“Amerika nuk do luftë të re mes Kosovës dhe Serbisë”, Elezaj zbërthen deklaratën e Hovenier-it – mbështet këto dy vendime të qeverisë

Politika

“Amerika nuk do luftë të re mes Kosovës dhe Serbisë”, Elezaj zbërthen deklaratën e Hovenier-it – mbështet këto dy vendime të qeverisë

Nga: A.M. Më: 5 shkurt 2024 Në ora: 09:58
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se me veprimet e fundit po nxit tensione të panevojshme etnike.

Ai po ashtu ka përmendur edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Në një letër, të cilën e ka publikuar ambasada amerikane në Prishtinë, përmendet edhe çështja e mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë.

Diplomati amerikan më tej ka thënë se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për të gjitha shqetësimet e qytetarëve, ndërsa ka shtuar se çështja e strukturave serbe duhet të përfshihet në dialog.

Vlen të theksohet se Hovenier kishte kundërshtuar edhe vendimin për heqjen e dinarit.

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli publicist Rexhep Elezaj.

Së pari, u shpeh se mesazhi i Hovenierit për Kosovën ishte që të shtyhet vendimi për heqjen e dinarit, pasi duke parë situatëb edhe mund të rikthen tensionet në veri.

“Deklarata e ambasadorit amerikan në Prishtinë, z. J. Hovenier, se SHBA-të janë të shqetësuara për vendimin e ndalimit të dinarit serb në Kosovë, dhe se kjo do i bën amerikanët të mos jenë më avokat të Kosovës në arenën ndërkombëtare, përveç konotacionit diplomatik, kjo deklaratë ka porosi konkrete për qeverinë e Kosovës, që vendimin për heqjen e dinarit serb ta shtyjë edhe për disa kohë, duke marrë parasysh faktin, se miqtë tanë amerikan në asnjë mënyrë nuk presin dhe as nuk dëshirojnë që qeveria e Kosovës të ndërmarr hapa të tillë që çojnë, qoftë dhe sado pak, në ngritjen e tensioneve në veri mes serbëve lokalë dhe policisë së Kosovës”, deklaroi publicisti.

Bazuar në këtë, Elezaj tha se Amerika dëshiron të shmang një krizë ose luftë mes Kosovës dhe Serbisë.

Image
Rexhep Elezaj.

Sipas tij, amerikanët nuk janë kundër heqjes së dinarit, por vetëm shtyrjes e implementimit të vendimit, deri të plotësohen disa kërkesa.

“Kjo për faktin, sepse diplomacia amerikane aktualisht gjendet në një situatë tejet të komlikuar për shkak të angazhimeve të saj në luftën në Ukrainë, siç është edhe shumë e angazhuar rreth luftës në Gaza, duke bërë përpjekje të mëdha që lufta, gati katër mujore palestinezo-izraelite, të mos zgjerohet në tërë Lindjen e Mesme, sepse hapja edhe e një krize të re dhe lufte mes Kosovës dhe Serbisë, është diçka e padëshiruar për amerikanët.

Andaj, deklaratën e ambasadorit amerikan z. J. Hovenier e shikoj më shumë nga ky aspekt, dhe jo se miqtë tanë amerikan janë kundër vendimit të ndalimit të dinarit serb në Kosovë. Pra, po kërkojnë nga kryeministri A. Kurti, që implementimin e këtij vendimi ta shtyj për disa muaj, derisa të plotësohen kushtet dhe rrethanat që kërkohen në raste të këtilla, siç është rregullimi i çështjes së pagesave, transfereve dhe këmbimit të valutave konform rregullave financiare të caktuara nga BQK-ja”, theksoi ai.

Krahas kësaj, publicisti mbështeti vendimet e qeverisë për ndalesën e dinarit dhe mbylljen e strukturave paralale serbe, ku tha se serbët duhet ta pranojnë Kosovën shtet të pavarur.

“Ndërsa, sa i përket mundësisë për tensione të reja në  Kosovë, përfshirë veriun, për shkak të ndalesës së dinarit serb si dhe mbylljes së disa komunave ilegale serbe në Pejë, Istog dhe Gorë, mendoj se vendimi i qeverisë tonë ka qenë krejtësisht ligjor, legjitim dhe me vend, ngase serbët njëherë e përgjithmonë duhet ta kuptojnë faktin, se Kosova kurrë më nuk do jetë pjesë e Serbisë, dhe se serbët e Kosovës duhet ta pranojnë realitetin se janë duke jetuar në një shtet të pavarur dhe sovran, siç është Kosova, e jo në Serbi. Ata, serbët, ose duhet të integrohen në shoqërinë kosovare në kuptimin e plotë sipas Kushtetutës së Kosovës, ose duhet të zgjedhin një rrugë tjetër të jetesës”, nënvizoi Elezaj.

Ndër të tjera, ai tha se nuk sheh rrezik për tensione të reja, si dhe nuk beson se heqja e dinarit dhe mbyllja e komunave paralele serbe do hyjnë në agjendën e bisedimeve.

“Kështu që unë nuk pres të ndodhin tensione të reja në Kosovë nga ana e serbëve, qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës, me përjashtim nëse A. Vuçiqi do i nxisë ata që të ngritën në protesta dhe trazira kundër qeverisë së Kosovës, mundësi të cilën unë e shoh si minimale.

Mendoj dhe jam shumë i sigurt, se çështja e dinarit serb dhe e mbylljes së disa mini-komunave ilegale serbe në rajonin e Pejës dhe Istogut, në asnjë mënyrë nuk duhet të hyjë në agjendën e bisedimeve Kosovë-Serbi, nëse ato do vazhdojnë, ngase këto janë dy çështje krejtësisht të brendshme të qeverisë dhe shtetit të Kosovës”, përmbylli Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat