Paralajmërim i “frikshëm”: Kosova po armatoset nga ndërkombëtarët, ata kanë informacione për rrezikun që i kanoset

Politika

Paralajmërim i “frikshëm”: Kosova po armatoset nga ndërkombëtarët, ata kanë informacione për rrezikun që i kanoset

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 16 shkurt 2024 Në ora: 11:25
Foto ilustrim

Kosova çdo ditë e më tepër po mobiliozohet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Asnjëherë nuk ka qenë më e armatosur dhe e gatshme në mbrojtje. Derisa kjo po ndodhë, partitë në vend, ato të pozitës dhe opozitës, po bëjnë ‘gara’ se kush ka sjellë armatim më tepër.

Mbledhja e fundit e Komisioni për Siguri ka kaluar me përplasje të deputetëve të pozitës dhe opozitës. Në këtë komision ka raportuar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci i cili për rreth dy orë ka raportuar para deputetëve të partisë në pushtet dhe atyre opozitarë. Maqedonci gjatë prezantimit të vitit të kaluar theksoi se 115 milionë euro janë shpenzuar për armatim. Po ashtu, ai deklaroi se gjatë vitit 2023 janë larguar 221 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Maqedonci është pyetur edhe për ankesat e ushtarëve për kompensim, arritjet e forcës e takimin me Dejona Mihalin.

“Gjatë vitit 2023 gjithsej janë larguar 221 pjesëtarë të FSK-së, duke përfshirë pjesëtarët aktiv, rezervë dhe nëpunës civil, këtu hyn edhe pensionimi i rregullt që janë 59 pjesëtarë. Pensionim jo i rregullt dy civil, pensionim pas arritjes së moshës 14 pjesëtarë, ndërprerje vullnetare të shërbimeve kanë pasur 129 pjesëtarë, ndërprerje vullnetare të shërbimeve rezervë kanë qenë katër, ndërprerje vullnetare të shërbimeve, shkarkim nga shërbimi ka qenë 1, ka humbur statusin e pjesëtarit të FSK-së dy pjesëtare dhe largim nga bordi kemi pasur shtatë”, kishte njoftuar Maqedonci.

Më pas e gjithë mbledhja e këtij komisioni ka vazhduar më debate të ashpra ndërmjet partive të pozitës dhe atyre opozitare.

Elezi: Strukturat sekrete të Rusisë janë shumë të interesuara për eskalimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon

Duke i komentuar këto zhvillime, eksperti i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi në një prononcim për ‘Bota sot’, ka thënë se Kosova po ekspozohet pranë një rreziku serioz, e kjo po bëhet si pasojë e zhvillimeve të fundit përkatësisht raporteve me Serbinë.

Image
Bedri Elezi

“Siҫ kemi thënë edhe në të kaluarën, Kosova realisht është duke u ekspozuar pranë një rreziku serioz të eskalimit të situatës së sigurisë dhe krejt kjo bëhet për shkak të zhvillimeve të fundit politike, qoftë nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilët së fundi morën një vendim, për të cilin Banka Qendrore e Kosovës, ka thënë se valuta serbe, dinari të mos qarkullojë në territorin e Kosovës. Ky vendim sigurisht se ka lëvizur mund të themi serbët lokal të cilët po mbështeten nga Beogradi zyrtar dhe strukturat sekrete serbe, në fakt strukturat sekrete të Rusisë, të cilat po duken se janë shumë të interesuara për eskalimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon, dhe me qëllimin e vetëm për të defokusuar forcat ndërkombëtare të sigurisë nga lufta në Ukrainë si dhe lufta në Lindjen e Mesme”, vlerëson eksperti Elezi.

Tutje ai thotë se, pavarësisht ‘garës’ së pozitës dhe opozita, Kosova po armatoset nga ndërkombëtarët të cilët kanë informacionet e nevojshme që Kosova realisht po rrezikohet nga Serbia.

“Derisa pozita dhe opozita bëjnë gara, rreth asaj se ҫfarë realisht, apo kush ka arritur që të ndihmojë Kosovën drejtë sigurimit të armative të ndryshme, ne jemi të vetëdijshëm që Kosova po armatoset nga partnerët ndërkombëtarë të cilët, kanë informacionet e nevojshme dhe matjet e duhura se Kosova realisht do të rrezikohet nga Serbia, dhe të njëjtit përkundër faktit që Forca e Sigurisë së Kosovës, ishte mund të themi e izoluar sa i përket kësaj, mund të themi se kishte sanksione në armatime të ndryshme”, vlerëson ai.

Po ashtu, eksperti Elezi thotë se,  është e dukshme, që është duke u përgatitur, apo është duke u lejuar furnizimi me armatime të rënda, siҫ ishin dronët, pastaj edhe raketat Javelin dhe të tjera.

“Mund të themi se realisht ne duhet të ngrisim nivelin e sigurisë në vend dhe gjithashtu bashkëpunimin me forcat ndërkombëtare të sigurisë, si dhe vigjilencës sa i përket veriut të Kosovës dhe mundësisë së mos eskalimit të situatës në veriun e Kosovës, përkatësisht në katër komunat me shumicë serbe, si dhe në mundësinë që të kemi agresion, sikur rasti i 24 shtatorit 2023”, thekson ai.

Mehmeti: Kosova nuk guxon të ngelet prapa, përkundrazi duhet të armatoset ҫdo ditë

Image
Faton Mehmeti

Po ashtu, për të këtë temë ka folur edhe njohësi i ҫështjeve politike, Faton Mehmeti. Ai thotë se fatkeqësisht po bëhet politikë edhe në mbrojtje të vendit, siguria e vendit duhet të jetë prioritet dhe mbi ҫdo gjë.

“Në këtë kuptim është e turpshme që opozita bën politikë më armatim duke u munduar të përfitojë, e duke harruar se interesi nacional nuk guxon të cenohet për asgjë tjetër. Gjithsesi, besoj se armatimi duhet të vazhdojë, Serbia s’ka besë dhe vendi nuk guxon të lihet në mëshirë të fqinjëve. Derisa vendet tjera po përgatitën, edhe Kosova nuk guxon të ngelet prapa, përkundrazi duhet të armatoset ҫdo ditë”, vlerëson Mehmeti për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat