Shpend Ahmeti kritikohet se nuk po di ta menaxhojë kuletën e Komunës

Prishtina

Shpend Ahmeti kritikohet se nuk po di ta menaxhojë kuletën e Komunës

Më: 8 shkurt 2020 Në ora: 21:05
Shpend Ahmeti

Për të përmbushur premtimet e dhëna në kuletën e Komunës kishte të gatshme 87 milionë euro. Por 27 milionë nga buxheti i vitit 2019 Shpend Ahmetit i tepruan duke shënuar kështu edhe shifrën më të lartë të bartjeve buxhetore në gjashtë vjetët e mandatit të tij.

Ky fenomen po shihet me shqetësim në Iniciativën për Progres që monitoron punën e ekzekutivit të kryeqytetit.

“Këtë mos shpenzim të investimeve kapitale e kemi quajtur edhe si një lloj paaftësie të organeve komunale të Prishtinës. Ky mos shpenzim është duke u përsëritur për vite me radhë”, thonë në INPO.

E Xhelil Bekteshi i cili nga viti 2002 deri më 2013 u mor me financat e kryeqytetit vlerëson se një gjë e tillë po ndodh për shkak të mungesës së projekteve të mëdha.

“Planifikimi i buxhetit ka dështuar”, tha ai.

Kjo mohohet nga i pari i Prishtinës. Shpend Ahmeti ka një tjetër shpjegim për mjetet e bartura.

“Na mbledhim të hyra vetanake. Na mbledhim tatim edhe në tetor, nëntor dhe dhjetor. Na mund t’i fillojmë procedurat e prokurimit në janar për disa projekte sepse nuk i kemi paratë ende dhe gjithmonë gjatë vitit mbledhim paratë dhe shpallim procedurat e prokurimit”, tha ai.

Bile sipas tij, vitin e kaluar ka pasur përmirësim sa i përket mjeteve të harxhuara.

Më shumë para se më 2019 Komunës së Prishtinës mund t’i teprojnë sivjet, kjo pasi që Ahmeti tha se pa u miratu buxheti shtetëror nuk mund të nisin projektet e reja duke bërë që të kalojnë disa muaj të vitit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat