16 vjet shtet/ Shekulli 21 - shekulli i shqiptarëve, Kosova e lirë dhe e pavarur e arritur e jashtëzakonshme!

Politika

16 vjet shtet/ Shekulli 21 - shekulli i shqiptarëve, Kosova e lirë dhe e pavarur e arritur e jashtëzakonshme!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 17 shkurt 2024 Në ora: 16:33
Flamuri i Kosovës

Sot (e shtunë 17 shkurt), Kosova feston 16 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Nuk ishte aspak e lehtë për t’u finalizuar kjo arritje. Shqiptarët për shekuj me radhë ishin shënjestra e agresorëve.

Pas çlirimit nga regjimi kriminal serb në qershor të vitit 1999, përpjekjet e Kosovës ishin të pandalshme drejt formimit të shtetit të pavarur dhe demokratik.

17 shkurti është data më e rëndësishme e më domethënëse e Kosovës së pasluftës.

Pas shumë sakrificave, vuajtjeve e torturave të shkaktuara nga Serbia, më 17 shkurt të vitit 2008 u realizua ëndrra e kamotshme për pavarësi që do t’i hapte rrugën të ardhmes së ndritur.   

Kjo festë bartë me vete edhe një dhembje për të gjithë ata që dhanë jetën për liri dhe kontribuuan në realizimin e kësaj ëndrre.

Rugova: Shekulli 21 mund të quhet shekulli i shqiptarëve

Image
Naser Rugova

Analisti dhe ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naser Rugova vlerëson se kjo datë është një e arritur e madhe për të gjithë shqiptarët.

Sipas tij, janë shumë personalitete që punuan ndër breza dhe pa dyshim se ata meritojnë më shumë dhe duhet njohur sakrifica, mundi dhe vizioni i tyre që u kurorëzua me 17 shkurt 2008.

“17 shkurti 2008 është e arritura më e madhe e shqiptarëve që nga 28 nëntori i vitit 1912. Kosova e lirë dhe e pavarur është e arritur e jashtëzakonshme, dhe me të drejtë shekulli 21 mund të quhet shekulli i shqiptarëve. Kjo datë historike u arrit pas shumë përpjekjeve të popullit tonë, vuajtje, dhunë, okupim, luftëra dhe mijëra viktima që kulmuan me liri dhe shtet.

Vlerësoj se shteti, institucionet dhe qarku akademik duhet të vlerësojë dhe të ju jap vendin e merituar personaliteteve të shumtë ndër breza që punuan, luftuan dhe trasuan rrugën për lirinë dhe shtetin që gëzojmë sot. Pa dyshim që ata meritojnë më shumë dhe duhet njohur sakrifica, mundi dhe vizioni i tyre që u kurorëzua me 17 shkurt 2008”, shprehet ai.

Maraj: Vlera Historike e 17 Shkurtit

Kurse analisti Milazim Maraj thotë se para kësaj date kemi edhe një tjetër kur Kosova shpalli Pavarësinë e saj.

Image
Milazim Maraj

Sipas tij, njëra është me 2 Korrik të vitit 1990, pastaj edhe 7 shtatori u shpall kushtetuta e Kosovës në Kaçanik.

“Çka ta quajmë këtë ditë? Dita e ri shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Apo dita e shpalljes së Republikës së Kosovës? Më 2 Korrik të vitit 1990 u shpall Pavarësia e Kosovës para dyerve të Parlamentit të Kosovës. Më këtë deklaratë të deputetëve shqiptarë të rrethuar me polici të Jugosllavisë, jo për të i mbrojtur por për të penguar shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Këtë ditë populli shqiptarë i Kosovës kishin rrethuar ndërtesën e parlamentit të Kosovës, dhe pas rrethit të qytetarëve civil ishte rrethi tjetër më policinë e Jugosllavisë të blinduar, që nuk qenë të sigurt të ndërhynin për të penguar këtë akt që tregonte vullnetin e popullit të Kosovës, nga se policia shqiptare e Kosovës ishin ende të armatosur. Pas kësaj date ndodhi edhe 7 shtatori u shpall kushtetuta e Kosovës në Kaçanik. Kjo ditë njihet si dita e shpalljes së Kushtetutës së Kosovës. Mbi këto dy data u ndërtua shteti i Kosovës nën okupim.

U ndërtua Qeveria e Kosovës, me organet të saj që funksionojë deri në vitin 1999.

Por kjo shpallje nuk ishte njohtë nga shtetet tjera përveç Shqipërisë, që e njohu në Parlament”, thotë ai.

Kurse, ai thotë se me 17 shkurt 2008 ishte data që hyri në histori dhe vendi ynë u njoh tashmë nga 116 shtete të botës.

Ai gjen edhe kritika për këtë duke thënë se kemi një flamur që nuk që i kënaqi shqiptarët nga se nuk kishte asnjë shenjë që përfaqëson kombin tonë, po ashtu edhe një himn që nuk ka tekst!

 “Për herë të dytë Pavarësia e Kosovës u shpallë më 17 Shkurt të vitit 2008. Pa pengesa nga jashtë, si dhe pa pengesa nga ata që e kishin shpallë më parë. Kjo ditë historike për Republikën e Kosovës me të mirat dhe të metat e saj festohet edhe sot dhe do të festohet për gjithmonë. Deri më 4 shtator 2020 Kosovën e njohën 116 shtete nga 193 shtete. Ishte gëzim i madh për këtë akt. Por Flamuri i Kosovës nuk ishte ai që i kënaqi shqiptarët nga se nuk kishte asnjë shenjë që përfaqëson kombin tonë. Himni kombëtar i Kosovës u aprovua pa tekst, vetëm më muzikë. Ata “patriotët” që e dogjën flamurin e Dardanisë heshtën, jo pse ju pëlqeu për e kishin kapërdirë gjuhën e vet. As Himni kur ka ra kushtrimi në Kosovë nuk u pranua ai i zëvendësua vetëm me tinguj pa ndonjë tekst dhe pa domethënie. Kaloi edhe kjo me ngushëllimin se kemi punë më të rëndësishme”, shprehet ai.

Më tej, Maraj përmend edhe siç thotë ai degradimin për orekse të subjekteve të krijuara pas lufte që vetën e quanin “subjekte të dala nga lufta”, duke mos harruar gjithashtu as vrasjet që u bënë në Kosovën e pasluftës e që nuk u zbuluan kurrë.

“Uniteti i popullit shqiptarë po degradohej çuditërisht, tani për orekse të ulëta të subjekteve të krijuara pas lufte që vetën e quanin “subjekte të dala nga lufta”. Pas lufte shqiptarët u kthyen nga rruga e përgjakshme më gjakun e tyre, në gërmadha të shtëpive të tyre të djegura nga Serbia. Ata nuk pritën që vendi të pastrohej nga minat serbe. U kthyen të lumtur përkundër humbjeve që kishin pas në anëtarë të familjes dhe në atë që e kishin krijuar e trashëguar më shekuj. Por gazin e tyre të përlotur e ndërprenë vrasjet e pas luftës. Vrasje këto që nuk u zbuluan kurrë. Nuk i zbuloj as UNMIKU, as Eulexi as shteti jonë pas shpalljes së pavarësisë. Ajo që ndodhi më vonë ishte edhe më e dhimbshme dhe e turpshme ishte e tmerrshme dhe si dukët vrau shpresën shqiptare. Zyrat e dëshmive u vodhën duke qenë policia jonë këtu. Njerëzit që kryen këtë akt kriminal nuk u gjetën kurrë. Nuk u gjetën as dëshmitë për krime të luftës dhe pas luftës. Vitin që shkoi u dogjën edhe zyrat e mjekësisë ligjore. Kriminelet e luftës nuk u dënuan ajo që është edhe më e keqe ata që rrihnin gjoks që na e pruan lirinë filluan bashkëpunimin më Serbinë, pikërisht më strukturat kriminale të saj. U lidhën në biznese të pista, në dëme të popullit të vet Organet e drejtësisë sillën të përgjumura. Luftëtarët që sakrifikuan shumë, për lirinë e Kosovës u nënçmuan pas lufte. Ata u kushtëzuan të jenë klient të komandantëve të tyre ose do të mbesin jashtë kujdesit të këtyre subjekteve të strukturuara. Numri i dëshmorëve u rrit pas lufte, ata që ishin martirë të vrarë nga kriminelet serb pa armë dhe mundësi të mbrohen u shpallën dëshmorë. Tani është vështirë të ngritët padi ndaj Serbisë për vrasje të qytetarëve të pa armatosur. Veteranët e luftës u nënçmuan, shumë, u lanë pas dore madje subjektet e “dala nga lufta” ngritën këtë numër me klientët e vet tani për vota. Mbi 60 veteran luftëtare të devotshëm për lirinë e Kosovës bënë vetëvrasje disa vite pas lufte, duke mos përballuar kërkesat e familjeve të tyre në Kosovën e lirë. Për ata Shteti  jonë i Pavarur e Sovran u kujdes vetëm për ceremoninë e varrimit të tyre me nderim ushtarake. Fëmijët e tyre nuk u punësuan. Shumë nga këta morën rrugën e kurbetit për të siguruar bukën diku në Evropë, por edhe atje të keqpërdorur nga matrapazët që “sigurojnë viza, dhe që sigurojnë punë më interes në kurriz të tyre”, shprehet ai.

Në fund thotë se nëse i analizojmë të gjitha mangësitë e Kosovës, del se nuk është respektuar kjo sakrificë e popullit dhe luftëtareve.

Por, ai uron festën duke shpresuar për punë më shumë për të ndërruar gjendjen për të mirë.                                                                                         

“Nuk është respektuar kjo sakrificë e popullit dhe luftëtareve. Luftëtari i Kosovës nuk mund të krenohet me kontributin e tij në luftë. Veteranët e arsimit nuk mund të kënaqën më ardhmërinë e nxënësve të vet dhe gjendjen e tyre që nuk po përmirësohet që nga pas lufta. Urime dita e Pavarësisë të qytetarëve të Kosovës. Shpresojmë dhe do të punojmë për të ndërruar këtë gjendje për të mirë. Kosova është Shtet i Pavarur”, përfundon ai për “Bota sot”.

Tahiraj: Datë e rëndësishme në historinë tonë sepse u hap rruga që të njihet si shtet nga shtetet e botës demokratike

Veprimtari i njohur, Saim Tahiraj, duke folur për këtë datë të rëndësishme ‘rrugëton’ nëpër histori, duke thënë se para 17 shkurtit 2008 i kemi edhe dy data shumë të rëndësishme për shqiptarët, është ajo 02. Korrikut 990 ku ish Kuvendi i Kosovës e shpallë Deklaratën Kushtetuese dhe Data e 07 shtator 1990 ku Kuvendi i Kosovës në Kaçanik shpalli pavarësinë Republikën e Kosovës.

Image
Veprimtari i njohur, Saim Tahiraj

“Sa herë që vijnë dhe festohen data të rëndësishme historike, festojmë dhe fare nuk kujtojmë rrugëtimin e vështirë, me shumë sakrifica që solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Po të shikojmë dhe analizojmë këtë rrugëtim, të gjatë dhe me shumë sakrifica, 17 Shkurti ku u rishpall, apo rikonfirmua pavarësia e Kosovës, është rezultat i shumë përpjekjeve, veprimeve dhe vendimeve paraprake, të cilat u morën në kohë dhe moment shumë të vështira. Kur festojmë 17 shkurtin detyrimisht duhet të kujtohen dhe vlerësohen lartë këto data Historike:

Data e 02.07.1990 ku ish Kuvendi i Kosovës e shpallë Deklaratën Kushtetuese, Delegatet trima e shpallën para ndërtesës së ish Kuvendit të Kosovës, nën masa të rrepta siguri, të policisë kriminale Jugosllave. Data e 07.09.1990 ku Kuvendi i Kosovës në Kaçanik shpalli pavarësinë Republikën e Kosovës, gjithashtu nën një pushtim klasik Jugosllav.  Data e 26.09.1991, Referendumi për Shtetin e pavarur të Kosovë. Këto janë tri datat Historike që rrumbullakuan infrastrukturën juridike të një legjitimiteti demokratik të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur.

Pastaj në vitin 1992 pasuan zgjedhjet Presidenciale dhe Parlamentare nga të cilat u formuan institucionet e Republikës së Kosovës; Presidenti, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës”, nënvizon ai.

Kurse, sa i përket ditës së Pavarësisë së Kosovës, ai thotë është një datë e rëndësishme në historinë tonë, sepse u hap rruga që të njihet si shtet nga shtetet e botës demokratike.

Ai gjithashtu thekson se nuk duhet harruar asnjëherë ata të cilët kontribuuan deri këtu.

Madje, Tahiraj propozon që Kuvendi i Kosovës të miratojë ligje që të mbrohen figurat tona historike dhe mos të lihen nën mëshirën e fatit, individit apo grupit të caktuar.

“Pra që nga viti 1990 kemi një shtet që vet e kemi shpallur dhe funksionalizuar në vazhdimësi, andaj  është shumë e pandershme të thuhet se Kosova  u shpall me 17 Shkurt 2008-ën, duke i mohuar të gjitha këto përpjekje titanike të popullit tonë për shtet formim dhe shtet ndërtim. Mos ta mohojmë historinë tonë, bartësit kryesorë që na prinë në këtë rrugëtim me shumë sakrifica. Për mos ta mohuar gjithë këtë përpjekje titanike, historinë tonë, duhet të themi se 17 Shkurti është Rishpallja e Pavarësisë së Kosovës. Rishpallja e Republikës së Kosovës me 17.02.2008 është një datë e rëndësishme në historinë tonë sepse u hap rruga që të njihet si shtet nga shtetet e botës demokratike.

Nuk guxojmë që për shkak të egos personale të themi se historia fillon nga unë dhe të mohojmë çdo gjë që të tjerët bënë para nesh. Historia e mirëfilltë duhet të ndërtohet në vazhdimësi duke respektuar dhe shkruar drejt të gjitha epokat e saj. Të vlerësohen dhe të respektohen të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në epokën përkatëse. Në këtë pikë jemi shumë keq, shumë figura të rëndësishme historik të kombit tonë, kanë mbetur pothuajse në harresë nga institucionet tona. Asgjë nuk është bërë për ta, kanë mbetur në mëshirën e individëve apo grupeve të caktuar të cilët kanë kontribuuar që mos të harrohen krejtësisht. Mendoj se është momenti i fundit që Kuvendi i Kosovës të miraton ligje që të mbrohen figurat tona historike dhe mos të lihen nën mëshirën e fatit, individit apo grupit të caktuar. Shembulli më i keq është fyerja e paskurpullt e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit, nga islamistët e tërbuar radikal”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat