Vendimi diskriminues që Serbia mori ndaj KKSH-së, kërkohet reagim nga ndërkombëtarët: Po dëmtohen shqiptarët e Luginës!

Politika

Vendimi diskriminues që Serbia mori ndaj KKSH-së, kërkohet reagim nga ndërkombëtarët: Po dëmtohen shqiptarët e Luginës!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 15 shkurt 2024 Në ora: 20:31
Foto ilustrim

Derisa Kosova është në qendër të kritikave për vendimet e saj që prekin komunitetin serb në vendin tonë, Serbia në “heshtje” e zvogëloi buxhetin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë për 8 mijë euro, pavarësisht se ka numër më të madh të popullsisë.

Për këtë vendim foli edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Nevzad Lutfiu, duke potencuar se kjo gjë e vështirëson ‘mbijetesën’ e këtij Këshilli.

Me vendimin që morën, buxheti jo që rritet por zvogëlohet për diku 8 mijë euro, që do të thotë se e vështirëson jashtëzakonisht funksionimin e Këshillit”, ka thënë ai.

Lutfiu thotë se në vitin e kaluar i kanë marrë mbi 130 mijë euro buxhet vjetor.

E këtë herë, nuk e kanë marrë parasysh kriterin e popullsisë.

“Në vitin e kaluar i kemi marrë 15 milionë dinarë, që i bie mbi 130 mijë euro. Regjistrimi i fundit ka dalë që janë diku mbi 100 mijë edhe pse enti i statistikave ka dalë me një numër të ri, por edhe me numrin e statistikave që i ka enti, buxheti është dashur që prapë të dalë me një rritje të ndjeshme, por në këtë vit nuk e kanë marrë parasysh”, u shpreh ai.

Si duket, shteti serb përmes zvogëlimit të financave po synon ta “ndalojë” në njëfarë mënyre punën e përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës, e kjo gjë nuk është se ka nxitur shumë reagime.

Madje, nuk është parë ndonjë reagim i fuqishëm.

Arifi: Vendim diskriminues ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e veçmas ndaj KNSH-së

E për këtë çështje foli në një prononcim për “Bota sot”, kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi.

Së pari, ai tha se ky vendim është shumë diskriminues ndaj shqiptarëve, dhe se buxheti do duhej të dyfishohej e jo të zvogëlohet.

Image
Nagip Arifi.

“Sa i përket vendimit të Qeverisë së Republikës së Serbisë, përkatësisht Ministrisë për Pakica rreth ndarjes së mjeteve për Këshillin Kombëtar Shqiptar mendoj se është një vendim diskriminues ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e veçmas ndaj KKSH-së. Në vitin 2022 ka pasur regjistrim të popullsisë në Serbi, rezultatet e së cilës janë shpallur në vitin 2023, dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar me këtë regjistrim do duhej t'i kishte 29 keshilltarë e jo 15 sa ka tash, dhe se buxheti është dashur të dyfishohet, e jo të zvogëlohet”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Arifi tha se shteti serb po vazhdon t’i diskriminojë shqiptarët, derisa bëri të ditur se janë njoftuar edhe akterët ndërkombëtarë.

“Duke pasur parasysh numrin e popullsisë shqiptare në Serbi, del se Beogradi po vazhdon me politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Sa i përket pyetjes se a janë të njoftuara faktorët ndërkombëtar rreth këtij vendimi, së pari është njoftuar misioni i OSBE-së në Beograd dhe ambasadat tjera relevante, por edhe Qeveria e Republikës së Kosovës është e njoftuar”.

Ndër të tjera, kryetari i Bujanocit apeloi te qeveritë shqiptare, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, që t’i ndihmojnë më shumë financiarisht shqiptarët e Luginës.

“Mbesim me shpresë se misioni i OSBE-së në Beograd në këtë drejtim do të reflektojë te Qeveria e Serbisë, por edhe te institicionet tjera ndërkombëtare që mos të dëmtohen shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Bëj apel që edhe Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë të kenë një qasje më pozitive në aspektin financiar ndaj shqiptarëve në Luginë”, përfundoi Nagip Arifi për “Bota sot”.

Hasani: Ky është një diskriminim i llojit të vet

Image
Refik Hasani

Ndërsa, profesori nga Presheva, Refik Hasani tha se ky vendim përbën shkelje të të drejtave themelore të njeriut.

“Serbia ka zvogëluar buxhetin vetëm për Këshillin Kombëtar, të pakicës shqiptare në Serbi, kjo përbën shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe atyre kolektive të shqiptarëve, kjo përbën shkelje drastike për gjithë konventatat dhe aktet e Evropës dhe kartës së të drejtave të njeriut.

Kjo është kundër Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të bashkuara më datën 10 dhjetor 1948.

Zvogëlimi i buxhetit vetëm për Këshillin Kombëtar, është në kundërshtim të plotë me konventën për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore Romë, 04. XI.1950 Qeveritë nënshkruese, anëtare të Këshillit të Evropës, ku Serbia është nënshkruese e kësaj konvente dhe gjithë konventave e akteve si të BE-së dhe atyre të OKB-së”, theksoi ai.

Në një bashkëbisedim me “Bota sot”, Hasani tha se ky veprim tregon shumë për kushtetet në të cilat jetojnë shqiptarët në Serbi, derisa përmendi edhe disa nga problemet më të mëdha me të cilat përballen ata.

“Ky është një diskriminim i llojit të vet, ku zvogëlimi i buxhetit  u bë vetëm për Këshillin Kombëtar, ky veprim tregon shumë se ne shqiptarët në Serbi jetojmë në kushte pushtimi klasik, u jemi ekspozuar frikës, urrejtjes, militarizimit, nën tendenca të vazhdueshme për shpërngulje, asimilim e pastrim etnik përmes pasivizimit, zhvendosjes dhe dëbimit, ndalimit e diskriminimit në përdorimin e Gjuhës Shqipe, të simbolit kombëtar, në investime.

Zvogëlimi i buxhetit vetëm për Këshillin Kombëtar, është se ndaj nesh Serbia, vazhdon shkelje, cenim, mohim të së drejtës në përfaqësim proporcional me numrin e banorëve, aktualisht jemi si një ndër rajonet më të pazhvilluara dhe më të diskriminuara në gjithë Evropën, një tretman që ka prekur kufinjtë e segregacionit, racizmit dhe aparteidit”, shpjegoi ai.

Më tej, profesori nga Presheva kërkoi nga shtetet e QUINT-it, BE dhe OKB të merren me këtë çështje, dhe t’i bëjnë presion Serbisë për ta ndaluar diskriminimin që po ua bën shqiptarëve, gjë që sipas tij nuk e kanë bërë tash e sa vite.

“Shtetet e QUINT-it, instanca të BE-së e të OKB-së, do të duhej ngritur çështjen për ndaljen e diskriminimit, pasi asnjëherë nuk kanë kërkuar me ngulm dhe nuk i kanë bërë presion Serbisë pas përfundimit të luftës së UÇPMB-së dhe Marrëveshjes së Konçulit, që Serbia të ndalë diskriminimin.

Për zvogëlimin e buxhetit vetëm për Këshillin Kombëtar, dhe jo vetëm, asnjëherë i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, z.Miroslav Lajçak dhe i deleguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, z.Gabriel Escobar, njëkohësisht zëvëndës-ndihmës i Sekretarit Amerikan, nuk i kanë kërkuar me ngulm dhe nuk i kanë bërë presion Serbisë, të ndal diskrimimin.

Shtetet e QUINT-it, instancat e BE-së e të OKB-së, do të duhej të promovojnë vullnetin e të ndalin diskriminimin, do të duhej të mos mbështesin me dy standarde, sepse në këtë rast mbështesin pakicën serbe në Kosovë, por po harrojnë shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe Krahinën e Snaxhakut, pasi që në vitin 1992 kanë mbajtur dhe organizuar referendum”, përmbylli Refik Hasani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat