“Shqetësim serioz”, eksperti i sigurisë tregon pse Naim Murseli ndërroi deklaratën për vrasjen e Liridonës

Politika

“Shqetësim serioz”, eksperti i sigurisë tregon pse Naim Murseli ndërroi deklaratën për vrasjen e Liridonës

Nga: A.Zh Më: 3 shkurt 2024 Në ora: 12:18
Liridona Ademaj dhe Naim Murseli

Naim Murseli, i cili dyshohet se porositi vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, ka mohuar versionin që e ka dhënë gjatë intervistimit në Polici menjëherë pas vrasjes.

Avokatja e tij, Teuta Zhinipotoku, ka thënë se Murseli ka mohuar edhe raportimet në media për raporte të tensionuara me bashkëshorten dhe aludimet për tradhti.

Duke komentuar këto zhvillime, eksperti i çështjeve të sigurisë Bedri Elezi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Murseli ka ndërruar deklaratën e tij, pasi ato nuk janë deklarata të dhëna nën betim.

Image
Bedri Elezi

Sipas tij, ai ka pasur mundësi që të përpunojë opinionin dhe të organizojë përgjigje para Prokurorisë.

“Ashtu siç edhe kemi paralajmëruar në fillim të kësaj ngjarjeje, ky rast është mjaft kompleks, për shkak se duket se është i organizuar në atë formë sa të jetë sa më kompleksiv. Edhe pjesëmarrja e disa komentimeve të ndryshme, sidomos nga familjarët e të ndjerës në debatet dhe diskutimet publike që ishin bërë për një ngjarje kaq të rëndësishme, mendoj që ka bërë që Naim Murseli të ketë mundësi të përpunojë opinionin në këtë formë dhe të organizojë përgjigjen para Prokurorisë. I njëjti e din mirë se të gjitha deklaratat dhënë para Prokurorisë dhe Policisë janë deklarata, që nuk janë nën betim dhe i njëjti mund t’i ndërrojë me arsyen se ishte në situata të rënda qoftë psikilogjike, apo edhe në presion mund të themi të institucioneve të zbatimit të ligjit, në këtë rast të Policisë së Kosovës, si aparat i dhunës”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka theksuar se Liridona ka bartur sekrete me qëllime financiare të bashkëshortit të saj Naimit dhe të personave të tjerë. Për këtë arsye, sipas tij, ky rast është shumë kompleks.

“Mendoj që nga fillimi se ky rast me vete bart një shqetësim serioz, ngase e ndjera mund të jetë vrarë për faktin se ka bartur sekrete, të cilat mund të përfshijnë jo vetëm Naimin dhe tre persona të tjerë, të cilët janë të arrestuar, por edhe persona që mund të jenë aktualisht jashtë orbitës së hetimit, por që në fakt mund të kenë lidhje me ngjarjen.

Që në fillimi kemi thënë se ngjarja është komplekse dhe mund të bartë pasoja për ndonjë veprim, që ka ndoshta edhe qëllime financiare apo aktivitete financiare, e të cilat mund të ndërlidhen me grupe të fuqishme në jetën e biznesit e që mund të jenë zhvilluar jashtë Republikës së Kosovës”, ka thënë më tej eksperti për “Bota sot”.

Ai ka vlerësuar se e ndjera Liridona kishte një profil interesant.

“Fakti që kemi pasur një vrasje kaq të organizuar, nënkuptojmë që kemi të bëjmë me një profil të një personi, që në këtë rast është e ndjera Liridona Ademaj, me një profil interesant dhe që mund të kishte bartur apo ka bartur informacione apo sekrete, të cilat do të ishin vendosur në shërbim të institucioneve në zbatim të ligjit të Kosovës apo institucioneve të tjera të sigurisë dhe drejtësisë në vendet jashtë territorit të Kosovës”, ka shtuar ai për gazetën.

Gjykata Themelore në Prishtinë në dhjetor të vitit 2023, ua ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët dyshohen për vrasjen e 30-vjeçares, L.A.

30-vjeçarja Liridona Murseli me shtetësi suedeze u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Bërrnicë të Komunës së Prishtinës. Për vrasjen e saj janë arrestuar tre persona, e cila sipas dosjeve të hetuesisë dhe prokurorisë, dyshohet se ishte inskenuar. Vrasja e saj dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, me të cilin Liridona kishte dy fëmijë.

Vrasjen dyshohet se e ka kryer Granit Plava, pasi Murseli ia kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK’së. Sipas raportimeve, ai ia kishte gjetur dorasin Murselit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat