Presioni për pezullimin e vendimit për dinarin – ja si duhet të veprojë Qeveria e Kosovës pas paralajmërimit të Hovenier-it!

Politika

Presioni për pezullimin e vendimit për dinarin – ja si duhet të veprojë Qeveria e Kosovës pas paralajmërimit të Hovenier-it!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 3 shkurt 2024 Në ora: 19:56
Jeff Hovenier

Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro.

Kjo ka ngjallur reagime të mëdha, ku madje ndërkombëtarët kanë kërkuar edhe pezullimin e këtij vendimi nga Qeveria e Kosovës.

Një reagim në lidhje me këtë çështje erdhi edhe nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Ai në një konferencë për media në Prishtinë të enjten njoftoi se ka ndarë shqetësimet e tij me kryeministrin Albin Kurti në lidhje me vendimin e BQK-së për dinarin e Serbisë.

Gjithashtu, Hovenier është shprehur se SHBA-ja është e shqetësuar se rregullorja, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb në Kosovë, mund të nxisë tensione etnike në vend.

Mendojmë që kjo çështje meriton konsideratë më të kujdesshme dhe diskutim me përfaqësuesit e BE-së në dialog. Jemi të shqetësuar nëse ka gjasa potenciale që gjendja të eskalojë në tension etnik në veri dhe të shndërrohet në problem për jetën e përditshme të serbëve”, ka thënë ai.

E ky paralajmërim i ambasadorit amerikanë për eskalim të tensioneve në veri, erdhi befasishëm.

Për këtë gjë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se të gjithë ata që kanë informacione për përshkallëzim të situatës në vend, duhet t’i ndajnë ato me institucionet e sigurisë.

Nëse dikush ka informacione apo ndonjë indikacion për përshkallëzim, duhet që ta ndajë me institucionet e sigurisë”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë.

Softa: Vendimi i BQK është i drejtë

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se vendimi i BQK-së për dinarin është i drejtë.

Image
Fatjon Softa

Megjithatë, ai tha se duhet një konsultim i Kosovës me shtetet aleate, pasi shqetësimi i tyre në lidhje me shpërthimin e një konflikti është i arsyeshëm.

Vendimi i BQK është i drejtë, Kosova njeh monedhë zyrtare që në shpalljen e pavarësisë monedhën e Bashkimit Europian. Por, ndryshimi i menjehërshëm pa një kohë të përcaktuar kalimtare, krijon probleme me një shtet që njeh dhe pakicat kombëtare, në veçanti serbët e Kosovës që ekonominë e tyre e kanë të lidhur me Serbinë dhe paraja që përdorin është monedha serbe. Sigurisht ndërhyrja e ambasadorit amerikan por dhe e shumë vendeve të tjera që po reagojnë, kërkoj e të mos destabilizojnë gjendjen e rëndë dhe me tensione të fshehura dhe rreziqet e shpërthimit të konfikteve të mundshme.

Nuk është ky momenti më i mirë, dhe shtyrja në kohë e vendimit, do të jetë një hap i konsultuar dhe me aleatët e Kosovës që në këto momente kanë një shqetësim të arsyeshëm, për rrezikun e shpërthimit të konfikteve të armatosura që rrezikojnë të gjithë rajonin”, deklaroi ai.

Eksperti i sigurisë potencoi se zërat për rindezje të konfliktit po shtohen pas vendimit për denarin, derisa tha se Kosova e ka situatën në favor, por që duhet të marrë mbështetjen edhe të ndërkombëtarëve.

“Kjo rregullore e BQK disiplinon monedhën e huaj që hyn me thasë në Kosovë dhe kërkon konvertimin e saj në monedhën euro.

Zërat e shqetësuar për dinarin, vijnë dhe shtohen, ato i tremben çdo skenari që mund t’i nxisë serbët e Kosovës dhe qarqet pas tyre në veprime.

Kosova është e avantzhuar deri në këto momente dhe mbështetja ndërkombëtare e saj duhet të ruhet dhe të shtohet, duhet maturi.

Bota po mbart shumë konflikte, Europa shkon në zgjedhje në maj 2024 dhe në fundvit janë dhe zgjedhjet në SHBA për presidentin”, përfundoi Fatojn Softa për “Bota sot”.

Nela: Monedha shtetërore është një nga shtyllat e sovranitetit të një vendi!

Kurse, publicisti Milaim Nela në një bashkëbisedim me “Bota sot” mbështeti vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit.

Image
Milaim Nela

Ai tha se ka ardhur koha që serbët e Kosovës t’i nënshtrohen ligjeve të shtetit të Kosovës.

“Monedha shtetërore është një nga shtyllat e sovranitetit të një vendi.

Ndalimi i dinarit serb në veri të Kosovës nga qeveria e saj jo vetëm është për tu përshëndetur por është shumë i vonuar.

Më mirë vonë se kurrë!

Serbët e Kosovës duhet ta kuptojnë që shteti i tyre është Kosova e jo Serbia! Ata duhet t’i nënshtrohen ligjeve të shtetit të Kosovës”, u shpreh publicisti.

Sipas tij, përpjekjet e ndërkombëtarëve për ta pezulluar vendimin për dinarin, janë përpjekje për ta mbajtur konfliktin të ndezur.

“Insistimi për mbajtjen e dinarit është përpjekje për ta paraqitur atë pjesë të territorit si pjesë të Serbisë!

Kjo ka marrë fund me 12 Qershor 1999 dhe është vulosur e certifikuar me 17 shkurt 2008.

Përpjekjet e Lajçakut dhe Lajçakëve të ambasadave të huaja dhe Brukselit për ta shtyrë heqjen e monedhës serbe në territor të Kosovës janë përpjekje për ta mbajtur konfliktin të ndezur e jo për ta shuar atë!” – përmbylli Milaim Nela për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat