Çështja e dinarit/ Komentohet deklarata e Roth ndaj Hovenier-it, analistët kanë këtë paralajmërim!

Politika

Çështja e dinarit/ Komentohet deklarata e Roth ndaj Hovenier-it, analistët kanë këtë paralajmërim!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 7 shkurt 2024 Në ora: 08:01
Michael Roth

Çështja e dinarit ka arritur të jetë temë e diskutuar tash e disa ditë.

Të shqetësuar për vendimin e BQK-së po shprehen ndërkombëtarët, të nxitur nga Vuçiq.

Takime, bisedime dhe rekomandime për të shfuqizuar këtë vendim janë të shumta ndaj Qeverisë Kurti.

Por vëmendje mori deklarata e ambasadorit Jeffery Hovenier, i cili u shpreh se se Qeveria e SHBA-së është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e dinarit serb.

Kjo sipas tij, do të ketë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj serbëve lokalë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë.

Por njesoj nuk mendon kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth.

Në rrjetin social “X”, Roth shpërndau deklaratën e Hovenier, për të cilën tha se është e pabalancuar.

Sipas tij, në këtë deklatatë të SHBA-së do duhej të kishte mesazhe të qarta për sulmin terrorist serb në Banjskë.

“Një shembull tjetër për deklaratat e pabalancuara të SHBA-së (ose BE-së) për Kosovën. Më mungojnë mesazhe kaq të qarta në lidhje me agresionet serbe (sulm terrorist në Bajnska, rrëmbim apo shantazh) në rajon, e dashur @USAmbKosovo”, shkroi Roth.

Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme QUINT ka vizituar kryeministrin Kurti, duke i rekomanduar për pezullimin e vendimit.

Por rregullorja e BQK-së hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht trynisë së madhe nga bashkësia ndërkombëtare për ta shtyrë zbatimin e saj.

Qarri: Deklarata e Roth ishte e duhura ndaj Hoveinier

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Ai thotë që është e qartë se një reagim i tillë nga Hoveinier mund të vjen, pasi edhe pas 4 muajve nga agresioni në Banjskë nuk është dënuar askush, pra kemi të bëjmë më një pabarazi mes dy shteteve.

Fakti se edhe mbi 4 muaj, pas agresionit të hapur territorial të Serbisë, me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, nuk është ngritur asnjë padi, dhe nuk është sanksionuar as kërkuar përgjegjësi, nga Serbia, flet më tepër se qartë, për trajtimin shumë të padrejtë dhe krejtësisht të pabarabartë, të Republikës së Kosovës, në raport me trajtimin e Serbisë hegjemoniste, nga BE dhe SHBA.

Ndaj dhe Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut gjerman Michael Roth, ka reaguar me shumë të drejtë dhe arsye të plotë, ndaj deklarimeve të ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier për Kosovën. Përndryshe nëse vazhdohet me këtë përmasë të pabesueshme trysnie ndaj çdo veprimi të BQK dhe Qeverisë për vendosjen e ligjit dhe zbatimin e Kushtetutës, Qeveria e vendit duhet të dal para opinionit të vendit dhe të sqarojë publikisht, se nën këtë shkallë trysnie, e ka të pamundur të veprojë normalisht, për zbatimin e ligjit dhe kushtetutshmërisë në Kosovë”, u shpreh ai.

Më tej, Qarri thotë se Qeveria e Kosovës është duke u përballuar me një trysni ndërkombëtare.

Sipas tij, kjo trynsi ka irriturar mjaftë shumë qytetarët e vendit.

Dhe Kryeministri e Qeveria duhet urgjentisht të paralajmërojë një referendum ose shpërndarjen e një pyetësori publik, drejtuar të gjithë qytetarëve me të drejtë vote të Kosovës. Për shprehjen e vullnetit të tyre, nëse janë për qeverisjen e vendit, nga politikanët e zgjedhur me votën e lirë të popullit të Kosovës, apo pranojnë të sundohen nga ambasadorët e SHBA-së, ata të vendeve të QUINT-it, ndërmjetësuesit e BE-së, si Mirosllav Lajçak apo edhe zëdhënësi i BE-së Peter Stano, kurse Qeveria e Kosovës të shpallet e panevojshme, për qeverisjen e mëtejme të vendit dhe të jap dorëheqje të parevokueshme!

Përndryshe reagime kaq të ashpra e intensive dhe kaq fort të sinkronizuara ndërmjet SHBA, BE dhe faktori ndërkombëtar, kundër zbatimit të ligjit dhe kushtetutshmërisë për mbylljen e komunave ilegale serbe dhe ndalimin e evazionit ilegal e kundërligjor të dinarit të Serbisë në Kosovë, ka irrituar shumë jo vetëm qytetarët e Kosovës por ka nxit reagimin edhe të diplomatëve të huaj si z.Roth, në rrjetin social X, me deklaratën ndaj Hovenier duke e quajtur qëndrimin e tij me plotë të drejtë, të pa balancuar. Pasi Hovenier në fakt, për tu treguar, sadopak real dhe i paanshëm, do duhej të kishte shpërndarë paraprakisht mesazhe po kaq të qarta edhe për kidnapimin e policëve të Kosovës nga Serbia dhe agresionin e hapur territorial të Serbisë me sulmin terrorist serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023”, shpjegoi analisti.

Ndër të tjera Qarri thotë se deklarata e Roth ndaj Hovenier-it ishte e duhura.

Andaj duke parë reagimet e përçudnuara të ndërkombëtarëve kundër Kosovës, sikur vendi ynë, ta kishte sulmuar ushtarakisht Serbinë dhe jo të vepronte në mënyrë normale dhe tërësisht paqësore, për vendosjen e rendit dhe zbatimin e ligjit e të Kushtetutës në vendin tonë, mendojë se deklarata e Kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut gjerman Michael Roth ishte kundërpërgjigjja jo vetëm e duhur, por edhe më e pakta e cila mund t’i thuhej, nga një politikan i denjë evropian, në mënyrë kaq të arsyeshme z.Hovenier”, nënvizoi Qarri për “Bota sot”.

Duhanaj: Tri anë të deklaratës së Hovenier

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa analisti tjetër politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehet se deklarata e Roth ishte e ashpër ndaj Hovenier dhe ishte me të drejtë një reagim i tillë.

Nëse deklaratave u bëjmë një krahasim të drejtpërdrejtë, atëherë po, që mund të themi se kjo deklaratë ishte me e ashpër se sa në kohen kur u kindnapuan policët e Kosovës. Gjithashtu ,mund ta kuptoj reagimin e z. Michael Roth, kryetar i komisionit për politikë të jashtme në Bundestag-un gjerma, i cili me të drejtë e thekson se reagimi nuk ishte proporcional me situatën. Megjithatë konsideroj që ne si shqiptarë, duhet ta shohim ketë deklaratë të Ambasadorit Hovenier, si diçka me ndryshe”, thotë ai.

Në fund, ai përmend tri anë që duhet ta shohim deklaratën e Hovenier.

Në radhë të parë, ne duhet ta dimë njëherë e mirë, se pa SHBA-në, as nuk do çliroheshim, e as nuk do t'ishim shtet. Së dyti, asnjë europian, nuk e di saktësisht raportin SHBA-Kosovë, kështu që as nuk munden ta vlerësojnë drejtë ndonjë deklaratë. Së treti, unë mendoj se kjo deklaratë, nuk vjen pa arsye, jo pse tash nuk na qenka diçka e randë dhe se SHBA, nuk e përshëndet ne heshtje, por sepse u pengon mënyra dhe momentumi i marrjes së vëndimeve, edhe ashtu të pakoordinuara me SHBA-në, dëmton me shumë Kosovën dhe procesin se sa vetë Serbinë. Kjo situatë, ngjason shumë me atë të targave”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat