Hapi historik i Kosovës për anëtarësimin në KiE ‘godet’ Serbinë: Padia për krimet e luftës nuk është larg!

Politika

Hapi historik i Kosovës për anëtarësimin në KiE ‘godet’ Serbinë: Padia për krimet e luftës nuk është larg!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 30 mars 2024 Në ora: 20:19
Ilustrim

Pas gati një viti, prej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Komiteti i ministrave, ka hedhur në votim këtë aplikim.

Me 2\3 e votave, komiteti ka vendosur që kërkesën për aplikim të Kosovës më KiE, t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për procedura të mëtejme.

Këtë proces, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e ka quajtur hap historik dhe ka thënë se përkundër sfidave që na presin, Kosova në fund do të jetë anëtare e KiE-së.

E hap pozitiv për Kosovën e kanë parë edhe liderët e vendit si dhe ndërkombëtarët.

Është kryesuesi i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Andin Hoti i cili e sheh shumë të rëndësishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE). Sipas tij, ky vendim jep shpresa që Kosova pas anëtarësimit të plotë t’i bëj padi Serbisë për krimet që i ka bërë në Kosovë.

Madje ai ka thënë se anëtarësimi në KiE i hap rrugën shtetit të Kosovës që t’i bëjë padi Serbisë, në veçanti për personat e zhdukur dhe për informacionet që po i kërkojnë e nuk po i marrin nga Serbia.

Hoti ka thënë se me anëtarësimin e plotë të Kosovës në KiE, Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit i jepet e drejta që të përdorën instancat ligjore. Ai tutje tregoi se deri tani janë bërë mbi 2800 gërmime dhe ende janë edhe 1598 persona të zhdukur.

“Gërmimet bëhen kryesisht në bazë të informacioneve që i marrim prej qytetarëve dhe formave tjera, edhe ndoshta ndonjë aty-këtu prej informacioneve tërthorazi që i marrim prej Serbisë”, ka thënë Hoti.

Burjani: Për krime lufte duhet të përgatitet një dosje voluminoze për të dëshmuar gjenocidin serb

Image
Blerim Burjani

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani. Ai u shpreh se një padi e tillë mund të bëhet mirëpo, që duhet të përgatitet një dosje voluminoze për të dëshmuar gjenocidin serb.

“Po kjo mund të jetë e mundshme po sikur në Gjykatën Ndërkombëtare për Drejtësi, kjo varet më së shumti nga faktet që paraqiten në këtë Gjykatë në Strasburg pas anëtarësimit në KiE. Mendoj që në krimet serbe individuale mund të provohet apo vërtetohet fajësia, për krime lufte duhet të përgatitet një dosje voluminoze për të dëshmuar gjenocidin serb, kundër popullates shqiptare në Kosovë”, u shpreh ai.

Më tej, juristi theksoi që përpjekjet duhet të bëhen që një padi e tillë të realizohet.

“Tash është në “duart” e Kosovës se a do të padisë Serbinë? Deri më sot kjo nuk ka ndodhur! Përpjekjet duhet të bëhen, tash se si do të ndodhë procesi më tutje duhet të shihet”, foli Burjani për “Bota sot”.

Duhanaj: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës, është një hap i madh dhe tejet i rëndësishëm në procesin e integrimit europian

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, përkrah mendimin e Hotit duke u shprehur që padia mund të bëhet.

Derisa tha se, anëtarësimi i KiE hap edhe shumë procese të tjera drejtë integrimit në Bashkimin Europian.

“Anëtarësimi i Kosovls në Këshillin e Europës, është një hap i madh dhe tejet i rëndësishëm në procesin e integrimit Europian. Me anëtarësim në Këshill të Europës, Kosova, jo vetëm që do të mund të ngrejë padi ndaj Serbisë për krimet e luftës, por edhe për shumë procese të tjera drejtë integrimit në Bashkimin Europian. Kosova do të jetë kyçur drejtpërdrejtë, me mundësi të plota për të mbrojtur e promovuar trashëgimitë e saja dhe nuk do të mbetet spektatore pa mundësi ndikim”, tha ai.

Në fund, analisti shtoi që Kosova ka bërë tashmë hapa të rëndësishëm në ketë drejtim dhe se sipas të gjitha gjasave edhe anëtarësimi i plotë do të ndodhë shumë shpejt.

“Prandaj është e rëndësishme se në ketë pikë por edhe në tjera, kur në pyetje është interesi i përgjithshëm dhe integrues i vendit, skena politike të flasë me një gjuhë të përbashkët, në mënyrë që ta kemi me të lehtë ketë rrugëtim. Besoj që Kosova ka bërë tashmë hapa të rëndësishëm në ketë drejtim dhe se sipas të gjitha gjasave edhe anëtarësimi i plotë do të ndodhë shumë shpejt, gjë që do të na hapë rrugë dhe mundësi të reja për kauzat tona shtetërore e kombëtare”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat