INPO: Komuna e Prishtinës për gjashtë muaj shpenzon vetëm 9.89% të buxhetit për investime kapitale - Bota Sot
INPO: Komuna e Prishtinës për gjashtë muaj shpenzon vetëm 9.89% të buxhetit për investime kapitale

Prishtina

INPO: Komuna e Prishtinës për gjashtë muaj shpenzon vetëm 9.89% të buxhetit për investime kapitale

Më: 31 korrik 2019 Në ora: 15:42
Foto ilustrim

Organizata INPO përmes një komunikate për media thotë se është e shqetësuar lidhur me siç thuhet në komunikatë, paaftësinë kronike të komunës së Prishtinës në realizimin e buxhetit për projekte kapitale.

Kuvendi komunal i Prishtinës në mbledhjen e shtatë ka pasur në rend dite diskutimin për raportin financiar janar-qershor 2019, raport i cili pasqyron defektet kronike të kësaj komune lidhur me shpenzimet e buxhetit për projekte kapitale. Nga 147 projekte kapitale që kanë të planifikuara drejtoritë komunale, realizimi ka filluar vetëm në 44 nga to apo 29.93%. Gjendje më e rëndë dhe e cila kërkon veprime urgjente është Drejtoria e investimeve kapitale e cila nga 33 projekte ka filluar ti realizoj vetëm gjashtë projekte. Kujtojmë që kategoria e investimeve kapitale është duke shënuar regres të vazhdueshëm e cila në vitin që lamë pas theu të gjitha rekordet negative ku buxheti i shpenzuar ishte vetëm 43%, ndërsa me këtë ritëm këtë vit gjendja do të jetë edhe më e rëndë duke marr parasysh që për gjashtë muaj për këtë kategori është shpenzuar buxheti vetëm 9.89%. Përkundër rekomandimeve të vazhdueshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe reagimeve të Organizata INPO, komuna nuk po dëshmon aftësi të kapërcimit të kësaj gjendje, përkundrazi po vazhdon trendi negativ.

Shqetësues mbetet fakti që udhëheqësit komunal, kryetari dhe dy zëvendëskryetarët  nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e kuvendit duke dëshmuar edhe njëherë që problemet vitale të komunës së Prishtinës nuk janë në listën e prioriteteve të tyre. Gjithashtu është për të ardhur keq edhe mos vullneti i anëtarëve të kuvendit komunal për të dhënë kontribut dhe për ta ushtruar ndikimin e tyre që raportet e ardhshme të jenë më pozitive në të ardhmen. Nga 51 anëtarë sa ka kuvendi, vetëm shtatë prej tyre diskutuar lidhur me raportin financiar, madje gjashtë nga ta ishin pjesë e partive opozitare.

Raporti financiar për këtë periudhë kohore pasqyron faktin që të gjitha drejtoritë janë duke u përballur me probleme serioze në shpenzimet e buxhetit për projekte kapitale. Drejtoria e administratës nga pesëmbëdhjetë projekte kapitale të planifikuara ka filluar ti zbatoj vetëm pesë, Drejtoria e parqeve si një drejtori e krijuar për ti dhënë rëndësi hapësirave të gjelbërta në Komunën e Prishtinës, nga tetë projekte kapitale ka filluar ti zbatoj vetëm tri. Kjo dëshmon që  drejtoria në fjalë ka defekte në planifikim dhe menaxhim duke pasur parasysh nevojat e jashtëzakonshme për investime në këtë fushë. Drejtoria e infrastrukturës nga njëzetepesë projekte kapitale ka filluar zbatimin e vetëm gjashtë projekteve, Drejtoria e bujqësisë ka vetëm një projekt kapital dhe për këtë gjashtëmujor nuk ka bërë asnjë shumë në kuadër të realizimit të projektit, pra shpenzimet janë 0.00%. Drejtoria e zhvillimit ekonomik përkundër rëndësisë esenciale që ka nga njëmbëdhjetë projekte të planifikuara vetëm një e ka filluar dhe ka arritur të shpenzoj vetëm 3.68% të buxhetit. Drejtoria e Planifikimit dhe inspeksionit i kanë të planifikuara shtatë projekte dhe për gjashtë muaj nuk kanë shpenzuar asnjë mjet nga 303,000.00 € sa kanë në dispozicion. Drejtoria e shëndetësisë nga njëmbëdhjetë projekte të planifikuara i ka filluar vetëm gjashtë, Drejtoria e shërbimeve sociale nga dy projekte që ka nuk ka filluar të zbatoj asnjë projekt kapital, Drejtoria e kulturës  nga shtatëmbëdhjetë projekte të planifikuara ka filluar zbatimin në vetëm shtatë projekte, Drejtoria e sportit të planifikuara ka dy projekte, ndërsa ka arritur të filloj vetëm njërin projekt dhe Drejtoria e arsimit ka të planifikuara pesëmbëdhjetë projekte kapitale, ndërsa ka filluar zbatimin në nëntë projekte.

Pra, pothuajse në të gjitha drejtoritë e komunës së Prishtinës trendi i rënies së zbatimit të buxhetit për investime kapitale është evident dhe nëse nuk merren masa të menjëhershme gjasat janë që shumica e projekteve kapitale të mos mund të realizohen gjatë vitit 2019, ndërsa nevojat e komunës, respektivisht qytetarëve për këto investime janë të jashtëzakonshme.

Andaj, INPO i bënë thirrje ekzekutivit të komunës së Prishtinës që urgjentisht të identifikoj faktorët e këtij trendi negativ të realizimit të projekteve kapitale dhe në të njëjtën kohë të marr masa adekuate dhe të menjëhershme sepse qytetarët po përballen me nevoja elementare si pasojë e moszbatimit të projekteve me kohë, ndërsa komuna ka luksin të bartë nga viti në vit miliona euro.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...