Disa lagje të Prishtinës në mëngjesin e së dielës kanë mbetur pa ujë.
Kjo si pasojë e shpërthimit të një gypi në rrjetin e ujësjellësit në rrugën “Luan Haradinaj” dhe “Kosta Novakovic” në kryeqytet.
Me mungesë të ujit, qytetarët e Prishtinës do të duhet të përballen deri në ora 18:00. Kështu të paktën ka bërë të ditur për mediat vendore zëdhënësja e Ujësjellësit, Arjeta Mjeku.
Kjo sipas Mjekut, për shkak të diametrit të gypit dhe të pozicionit ku ka pëlcitur.
Mjeku ka shpalosur edhe detaje të tjera lidhur me pëlcitjen e gypuit.
“Në orën 05.00 të mëngjesit të ditës së sotme ka ndodhë një pëlcitje e tubit AC me diametër DN 300 milimetra në rrugën ‘Luan Haradinaj’ dhe ‘Kosta Novakovic’ në Prishtinë. Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit me të marrë informatën, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes për të sanuar defektin i cili ka ndodhë papritur. Për shkak të natyrës së defektit, diametrit të tubit dhe pozicionit ku ka pëlcit , ndërprerja e ujit paralelisht me sanimin e defektit do të zgjasë deri sot në orën 18.00. Pa ujë janë zonat përreth pëlcitjes së tubit. Ekipet teknike janë duke bërë të pamundurën që sanimi të kryhet mirë e shpejtë. Kërkojmë mirëkuptim për defektin e ndodhur pa paralajmërim”, ka thënë Mjeku.