Alarm për AKI-në: Kosova e mbushur me qendra spiunazhi – ja projekti serbo-rus

Politika

Alarm për AKI-në: Kosova e mbushur me qendra spiunazhi – ja projekti serbo-rus

Nga: P.Rudi Më: 4 shkurt 2024 Në ora: 08:00
Foto ilustrim

Sipas profesorit dhe doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, Kosova ka qenë dhe është pikësynimi kryesor i shërbimeve sekrete të Rusisë, Serbisë dhe vendeve të tjera të interesuara për të.

“Sa kohë që Kosova do të jetë në këtë situatë, por edhe nëse ajo e përfundon plotësisht projektin e vet të shtetësisë, Serbia dhe shërbimi i saj sekret nuk do të heqë dorë prej saj, me qëllim që ta destabilizojë, për t’u thënë vendeve të Perëndimit se „Kosova nuk është e aftë të vetëqeveriset e të vet administrohet“! Kjo strategji e Beogradit është tashmë e kalkuluar në këto 25 vite, por edhe më parë. Serbia nënshkroi në Kumanovë kapitullimin e saj në Kosovë. Kjo ndodhi më 9 qershor 1999. Ajo marrëveshje u nënshkrua midis një gjenerali të ushtrisë serbe dhe përfaqësuesit të NATO-s. Kujtojmë se edhe kapitullimin e Gjermanisë në të dy Luftërat Botërore e nënshkruan gjeneralë gjermanë që kishin luftuar së bashku me përfaqësues të koalicionit fitues. Të dy ato marrëveshje bënë që Gjermania të ndryshojë jo vetëm qëndrimin e saj, por edhe mentalitetin për luftën. Sot kemi një Gjermani tjetër, modeli I demokracisë dhe lirisë evropiane”, shprehet Bytyçi.

Siç thotë ai, lufta e Serbisë është që ta zhbëjë shtetin e Kosovës.

“Serbia ka nënshkruar humbjen e saj në Kumanovë, por duke hartuar një projekt hileje e intrige. Sipas këtij projekti, ajo lufton ta zhbëjë shtetin e Kosovës përmes metodave të spiunazhit, që të kujtojnë KGB-në sovjetike dhe UDB-në jugosllave, pra të kohës së Luftës së Ftohtë. A do ta lejojnë aktorët që fituan luftën kundër Serbisë së Milosheviçit që të rifitojë pozitat e humbura kjo Serbia e sotme e Vuçiq?! Nuk besoj. Banjska ishte tipike veprimtari subversive e organizuar nga BIA serbe me ndihmën e shërbimit sekret rus. Por dështoi përballë shërbimeve të vendeve që mundën Serbinë e Milosheviçit dhe përballë profesionalizmit të policisë së Kosovës”, deklaron profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, Bytyçi deklaron se shteti serb shpenzon afërsisht një miliard dollarë në vit për ta nënshtruar dhe destabilizuar Kosovën e brishtë të sotme.

“Këto një miliard dollarë amerikanë të presidentit dhe qeverisë se Beogradit shkojnë për të paguar sa më shumë spiunë, mundësisht spiunë elitë. Janë shtuar dhe po rritet numri i spiunëve elitë, sidomos në medie, për të cilët paguhen çmime të shtrenjta. Por krahas kësaj veprojnë edhe qendra spiunazhi të ndryshme që rriten në numër. Një prej tyre u zbulua pas shumë vitesh aty në folenë e institucioneve kryesore si policia dhe prokuroria e shtetit. Ishte një qendër spiunazhi e kamufluar me rolin e organizatave jo qeveritare. Sigurisht që hetimi do të sqarojë shumë gjëra. Por e sigurt është se shërbimi sekret i Serbisë e ka sponsorizuar këtë qendër”.

Por sa qendra të tjera ka ngrit BIA serbe në Kosovë dhe çfarë marrëdhënie kanë ato edhe me shërbimin rus?

“Janë pyetje këto jo aq për policinë, sa për Agjencinë e Shërbimit Informativ dhe prokurorinë e Kosovës. Institucionet e sigurisë kanë një barrë dhe përgjegjësi shumë të madhe. Jo për fajin e tyre, sepse politika e qeverive të shkuara ka toleruar gjithçka serbe në Kosovë, me qëllim që të bënin rolin e “djalit të mirë e të bindur” të familjes euro-amerikane. Në atë atmosferë kanë mundur të instalohen qendra spiunazhi edhe te themelet e godinave të vetë këtyre institucioneve. Klima politike në favor të Serbisë ka favorizuar pra veprimtarinë anti-shqiptare në Kosovë e gjetkë të shërbimeve sekrete serbe dhe kur themi serbe, atëherë e dimë se pas saj qëndron edhe Rusia”, shpjegon Bytyçi.

Për fund, Bytyçi thotë se institucionet paralele serbe janë në fakt qendra të spiunazhit të Beogradit, të Aleksandër Vuçiq dhe të Aleksandër Vulin.

“Vetëm në dy lokacione u mbyllën shtatë qendra të tilla. Sa janë në të gjithë Kosovën? Si vegjetuan ato deri sot? Dhe për turp të botës, pak opozitarë e vlerësojnë punën e policisë dhje institucioneve të Kosovës për ta pastruar Kosovën nga veprimtaria diversive e subversive e Serbisë në këtë vend. Kosova ka nevojë për solidaritetin dhe mbështetjen e secilit. Lufta kundër pranisë së shërbimit sekret, kundër institucioneve paralele, kundër pranisë së kriminelëve dhe terroristëve serbë në Kosovë nuk mund të ketë sukses vetëm me angazhimin e policisë apo edhe të qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Çdo qytetar i saj, opozitar ose jo, duhet të bëhen bashkë, të ndihmojnë, së paku duke dhënë energji pozitive. Edhe kaq mjafton!”, përfundon profesor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat