Punëtorët teknikë të Prishtinës kërcënojnë me grevë të përgjithshme

Prishtina

Punëtorët teknikë të Prishtinës kërcënojnë me grevë të përgjithshme

Më: 17 prill 2019 Në ora: 12:22
Pamje nga protesta

Punëtorët teknikë të disa shkollave të Prishtinës, punëtorët e sigurimit dhe të Qendrave Mjekësore e Familjare të Prishtinës të përkrahur nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat kanë protestuar para komunës.

Ata paralajmëruan nga java e ardhme edhe greva nëse komuna nuk ndërmerr ndonjë veprim në drejtim të plotësimit të kërkesave të tyre.

Këta punëtorë po kërkojnë të kthehen nën menaxhim të komunës së Prishtinës dhe pagesën e 4 për qindëshit.

"Ndal diskriminimin e punëtorëve në sektorin privat", "Paguaj borxhin", "Respekto ligjin na kthe nën menaxhim të komunës", ishin vetëm disa nga kërkesat përmes parullave që po i kërkonin këta punëtorë.

Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi tha se për herë të fundit kanë dalë t'ia tërheqin vërejtjen udhëheqësve të Prishtinës që t'i zbatojë qëndrimet e veta. Përkundër nënshkrimeve të marrëveshjeve për pagesë e katër përqindëshit dhe kthimin nën menaxhim të komunës për punëtorët teknikë, Azemi tha se asnjë veprim nuk e ka ndërmarrë komuna.

Kryesindikalisti i Sektorit Privat ka paralajmëruar grevë të përgjithshme nga java tjetër.

Azemi: Nga java e ardhshme në grevë

"Pse kryetari i komunës së Prishtinë premton, nënshkruan dhe nuk e realizon. Neve në takimin e fundit na është premtuar që vetëm tri ditë dhe do të përfundojë ky proces tani kemi shkuar më shumë se tre ditë dhe kryetari i komunës nuk kthen datës e pagesës të katër përqindëshit dhe nuk kthen përgjigje për datën e kthimit të këtyre punëtorëve nën menaxhim komunal... Ne me kolegët dhe udhëheqjen e shoqatës do të vendosim se kur do të futemi në grevë të përgjithshme duke kërkuar falje nga prindërit e nxënësve dhe nxënësit që do të mbesin pa shërbime... Nuk besoj që do të shkojë java dhe ne në javën tjetër do të jemi në grevë të përgjithshme", shpreh Azemi.

Emine Sahiti, punëtor në Qendër të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, tha se së këta punëtorë janë të diskriminuar dhe të shkelur plotësisht, dhe duke mos pasur rrugë dalje tjetër po vazhdojnë ta bëjnë ende këtë punë.

Sahiti tha se kanë presion në mënyrë indirekte që mos të bëjnë greva dhe protesta.

Sahiti: Kemi presion për t'i kërkuar të drejtat tona

"Nuk na paguhen as festat, nuk na paguhen dy kujdestari që na bien brenda një muaji, kur shkelen të drejtat nga lartë, shkelen të drejtat zinxhirë edhe nga poshtë në njëfarë mënyre je i shkelur në të gjitha format. Është edhe tjetra që na kanë dhënë premtime që një vit se do të kthehemi nën menaxhim të komunës siç kemi qenë më herët dhe tani ka fjalë se jo nuk është përgjegjësi e komunës a këto premtime i kemi marr nga komuna...Nuk po e kanë aspak të lehtë as punëtorët të dalin për të shprehur të drejtën e tyre, sepse në njëfarë forme jo të drejtpërdrejtë, por në mënyrë të tërthortë po bëhen presione nuk mund të bëjnë grevë dhe protesta në mënyrë të lirshme", u shpreh ajo.

Ismet Vllasaliu, punëtor në shkollën fillore "Dardania", tha se komuna e Prishtinës në krye me Shpend Ahmeti është duke bërë keqpërdorim. Sipas tij mos realizimi i 4 për qindëshit të premtuar dhe të qenit ende të privatizuar po ndikon negativisht edhe në gjendjen ekonomike të familjes së tij.

Vllasaliu: Kjo gjendje po ndikon negativisht edhe në ekonomin time familjare

"Në gjendjen tonë ekonomike kjo ndikon negativisht se ne nuk i marrim pagat siç i marrin kolegët tanë, në shkollat tona kemi dy privat, dy në të shtetit kjo nuk ekziston në botë. Por në komunë të Prishtinës ekziston kjo edhe kjo është një keqpërdorim komunal, mua ma merr mendja prej vetë Shpend Ahmetit dhe personave të tjerë prokurori e këto. Nuk e quaj privatizim, kjo për mua është keqpërdorim", tha ai.

Ndryshe, muaj më parë punëtorët teknikë të shkollave dhe qendra mjekësore të Komunës së Prishtinës kanë protestuar me kërkesa të njëjtë dhe po ashtu kanë mbajtur grevë një ditore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat