Ahmeti flet për ndotjen e ajrit: Problem metodat alternative të ngrohjes - Bota Sot
Ahmeti flet për ndotjen e ajrit: Problem metodat alternative të ngrohjes

Prishtina

Ahmeti flet për ndotjen e ajrit: Problem metodat alternative të ngrohjes

Më: 9 dhjetor 2019 Në ora: 14:52
Shpend Ahmeti

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një statusi në Facebook, shkroi siç tha ai për të informuar në lidhje me ndotjen e ajrit, për shkaqet edhe për analizat e veprimet që kanë ndërmarrë e që kërkon edhe nga të tjerët t’i ndërmarrin.

Sipas tij, analizat dhe raportet të përpiluara edhe nga ekspertë vendorë edhe nga të huaj tregojnë për disa shkaqe të ndotjes së ajrit të cilat janë të ngjashme me plotë qytete të tjera. Ajo çka është më akute është situata gjatë dimrit kur gjendja përkeqësohet.

“Atëherë vërejmë se ka një korrelacion direkt ose ndikim direkt të disa parametrave me ndotjen e ajrit. Ka korrelacion negativ të temperaturës, pra kur ka rënie të temperaturës ka ngritje të ndotjes. Ka korrelacion pozitiv me lagështinë e ajrit, pra kur lagështia e ajrit është e lartë rriten vlerat e grimcave 2.5 si dhe ka korrelacion pozitiv edhe me shtypjen atmosferike. Këto dy të fundit janë të kuptueshme, me lagështi grimcat janë më të rënda dhe rrinë më afër tokës, dhe po ashtu shtypja ka ndikim që grimcat të qëndrojnë më afër tokës”, shkroi Ahmeti.

Sipas tij, kjo e temperaturës është e qartë që kemi të bëjmë me burimet e ngrohjes, pra përdorimin e drunjve dhe edhe më keq qymyrit në lagje të banimit individual në qytet e këtu për Ahmetin duhet ta kuptojmë edhe arsyen se pse ka ndodh rritja e përdorimit të qymyrit në disa pjesë të qytetit.

“Qe disa vite, KEDS ka filluar të luftojë informalitetin apo humbjet në rrjet duke pretenduar se ka pas lagje që kanë pas më shumë se 60 përqind humbje në rrjet. Sipas tyre, qytetarët kanë përdor rrymën për ngrohje për shkak se një pjesë e konsiderueshme nuk e kanë paguar. Me largimin e orëve nga shtëpitë, qytetarët janë detyruar të kalojnë në metoda alternative/më të lira të ngrohjes. Edhe çmimi i drunjve është rritur, ndërsa qymyri është shumë më i lirë krahasuar me metodat tjera”, vijoi Ahmeti.

Sa i përket masave, Ahmeti përmendi masat afatshkurta dhe afatmesme.

“Masat afatmesme janë prioritet i komunës. Kemi nisur projektin më të madhin në Ballkan për ngrohje qëndrore me panele solare, për t’i lidhur lagjet Tophane, Medrese, Kodra e Trimave, Kolovice dhe te tjera. Ky projekt në vlerë rreth 45 milionë euro duhet të kompletohet brenda 4 viteve. Po ashtu po vazhdojmë me zgjerimin e rrjetit dhe dyfishimin e kogjenerimit për t’i kyçur krejt ndërtesat kolektive. Investimi i përgjithshëm është rreth 70 milionë euro, dhe një pjesë e konsiderueshme janë siguruar si grante dhe si kredi”, tha Ahmeti.

Si masë afatshkurtë, ai tha se do të ishte ndalimi i qymyrit për ngrohje, por kjo nuk mund të bëhet përmes inspektimit individual të shtëpive pasi është e pamundur.

“Kjo mund të ndalet vetëm në burim nga niveli qendror – qeveria. Pra të ndalohet mihja e qymyrit që përfundon në treg si dhe të ndalohet importi për ngrohje individuale që do ta pamundësonte sjelljen e qymyrit në treg. Mirëpo, kjo nuk e merr parasysh faktorin socio-ekonomik dhe në qoftë se nuk përcillet nga subvencionimi i qytetarëve për ngrohje është me pasoja. Pra, qytetarët për shkak të situatës ekonomike kanë zgjedhur këto metoda”, deklaroi kreu i Prishtinës.

Masat e tjera të shpejta për Ahemtin janë pa ndonjë efekt të madh në situatën aktuale.

“Masat e trafikut janë duke u zbatuar dhe edhe gjatë këtij viti me parking, congestion charge dhe masa të tjera do të kemi reduktim të trafikut gjatë vitit. Megjithatë, problemi kryesor mbeten metodat alternative të ngrohjes”, vijoi ai.

Këto ditë, Ahemti deklaroi se po zhvillojmë takime me palë të interesit por edhe vakumi institucional po krijon telashe. “Shpresojmë që sa më shpejtë të kemi mundësinë që me nivelin qendror të koordinojmë masat afatshkurte dhe afatmesme”, përfundoi ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat