Koronavirusi në Kosovë – zbrazen rrugët e Prishtinës

Prishtina

Koronavirusi në Kosovë – zbrazen rrugët e Prishtinës

Më: 15 mars 2020 Në ora: 17:13

Tashmë në Kosovë janë konfirmuar 5 raste me koronavirus, e kjo ka bërë që sheshet e kryeqytetit të jenë pothuajse të zbrazëta.

Një numër i vogël i qytetarëve janë parë sot në sheshet kryesore të Prishtinës.

Ata kishin dalë kryesisht për t’u furnizuar me gjëra ushqimore dhe gjëra të tjera.

Në rrugët e kryeqytetit ka gjithashtu një numër të vogël të veturave dhe nuk ka trafik siç ndodh rëndom. Edhe kafenetë dhe restorantet janë të mbyllura në përputhje me vendimet e Qeverisë si masë parandaluese kundër përhapjes së koronavirusit.

Një numër i qytetarëve vazhdojnë të presin në radhë për t’u furnizuar me mjete mbrojtëse në barnatoret e Prishtinës. Ata prapa kamerave thanë për KosovaPress se ka mungesë të dorëzave, maskave dhe dezinfektuesve për duar.

Marketet vazhdojnë të kenë numër të madh të blerësve, të cilët furnizohen me gjëra ush qimore. Disa qytetarë, po ashtu prapa kamerave janë ankuar për mungesë mielli dhe shtrenjtim të artikujve elementarë për jetesë, pavarësisht se Qeveria ka bërë thirrje që të mos ketë abuzim me çmime.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës vazhdojnë apelet drejtuar qytetarëve që të qëndrojnë nëpër shtëpi, si masë e parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Sot gjatë ditës është bërë e ditur se dje janë testuar 13 mostra tjera dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat