Kërkesa për mbledhje urgjente të KS të OKB-së dhe ndalimi i dinarit, ekspertët tregojnë se çfarë skenari “fshihet” pas deklaratave të Vuçiqit

Politika

Kërkesa për mbledhje urgjente të KS të OKB-së dhe ndalimi i dinarit, ekspertët tregojnë se çfarë skenari “fshihet” pas deklaratave të Vuçiqit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 6 shkurt 2024 Në ora: 15:38
Foto ilustrim

Së fundi, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur sërish.

Kjo pasi në Kosovë më 1 shkurt hyri në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës, euro është valuta e vetme për pagesat, që nënkupton ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

Një vendim të tillë qeveria serbe e ka cilësuar si të papranueshëm, ku edhe kishte nga reagimet më të ndryshme, edhe nga ndërkombëtarët.

Madje, Serbia ka paraqitur kërkesë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit(KS) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për çështjen e dinarit, përkatësisht Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, ku dinari serb ndalohet si valutë për blerje dhe shitje në tregun e Kosovës.

Për këtë ka dhënë detaje edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Duhet të thërrasim një seancë të Këshillit të Sigurimit, nëse do të na lejojnë apo jo – nuk e besoj.

Kërkesa është dorëzuar dhe në ditët në vijim duhet ta marrim përgjigjen. Janë 15 vende në Këshill, nëntë e kanë njohur Kosovën, gjashtë jo… Do të shohim”.

E për thirrjen e kësaj seance dhe se mundësinë që ajo të mbahet folën ekspertët për “Bota sot”.

Elezi: Vendimi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për valutat ishte vendim i drejtë

Image
Bedri Elezi

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

Së pari, tha se vendimi i BQK-së për ndalimin e dinarit ishte i drejtë, por që nuk erdhi në kohën e duhur, ku kësisoj Serbia do e shfrytëzojë këtë gjë për eskalim të situatës së sigurisë.

Madje, ai potencoi faktin se Serbia do tentojë të organizojë veprime të dhunshme në emër të së drejtave të serbëve të Kosovës.

Vendimi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për valutat, përkatësisht për valutën e dinarit të Serbisë e cila po qarkullon në Kosovë në mënyrë ilegale, sigurisht që ishte vendim i drejtë, por jo në kohën më të mirë të mundshme për të duhur, për faktin se në vazhdimësi Serbia po tenton që të përdorë situata të tilla për eskalimin e së situatës së sigurisë.

Ne duhet gjithmonë të kemi parasysh faktin se Serbia është tejet e interesuar që të arsyetojë para opinionit ndërkombëtar dhe po ashtu edhe opinionit serb, veprimet e dhunshme në territorin e Republikës së Kosovës dhe gjithashtu e njëjta të organizojë veprime të dhunshme dhe të arrijë që t'i bindë serbët për të marrë pjesë në këto veprime të dhunshme në emër të shkeljes së të drejtave, sipas tyre të serbëve që u bënë në vazhdimësi në territor i Republikës së Kosovës nga institucionet e Republikës së Kosovës”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Krahas kësaj, Elezi komentoi edhe kërkesën e Vuçiqit për mbledhje të KS të OKB-së, e cila sipas tij është shqetësuese pasi në rast se nuk e merr mbështetjen e ndërkombëtarëve, ai do përdor qeverinë e tij për ta zgjidhur ‘problemin’.

“Në rastin konkret, Vuçiq ka shprehur reagimin e tij, madje e ka thënë se një takimi do të kërkohet në Këshillin për Sigurinë e OKB-së për të diskutuar lëvizjen e tillë dhe po ashtu ka shprehur optimizmin nëse kjo do të mbahet apo jo.

Ky fakt është shqetësues ngase i njëjti duket që do të provojë gjoja se të gjejë zgjidhjen e problemit në kanale ndërkombëtare dhe më pas i njëjti në rast se nuk gjoja se nuk do të kishte mbështetjen e duhur nga komunikimi me institucionet ndërkombëtare do duhej që të provojë të marrë fatin e zgjidhjes së këtij problemi në duart e qeverisë së Serbisë dhe qytetarëve”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti i sigurisë potencoi se ky është një paralajmërim se presidenti serb po përgatit skenar për veprime të dhunshme në veri.

Dhe, ky është një farë lloj paralajmërimi se Vuçiqi po përgatit mund të themi një skenar të cilin do të mundohet që t’ua faturojë qytetarëve të Kosovës si konsumim fillimisht i i materies politike dhe më pas edhe deri tek veprimet të cilat mund të jenë veprime të dhunshme vetëm për të arritur tek qëllimet e tij”.

Ndër të tjera, Elezi tha se planet destabilizuese, Serbia po i realizon për dëshirë të Rusisë, e cila po synon të nxisë konflikte të reja, për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.

Ju e dini që Rusia në vazhdimësi po kërkon arsyetime dhe lëvizje konkrete për cenimin e sigurisë në Ballkan dhe siç duket këto veprime të cilat janë bërë me vetëdije apo pa vetëdije nga Banka Qendrore e Kosovës, mund të shfrytëzohen për eskalimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe të njëjtat të mund të mund të kemi të dhe në rajon.

Prandaj, mund të themi se deklarimet e presidentit të Serbisë janë kuadër të planeve, që mund t'i quajmë plane për destabilizuese të Serbisë, e cila krejt këto do t'i bëjë për hatër të Rusisë, e cila ka një interesim të jashtëzakonshëm që cenoj sigurinë ballkanike dhe kështu të defokusoj forcat ndërkombëtare të sigurisë nga lufta që po zhvillohet në Ukrainë në drejtim të luftëra që mund të zhvillojnë eventualisht në Evropë”, përmbylli Bedri Elezi për “Bota sot”.

Shabani: Unë nuk mendoj se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do ta përkrah Vuçiqin

Image
Amir Shabani

Kurse, edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani mbështeti vendimin e BQK-së për dinarin.

Derisa, tha se Vuçiq është i pakënaqur me çdo vendim të Kosovës, por që është absurd qe çdo komunitet të ketë valutën e vet.

Sa i përket vendimit të BQK-së në lidhje me përdorimit e euros si valutë e vetme në Republikën e Kosovës, mendoj se është veprim i drejtë, legjitim dhe sipas kushtetutës.

Kjo, padyshim se ka shkaktuar pakënaqësi tek serbët dhe lideri i tyre Aleksandar Vuçiq i cili si çdo veprim tjetër të Kosovës, po e kundërshton edhe këtë të fundit. Është më se e qartë se brenda një shteti mund të ketë komunitete në ndryshme dhe kjo s'do të thotë që secili komunitet të ketë valutën e vet, kjo është absurd”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, Shabani nuk u pajtua as me reagimet e ndërkombëtarëve kundër Kosovës, derisa shpres se KS i OKB-së nuk do ta përkrahë Vuçiqin.

Unë nuk pajtohem edhe me vërejtjet e SHBA-së dhe BE-së që i kanë drejt Kosovës, sepse Qeveria Kurti nuk po vepron diçka jolegjitime. Përkundrazi, ai që po shkel legjitimitetin brenda vendit të vet dhe në Ballkanin Perëndimor, është pikërisht Vuçiqi.

Unë nuk mendoj se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do ta përkrah Vuçiqin, pasi që është diçka e padrejtë një ndërhyrje e tillë për sa i përket vendimeve të qeverisë së atij vendi, në këtë rast Kosovës”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat