E paprecedent: Komuna e Prishtinës njëherë e pranoi shërbimin, pastaj e tenderoi

Prishtina

E paprecedent: Komuna e Prishtinës njëherë e pranoi shërbimin, pastaj e tenderoi

Më: 8 maj 2020 Në ora: 18:46
Komuna e Prishtinës njëherë e pranoi shërbimin, pastaj e tenderoi

Një biznes, por jo shumë i madh ka filluar të gjejë hapësirë në tregun e Kosovës. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin ‘tunel dezinfektues’, i cili po blihet nga komunat në Kosovë për parandalimin e Covid 19. Këtë shërbim po e ofrojnë shumë kompani në vend.

Me një tunel të tillë është furnizuar edhe Komuna e Prishtinës. Ai u vendos në fillim të muajit prill në hyrje të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Por, një rast i paprecedent që ka të bëjë me prokurimin publik ka ndodhur së fundmi nga zyra e prokurimit të Komunës së Prishtinës. Kjo zyrë e prokurimit e ka tenderuar këtë shërbim, pasi e ka pranuar një tunel të tillë.

“Tuneli dezinfektues prej sot është vendosur në oborrin e Qendrës Kryesore për Mjekësi Familjare, pranë tendës së triazhimit, si masë mbrojtëse shtesë për parandalimin e përhapjes së #covid19. Është e punuar në bashkëpunim me kompaninë “Te Pema” dhe ka sistem automatik i cili inicohet porsa të kalohet nëpër të. Përndryshe, vazhdo #rriNshpi #Prishtina””, thuhet në një njoftim të Komunës së Prishtinës të datës 9 prill. Prezent në përurimin e tunelit ishte edhe kryetari, Shpend Ahmeti.

Por, komuna e ka tenderuar disa ditë me vonë këtë shërbim. Me datë 4 maj 2020, prokurimi i Prishtinës e shpalli fitues kompaninë ” TEAM8 ” SH.P.K, që ndryshe njihet edhe si “Te pema”. Vlera e kontratës është 6 mijë euro. Procedura e përdorur në këtë prokurim ka qenë “E negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë”.

Zyra për informim e komunës së Prishtinës nuk ka dashur të përgjigjet lidhur me atë se si ka ndodhur që njëherë të pranohet shërbimi e pastaj të futet në tenderim i njëjti shërbim.

Dion Deva përfaqësues i kompanisë “TEAM8” ka thënë për lajmi.net se janë dakorduar me Komunën që së pari të projektohet, të ndërtojnë dhe të funksionalizohet Tuneli Dezinfektues dhe në fillim të muajit Maj të kryhet pagesa.

“Ne rast të dështimit të projektit ne do ta bartnim koston e ndërtimit. Kjo marrëveshje u bë me idenë se po zhvillohet një projekt i parealizuar më parë. Pasi që projekti përfundoi me sukses Komuna e inicioi procedurën e prokurimit. Transferi ende nuk është kryer por të gjitha procedurat kanë përfunduar, ne “TEAM8” kemi bashkëpunuar edhe në të kaluarën me komunën për projektin “TePema” dhe besoj që pagesa do të kryhet, në të kundërtën ju informojmë”, tha Deva.

Ai tha se shpenzimi i dezinfektuesit është në raport ku për rreth 3000 dezinfektime nevojiten 900 litra dhe se çmimet e dezinfektuesit variojnë prej 2 euro deri ne 15 euro për litër, varësisht nga lloji i dezinfektuesit.

Megjithëkëtë, Komuna e Prishtinës me datë 27 prill e ka lidhur një kontratë të negociuar me kompaninë “Dezinfektimi AD ” SH.P.K për Furnizimi me dezinfektues për Tunelin Dezinfektues, në vlerë prej 450 eurove.

Edhe pse, Deva thotë se është realizuar një projekt i pa realizuar më parë, Komuna e Mitrovicës e kishte vendosur në shesh një tunel të tillë dezinfektues para Prishtinës, por nuk dihet nëse i kanë karakteristikat e njëjta. Ky tunel ishte donacion për Mitrovicën.

Edhe, Komuna e Gjakovës, 5 ditë pas Prishtinës bleu një tunel thuajse të njëjtë nga kompania “Trun Nolen”, por më të lirë, në vlerë prej 4 e 500 euro. Përfaqësuesi i kësaj kompanie tha për lajmi.net se deri më tani Gjakovën e kanë furnizuar me dy tunele nga 4 metra me një kosto prej 9 mijë eurove dhe një tunel më të vogël që ishte gjysmë donacion. Ai tha se tunelet dezinfektues i ka blerë në Gjermani.

Edhe disa komuna tjera janë furnizuar më këso lloj tunelesh, për shembull, Komuna e Lipjanit e ka blerë një, por më të vogël se i Prishtinës dhe Gjakovës, në vlerë prej 3.960 eurove.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat