani

Mund të thuhet që këta zyrtarë dhe ish-ministri Lekaj kanë marrë lirim më shumë sesa dënim.

Bëhet fjalë për 53 milionë euro dhe po të mos konfirmohej përgjegjësia e tyre për këtë rast, do të ishte më normale sesa të gjykohej se janë fajtorë e të dënohen me 3-4 vite”, deklaron ai.

Bajraktari: Palët kanë të drejtë ankese

Avokati Ardian Bajraktari, për “Bota sot” thotë se vendimi i gjykatës është brenda paramentrave e që parashihet me dispozita ligjore.

Image
Ardian Bajraktari

“Dje Gjykata Themelore shpalli aktgjykimin dënues për rastin që në opinion njihet si rasti “53 milionësh”, natyrisht se aktgjykimi ndonëse i shkallës së parë, lartësia e dënimit është brenda parametrave që parashihet me dispozita ligjore, përkatësisht Kodin Penal, ku krahas dënimit kryesor (me burgim) gjykata ka shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, e që sipas nenit 62, paragrafi 3 të Kodit Penal, në rastet e tilla shqiptimi i këtij dënimi është imperativ për gjykatën”, shprehet Bajraktari.

Tutje, ai thotë se palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, duke përfshirë këtu edhe çështjen e dënimit.

“Vlen të ceket se ky rast është trajtuar me efikasitet, ngase brenda një periudhë relativisht të shkurtër tashmë e kemi verdiktin e shkallës së parë. Mbetet të shihet se a është administruar mirë procesi dhe provat.

Palët kanë të drejtë të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit, përfshirë edhe çështjen e lartësisë së dënimit. Së paku pala mbrojtëse vetëm është deklaruar se do të ankohen e cila sipas nenit 380 të Kodit të Procedurës penale, duhet të bëhet brenda afatit prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e dorëzimit të kopjes së aktgjykimi”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat