Nxënësit e klasave të nënta nesër i kthehen mësimit, problematike zbatimi i masave në Prishtinë - Bota Sot
Nxënësit e klasave të nënta nesër i kthehen mësimit, problematike zbatimi i masave në Prishtinë

Prishtina

Nxënësit e klasave të nënta nesër i kthehen mësimit, problematike zbatimi i masave në Prishtinë

Më: 7 qershor 2020 Në ora: 12:09
Shpresa Shala

Nga dita e hënë në bankat e shkollës do kthehen nxënësit e klasave të nënta për mësimin plotësues i cili do vazhdojë për dy javë. E në komunën e Prishtinës thonë se kanë marrë masat dhe janë të gatshëm që t’i respektojnë të gjitha rekomandimet me qëllim të ruajtjes së distancës dhe pastërtisë.

Për dy javë mësim në shkolla do fillojnë nga 15 qershori edhe maturantët.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala në një intervistë për KosovaPress, thotë se në bazë të udhëzimit nga Ministria e Arsimit, nxënësit e një klase duhet të ndahen në dy klasa me qëllim të respektimit të distancës.

Por ajo e sheh problematike zbatimin e kësaj mase.

Shala: Ne do t’i përfillim të gjitha rekomandimet e IKSHP-së

“Ne tashmë e kemi marr udhëzuesin nga ministria e cila na sqaron detajisht se si duhet vazhduar mësimi për këto nivele klasat e nënta dhe dymbëdhjeta. Tek këto kategori ndoshta është pak më vështirë sepse janë më të rritur dhe kemi parë edhe nga përvojat e shteteve të tjera që fëmijët e vegjël kanë qenë më pak të atakuar nga virusi, ndërsa kjo moshë është më e rrezikuar sidomos maturantët dhe menaxhimi për ta mbajtur distancën do jetë kogja problematike konsideroj unë. Por ne do i përfillim të gjitha rekomandimet të cilat na janë dhënë nga ministria e Arsimit. Duhet ndarë klasat në gjysmë nxënës duhet të ketë në klasa aq sa mund të respektohet distanca mes tyre, duhet të sigurohen dezinfektues për nxënës dhe të gjitha sikurse në kopshte ashtu edhe në shkolla. Ne si komunë nga sot kemi filluar ta bëjmë një orarë që nxënësit kur vinë të kenë me orarë për tu përgatitur për lëndët që janë të përfshira në testin e Maturës dhe Arritshmërisë“, u shpreh Shala.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë ka folur edhe për përgatitjet që po bëhen për testin e Arritshmërisë që pritet të mbahet më 23 qershor, si dhe atë të Maturës i cili do mbahet me 4 korrik.

Shala: Do jetë e pamenaxhueshme kontaktet e nxënësve

“Gjithmonë ka qenë praktik që java e fundit për klasat e nënta dhe dymbëdhjeta për të ushtuar për testin e Arritshmërisë dhe Maturës e njëjta gjë do ndodhë edhe tani. Do të përdoret edhe për përfundimin e notave ose eventualisht të pakënaqësisë të ndonjë notës për t’u vlerësuar ndonjë nxënës, por kjo do jetë me fokus të veçantë të lëndve që janë pjesë e testit të Arritshmërisë dhe testit të Maturës...Normal që duhet hapësirë më e madhe për shkak se nxënësit duhet të shpërndahen në më shumë objekte shkollore për shkak të numrit të kufizuar që duhet të jenë në klasa. Për testin e Maturës është e planifikuar që të jenë vetëm 12 nxënës në një klasë dhe nuk besojnë që do jetë problematik organizimi, çështja organizative por do jetë e pamenaxhueshme kontaktet e nxënësve.. ne kemi objekte shkollore të mjaftueshme për nxënësit që do i nënshtrohet testit të Maturës dhe Arritshmërisë“, tha ajo.

Shala ka folur edhe për mësimin online, i cili u realizua për herë të parë në Kosovë pas ndërprerjes së mësimit në shkolla për shkak të përhapjes së COVID19.

Ndonëse nuk pret që nxënësit t’i kthehen shkollave deri në shtator, e para e Arsimit të Prishtinës thekson se mësimi në distancë është më sfidues për shkollat profesionale.

Shala: Nuk besoj që do të nis mësimi në shtator

“Mund të them se mbi 90 përqind të fëmijëve edhe mësimdhënësve janë të kyçur në mësimin online për klasën 1 deri 9 përveç mësimit që bëhet merret nga RTK edhe pjesa tjetër e realizimit është duke u bërë shumë mirë kontaktet e mësimdhënësve me nxënës. Ne si komunë kemi bërë një orar në nivel komunal që përshtatet me oraret e transmetimit në RTK menjëherë kyçen me mësimdhënës në mënyrë që nëse kanë diçka të paqartë ose detyrat e shtëpisë janë duke u bërë edhe vlerësimet...Sipas të gjitha gjasave do jetë shtatori fillimi përveç klasave të nënta dhe dymbëdhjeta nuk besoj që do kthehen sepse mësimi për klasat e dymbëdhjeta veç sa përfunduar, kurse e nënta më 11 i bjen javën e ardhshme nuk besoj që do ketë një kthim për nxënësit tjerë, mirëpo edhe nëse kthehemi dhe ka zero raste do jemi të lumturë të fillojmë punën sepse ka vështirësi dhe sfida të shumta, është diçka që ne për herë të parë po e bëjmë“, theksoi drejtoresha e Arsimit në Prishtinë.

Për shkak të përhapjes së pandemisë COVID19, si masë parandaluese, ish qeveria Kurti më 13 mars ka mbyllur shkollat. Ndërsa, që nga 23 marsi i këtij viti ka filluar mësimi online.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat