Çfarë fshihet prapa largimit të avokatëve nga mbrojtja e Hashim Thaçit?

Politika

Çfarë fshihet prapa largimit të avokatëve nga mbrojtja e Hashim Thaçit?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 4 shkurt 2024 Në ora: 12:17
Hashim Thaçi

Në Gjykatën Speciale po vazhdon gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe te tjerëve, të cilët ndër tjerash po akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë, anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

E së fundmi, nga ekipi mbrojtës i Thaçit janë larguar disa nga avokatët e tij. Krejt kjo sipas tyre, pasi ky i fundit nuk ka kryer obligimet ndaj tyre.

“Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Asociacionit Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimin nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Por sipas analistëve të zhvillimeve politike në vend, largimi i avokatëve nga mbrojtja e Thaçit nuk ka të bëjë lidhur me paratë. Së paku kështu thotë analisti politik, Nexhat Haziri.

Largimi nuk ka të bëjë me paratë

Image
Nexhat Haziri

“Largimi i avokateve të Thaçit nga mbrojtja e tij, duhet të jetë vetëm çështje e ekipit të tij mbrojtës dhe kuptohet Thaçit, se si ata e kanë ndërtuar strategjinë e tyre mbrojtëse në procesin e Gjykatës Speciale të Kosovës. Ajo që dihet dhe u dëshmua edhe së fundi është se Kosova, konkretisht qeveria paguan një avokat që zgjidhet nga vet të akuzuarit në Hagë për mbrojtjen e tyre, ndërsa pjesa tjetër apo ekipi mbrojtës që ata ndërtojnë duhet të jetë përgjegjësi e tyre”, shprehet Haziri.

Madje, ai përmend edhe Xhavit Halitin, për të cilin thotë se “duhet t’i dalë në ndihmë” Hashim Thaçit.

“Unë nuk besoj se largimi i avokatit mbrojtës është për mospagesë, pasi nëse është e vërtetë ajo që ka thënë Xhavit Haliti se "krejt i kemi nga 2-3 milionë", do të ishte e pandershme nga shokët dhe miqtë e Hashim Thaçit që mos ta ndihmojnë në këtë proces pasi tërë këta miliona i kanë bërë edhe në kohën e tij sa ishte kryeministër i Kosovës”, deklaron Haziri për “Bota sot”.

“Andaj tërë kjo çështje rreth largimit të avokatit mbrojtës të Thaçit, nuk më duket shumë serioze apo është diçka për t'i shërbyer ekipit mbrojtës të angazhuar për Thaçin, që t'i mobilizojë donatorët e mundshëm për të dhënë donacione për mbrojtjen e tij në Gjykatën Speciale të Hagës”, përfundon Nexhat Haziri.

Pyetjet e Saim Tahirajt

Image
Saim Tahiraj

Kurse Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj, ngrit shumë pyetje lidhur me buxhetin që Kosova ka ndarë për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale.

“Shumë lajme u plasuan në media për këtë temë, se cila është e vërteta për kërkesën e largimit të avokatëve, ende mbetet e pa qartësuar. Për të u qartësuar të gjitha detajet rreth kësaj duhet përgjigjur në disa pyetje. Kush i angazhoi të gjithë këta avokatë me një kosto kaq të lartë? Ata që i angazhuan a e kishin të sigurt buxhetin nga i cili duhet paguar? Nëse po, ku është tani ai buxhet? Nëse është menduar nga buxheti i shtetit të Kosovës, a është e drejtë kjo? Pse duhet të angazhohen të gjithë këta avokatë me kosto kaq të lartë kur të gjithë po deklarohen të pafajshëm? Buxhetin e shtetit të Kosovës e mbushin qytetarët e Republikës së Kosovës”, thekson Tahiraj.

Ai thotë se Kosova ka gabuar me ndarjen e buxhetit për të akuzuarit e Speciales.

“Qytetarë të republikës së Kosovës janë edhe familjarët e viktimave që dyshimet e tyre janë në drejtim të të akuzuarve në Hagë. Atëherë, a është e drejtë që edhe nga paratë e këtyre familjarëve, si taksapagues të buxhetit të Kosovës të paguhen avokatët e të akuzuarve? Mendoj se pikërisht këtu është bërë gabimi më i madh, kur është votuar në Parlamentin e Kosovës, ndarja e këtij buxheti për mbështetje të të akuzuarve!”, deklaron Tahiraj.

Për fund, Tahiraj bën thirrje që të shqyrtohet edhe njëherë vendimi për ndihmën buxhetore ndaj të akuzuarve të Speciales.

“Do ishte shumë më e drejtë të pritet vendimi i Gjykatës Speciale dhe nëse do shpallen të pafajshëm, atëherë t’u paguhet dëmshpërblimi për vitet që qëndruan në burg. Po supozojmë se shpallen fajtorë dhe dënohen me disa vite burg, atëherë sa është e drejtë dhe e ndershme ndihma nga buxheti i Kosovës? Mendoj se duhet të rishqyrtohet edhe njëherë vendimi i Parlamentit të Kosovës dhe të ndalohet ky financim i padrejtë deri në vendimin definitiv të Gjykatës Speciale”, përfundon Saim Tahiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat