Thaçi po “braktiset” nga avokatët, juristi nga Belgjika hedh disa dyshime: Nëse largohen edhe këta..!

Politika

Thaçi po “braktiset” nga avokatët, juristi nga Belgjika hedh disa dyshime: Nëse largohen edhe këta..!

Nga: A.M Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 19:01
Hashim Thaçi, foto ilustrim

Avokatë kryesor të mbrojtjes së Hashim Thaçit, pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, Gregory Kehoe, Joe Reeder, “Greenberg Legal Associates” dhe anëtarët e kësaj kompanie, kanë kërkuar të tërhiqen në rastin e tij në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në kërkesën e tyre ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë thuhet se moskryerja e obligimeve ndaj tyre është arsyeja e kësaj kërkese.

“Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Associates Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimi nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhet në kërkesën e publikuar më 19 janar të këtij viti. Aty përmendet edhe rregullorja sipas së cilës kur të caktohet grupi tjetër i mbrojtjes, avokatët paraprak duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë “në një periudhë prej jo më shumë se 45 ditë”.

E sa mund të ndikojë kjo gjë në procesin e gjykimit në Hagë për Hashim Thaçin foli në një prononcim për “Bota sot”, juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Së pari, ai foli për ligjin për mbrojtjen e të akuzuarve dhe çështejn e kompenzimit të avokatëve, gjë e cila i ka kushtuar buxhetit të Kosovës mbi 20 milionë euro.

“Në vitin 2015 kur ishte miratuar Ligji për Dhomat e Specializuara, të njëjtën seancë është miratuar edhe Ligji për mbrojtjen juridike të akuzuarve, kurse çështja për kompenzimin e avokatëve është trajtuar edhe me Rregulloren mbi ndihmën juridike, sipas së cilës çdo i akuzuar, që nuk ka mjete financiare, ka të drejtë të kërkojë kompenzim për pagesën e avokatëve. Që nga viti 2020 kur janë ngritur aktakuzat e para, për H.Thaçin, K.Veselin, J.Krasniqin dhe R.Selimin, avokatët e tyre, me të cilët ka patur marrëveshje Ministria e Drejtësisë, janë paguar me rregull, e që buxhetit të Kosovës i kanë kushtuar afro 20 millionë euro.

Image
Skënder Musliu

Mirëpo ditë më parë, avokati Gregory Kehoe në emër të ekipit mbrojtës, Joe Reeder, Greenberg Legal Associates, që mbrojnë Hashim Thaçin, përmes një parashterese ka njoftuar Trupin Gjykues se klienti i tyre nuk ka përmbushur obligimet e pagesave për honoraret, duke paralajmëruar se do të tërhiqen nga mbrojtja e mëtutjeshme, nëse nuk plotësohen këto obligime”, u shpreh juristi.

Krahas kësaj, Musliu potencoi faktin se me këtë trup të avokatëve në fjalë, MD e Kosovës nuk ka pasur marrëveshje, por familjarët e Thaçit e kanë arritur marrëveshje dhe kompenzimi është bërë përmes dy fondeve publike.

“Me këtë rast dëshiroj të theksoj se Ministria e Drejtësisë së Kosovës nuk ka pasur marrëveshje me këtë trup të avokatëve, një marrëveshje të tillë e kanë arritur familjarët e H.Thaçit dhe kompenzimi i tyre është bërë nga dy fondacionet publike që janë hapur për këtë qëllim, e që supozohet se nuk ka më financa në këto fondacione.

Lidhur me këtë është deklaruar Ministria e Drejtësisë, se ajo i bënë pagesa vetëm avokatëve me të cilët ajo ka marrëveshje, siç është rasti me avokatin kroato-amerikan, Luka Misetiq”, theksoi ai.

Më tej, juristi nga Belgjika përmendi faktin se nuk është hera e parë që mbrojtja e “braktisë” Thaçin, pasi përmendi se si edhe tre avokatë në të kaluarën janë larguar dhe nëse vazhdohet kështu procesi i mbrojtjes do të dobësohet.

“Fatkeqësisht nuk është hera e parë që mbrojtja e braktis H. Thaçin, respektivisht deri tani janë larguar tre avokatë kryesorë dhe nëse largohen edhe këta të fundit, atëherë procesi i mbrojtjes mund të dobësohet. Duke pasur parasysh faktin se avokatët e larguar ishin profesionistë të profilit të lartë që kanë njohur shkresat e lëndës, që janë familjarizuar me procesin gjyqësor, largimi i tyre mund të ndikojë në rrjedhat e mbrojtjes, dhe sikur këta të zavendësohen, nuk ështe e lehtë të sigurohet një kontinuitet i favorshëm, edhe pse Gjykata do t’a sigurojë tranzicionin mes ekipeve mbrojtëse së paku për 45 ditë”, shpjegoi Musliu.

Në vazhdim, ai kundërshtoi analistët dhe gazetarët që e akuzojnë kryeministrin Kurtin se është “kundër UÇK-së”, derisa tregoi në detaje pse Kosova nuk mund ta ndjek shembullin e Kroacisë, ku kjo e fundit kishte financuar mbrojtjen e Ante Gotovinës në Hagë!?

“Ajo që tërheq vëmendjen, janë deklaratat e disa analistëve dhe gazetarëve, fatkeqësisht edhe të disa avokatëve, që deklarojnë se, kinse Albin Kurti qenka kundër UÇK-së, prandaj ai është kundër këtyre pagesave, dhe se do të duhej të ndiqet shembulli i Kroacisë që kishte financuar mbrojtjen e Ante Gotovinës në Hagë!? Lidhur me këtë dëshiroj të theksoj se, rasti i Ante Gotovinës nuk mund të krahasohet me katër të akuzuarit, sepse Gotovina është akuzuar për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kroaci, me ç’rast ka luftuar kundër makinerisë ushtarake të Serbisë. Kurse, Gjykata e tanishme Speciale merret me krimet e supozuara gjatë periudhës Janar 1988 - Dhjetor 2000, mirëpo duke përjashtuar periudhën e luftës. Meqenëse kjo gjykatë gjykon vetëm krimet e supozuara që kanë ndodhur para dhe pas lufte, duke përjashtuar kohën e luftës, atëherë është gabim edhe të përdoret narativa, që është krijuar duke manipuluar opinionin se, në Hagë po mbrohet UÇK-ja, sepse me gjykimet e UÇK-së për periudhën e luftës është marrë Gjykata Penale Ndërkombëtare në suaza të OKB-së, sikurse ishte rasti Haradinaj, Limaj, që u liruan në mungesë të provave. Prandaj, UÇK-ja është pastruar në Gjykatën e OKB-së në Hagë, kurse katër të akuzuarit, H.Thaçi, K. Veseli, J. Krasniqi dhe R. Selimi, akuzohen për vrasjet e pretenduara të kundërshtarëve politikë, burgosje arbitrare, rrahje dhe maltretime mizore ndaj popullatës civile etj., që janë kryer nga individ, jashta periudhës së luftës, që fatkeqësisht, për këtë fakt nuk flet askush”, nënvizoi juristi nga Blegjika.

Gjithashtu, Musliu vlerësoi se nësë akuzuarit që gjenden në Hagë do të ishin atjë për ta mbrojtur UÇK-në dhe luftën, atëherë do kishte mobilizim për fonde.

Mirëpo, sipas tij kjo gjë nuk ndodh pasi në rastin e tyre bëhet fjalë për krime të individëve, që e kanë shfrytëzuar emrin dhe autoritetin e UÇK-së.

“Sikur të akuzuarit në fjalë t’a kishin mbrojtur UÇK-në dhe luftën e shenjtë për çlirim, atëherë përveç buxhetit të shtetit të Kosovës, edhe mërgata do të ishte organizuar dhe mobilizuar për mbledhjen e fondeve, sikurse në të kaluarën, për mbrojtjen e tyre, mirëpo në rastin konkret bëhet fjalë për krime të pretenduara të individëve që kanë mund të keqpërdorin UÇK-në dhe autoritetin e saj.

Për disa nga të akuzuarit dhe të tjerët që priten të akuzohen, që nga paslufta nga emisione të ndryshme investigative, kemi mësuar se, ata janë milionerët e pasluftës, që u pasuruan nga korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe derisa ishin në krye të institucioneve shtetërore u bënë aksionarë në shumë biznese dhe kompani, investuan jashta Kosovës dhe paratë i deponuan nëpër banka jashta Kosovës, në të cilat nuk figurojnë emrat e tyre. Prandaj, edhe sipas Ligjit për mbrojtjen juridike, ndihma juridike është për ata të akuzuar që nuk kanë mundësi financiare për t’a siguruar mbrojtjen, e jo për ata që nuk i kanë shfrytëzuar kapacitetet vetanake financiare.

Dhe në fund të them se, mbrojtja më e mirë e të akuzuarve të Hagës, është pafajsia dhe pastërtia e tyre, mirëpo angazhimi i një armate të avokatëve më eminent, jep dyshime?!” – përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat