A pati kaq reagime edhe për sulmin terrorist në Banjskë? Analisti zbulon keqpërdorimet e politikanëve përmes futjes ilegale të “dinarit” serb, në Kosovë

Politika

A pati kaq reagime edhe për sulmin terrorist në Banjskë? Analisti zbulon keqpërdorimet e politikanëve përmes futjes ilegale të “dinarit” serb, në Kosovë

Nga: H.O. Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 22:01
Ilustrim

Ҫështja e dinarit ende po vazhdon të diskutohet dhe kërkohet nga Kosova që të shtyjë vendimin rreth tij. Reagimet ndaj këtij vendimi të Kosovës, kanë zgjuar reagime ndërkombëtare, si nga Bashkësia Europiane ashtu edhe nga SHBA-të.

Së fundi, ka reaguar Departamenti Amerikan i Shtetit, duke thënë se ‘kundërshtojmë planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin dinarit serb’.

“Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha kalimtare. Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, thuhet në një përgjigje të Departmetit amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Image
Njohësi i ҫështjeve politike, Gani Qarri

Njohësi i ҫështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim dhënë për Bota sot, duke folur për këtë temë, thekson se ‘ashtu siç shprehet edhe profesori i mirënjohur amerikan, i Universitetit John Hopkins, Daniel Serëer, është shumë e habitshme se si për çfarëdo vendimi që ndërmerr Kosova, për zbatimin e ligjit e Kushtetutës, brenda territorit të vet dhe për çështjet e brendshme të saj, SHBA dhe BE e kundërshtojnë pothuajse menjëherë dhe njëzëri, madje Bashkimi Evropian dhe SHBA i kërkuan Kosovës sqarime shtesë, vetëm pse Bankës Qendrore e Kosovës, që në fakt është organ i pavarur, 25 v ite pas çlirimit nga Serbia, mori vendimin kushtetues dhe ligjor, për ndalimin e transaksioneve me dinar serb në Kosovë’.

“Përdorimi ilegal i dinarit serb në Kosovë, për më tepër se dy dekada, përveçse i kundërligjshëm, ishte edhe  shkelje publike, e Kushtetutës dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës, ndaj dhe ishte koha e fundit, që 25 vite pas çlirimit dhe mese 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, BQK, si organ i pavarur, të detyrohej ta ndërmerrte këtë vendim simbolik, për zbatimin e ligjit, kushtetutshmërisë dhe sovranitetit të shtetit të lirë të Kosovës. Por përderisa BE dhe SHBA, heshtin fare, apo citojnë vetëm "nën detyrim", me ndonjë fjalë krejt të thatë, në raste të domosdoshme, agresionin e hapur të Serbisë në Kosovë, si sulmi terrorist serb, në Banjë të Zveçanit, ku tash e mbi 4 muaj, nuk ka asnjë aktakuzë apo denoncim zyrtar kundër agresionit të Serbisë në Kosovë, vendimet e shtetit tonë edhe kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjeve dhe kushtetutshmërisë në vend, jo vetëm nuk priten mirë, por kundërshtohet hapur edhe mbyllja e zyrave ilegale serbe dhe ndalimi i strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.

Dhe sikur mos të mjaftonte as kjo, Kosovës iu vendosën masa ndëshkuese, vetëm pse kryetarët e komunave veriore, të votuar në mënyrë demokratike, në zgjedhjet e pranuara lokale edhe nga vet faktori ndërkombëtar, u vendosën në zyrat ligjore, të kuvendeve komunale, gjë që nuk ka ndodhur askund në botë, përderisa Serbia nuk sanksionohet, jo vetëm për kidnapimin e policëve të Kosovës brenda territorit tonë, por as për agresionin e hapur serb, të kryer me sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, rast për të cilin nuk ka as një aktakuzë, sado të thjeshtë e sipërfaqësore qoftë ajo”, vlerëson Qarri.

Ndërkaq ai thotë se, sa i takon vendimit për ndalimin e "dinarit" serb, përveçse është vendim shumë i drejtë dhe ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë e BQK-së, edhe ndërkombëtarët e dinë se kjo është çështje krejtësisht e brendshme, vetëm e shtetit të Kosovës, e rregulluar madje, qysh para më tepër se 22 vitesh edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por që partitë e inkriminuara, të cilat ishin të lidhura me krimin e organizuar dhe bandat kriminale serbe të veriut, vepruan kundër kushtetutës së Kosovës duke lejuar përdorimin e dinarit serb, në kundërshtim me Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e shtetit tonë.

“Andaj përkundër të gjithave sa thuhen, vendimi i Bankës Qendrore, është një vendim shumë i drejtë ligjor, madje edhe një vendim obligativ i cili,jo vetëm që nuk mund të shtyhej më tej, por në fakt, do duhej të ndërmerrej para më tepër se dy dekadave nga shteti ynë, kështu që, lind pyetja e vetme, e cila bëhet e patejkalueshme, për tu parashtruar me këtë rast është, se; pse dhe si u vonua kaq gjatë, madje edhe për më tepër se dy dekada, nga partitë e inkriminuara politike, një hap i tillë kaq i rëndësishëm dhe akt shumë i domosdoshëm i zbatimit të Kushtetutës, sundimit të ligjit dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës!? Për aq më tepër, habit shumë fakti, se si faktori ndërkombëtar në këto momente të rënda krize globale, gjen aq shumë kohë të merret vetëm me një vendim të thjeshtë e të domosdoshëm ligjor të Bankës Qendrore të Kosovës dhe injoron tërësisht, madje edhe deri në përmasa përçmuese planet luftënxitëse të kriminelit Vuçiq, me gjithë paralajmërimet e vazhdueshme nga oponent të shquar në Serbi, si avokati Çedomir Stojkoviq, se me mbështetjen e Rusisë së Vladimir Putinit, Serbia e Aleksandër Vuçiqit, po përgatitet intensivisht për ndezjen edhe të një konflikti dhe vatre të re lufte në Ballkan”, thekson ai.

Pra sipas tij, ‘vendimi i BQK-së, ishte një vendim i domosdoshëm, i cili as që mund të shtyhej më tej, siç është shtyrë deri më tani kundërligjshëm dhe në mënyrë krejtësisht klandestine nga partitë e inkriminuara, ngase ka të bëjë me obligimin e shtetit, për respektimin e Kushtetutës, sundimin e ligjit, vendosjen e drejtësisë dhe ndalimin e evazionit fiskal, që Serbia tash e mbi 22 vite i shkakton me “dinar” ilegal, shtetit të Kosovës, për çka, pas dënimit të Pal Lekajt & Co, Prokuroria e Shtetit,duhet ti fillojë urgjentisht hetimet për vendosjen, sa më parë, para drejtësisë për shkak të përgjegjësisë penale dhe individuale, edhe të politikanëve tjerë të korruptuar dhe të ish qeveritarëve të inkriminuar, cilët lejuan për më tepër se dy dekada, këtë evazion të pashembullt fiskal të Serbisë edhe përmes futjes ilegale të “dinarit” serb, në Kosovë’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat