Eksperti jep alarmin: Strukturat paralele kanë fuqi të madhe financiare, Serbia do të reagojë në një moment interesant...

Politika

Eksperti jep alarmin: Strukturat paralele kanë fuqi të madhe financiare, Serbia do të reagojë në një moment interesant...

Nga: P.Rudi Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Duke komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë dhe aksionet gjithandej kundër strukturave paralele serbe, eksperti i sigurisë Drizan Shala i sheh si të domosdoshme këto aksione, pasi thotë se zyrtarët serbë në Kosovë kanë luajtur lojë të dyfishtë.

“Gjatë vitit të fundit, shumë zyrtarë lokal serb kanë luajtur lojë të dyfishtë, duke fituar zgjedhjet për t’u vendosur nëpër zyrat e qeverisë së Kosovës dhe në anën tjetër duke u emëruar në pozita të tjera në rrjetin e komunave paralele të Serbisë. Kjo bashkëjetesë dallon në detaje por ekziston në të gjitha zonat me shumicë serbe”, shprehet Shala.

Sipas tij, strukturat paralele serbe në Kosovë kanë një fuqi të madhe financiare, pasi financohen direkt nga Beogradi.

“Sistemi paralel serb ka shumë pak fuqi efektive qeverisëse, por ka në dorë një fuqi financiare shumë më të madhe; mbulon një pjesë të madhe të Kosovës dhe punëson dhjetëra mijëra serb.

Pagat e fryra për arsye politike – përmes të cilave Beogradi i ka mbajtur serbët e Kosovës të qetë dhe besnik – dhe pas 20 viteve të pasluftës ajo popullatë është e varur nga ato vende pune. Disa punojnë drejtpërdrejt për komunat paralele; shumë më shumë për kompanitë publike dhe institucionet që ata administrojnë; dhe një pjesë tjetër nëpër shkolla dhe spitale që udhëhiqen nga Beogradi”, deklaron Shala për “Bota sot”.

Image
Drizan Shala

“Pas pavarësisë, në Kosovë u zhvilluan dy elita serbe të dalluara. Në veri, udhëheqësit që formalisht i përkisnin partive serbe nuk ishin shumë besnikë ndaj shefave të partive të tyre në Beograd. Lidhjet lokale dhe respekti popullor ishin më të rëndësishmet. Diku tjetër, politikanët me bazë në Serbi, ishin të parëndësishëm, ndërsa përmes strukturave të Kosovës, dolën udhëheqës të rinj të cilët nuk ishin në linje me Beogradi.  Kur politikat e Beogradit u rreshtuan me preferencat e serbëve në veri, u lehtësua bashkëpunimi në mese serbeve në Kosovë dhe Beogradit”, shpjegon eksperti Shala.

Me tej, ai thotë se veprimet e Serbisë karshi Kosovës, padyshim që kishin impakt të drejtpërdrejtë në sigurinë nacionale të vendit tonë.

“Në anën tjetër pas shtatorit 2021 e tutje deri në 2024 kemi pasur zhvillime që kanë karakterizuar shumë pika që ishin me impakt të drejtpërdrejtë në sigurinë nacionale të vendit, ku Serbia nuk mundi të arrijë që ta pushtoj vendin në fund të 2023 dhe si rezultat i saj nga ana e nivelit politik në bashkëpunim më strukturat e sigurisë, ato ndërmorën veprime në neutralizimin e këtyre strukturave në pjesë tjera të vendit, pasi në veri u legjitimuan institucionet e nivelit lokal të dalur nga zgjedhjet e fundit në atë pjesë”, thekson Shala.

Për fund, Shala paralajmëron se Kosova duhet të ketë kujdes, pasi Serbia do të përpiqet që ta gjej momentin më të duhur që të cenojë sigurinë nacionale të Kosovës.

“Lidershipi institucional duhet të ketë në vëmendje që Serbia do të reagojë në një moment interesant që do të mund të cenojë sigurinë e vendit në një format ma ndryshe se siç e kemi parë në shtator të 2023.  Tani siguria ka marr dimension rajonal, por edhe komplekse në mënyrën se si do të kalojë kjo fazë e veprimeve legjitime dhe legale të institucioneve të vendit në shuarjen e këtyre strukturave”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat