Coronavirusi prek 11 lagje të Prishtinës, prinë “Ulpiana” dhe “Kodra e Trimave”

Prishtina

Coronavirusi prek 11 lagje të Prishtinës, prinë “Ulpiana” dhe “Kodra e Trimave”

Më: 11 qershor 2020 Në ora: 14:41
Ilustrim

Prishtina së fundmi është goditur nga Coronavirusi.

Vetëm mbrëmë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) u konfirmuan edhe 13 raste të reja me Coronavirus në këtë qytet, për të çuar kështu numrin e rasteve aktive në 51.

Lidhur me këtë situatw, Bujar Gashi, Drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, ka thënë që numri i të prekurve me Coronavirus në kryeqytet është numër rekord.

“Ditët e fundit Prishtina ka shënuar rekord për sa i përket numrit të rasteve të testuar dhe të mostrave të marra në kujdesin parësorë shëndetësor. Ju e dini që mostrat në Komunën e Prishtinës merren edhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, dhe në tri ditët e fundit, duke përjashtuar ditën e sotme që janë marrë 80 mostra, tre ditët e kaluara kanë qenë me rreth 300 mostra të marra, që në total arrin në 380 mostra”, ka thënë ai.

E pas 115 mostrat e testuar dje, ku 13 persona rezultuan pozitiv me Covid-19, sot pritet të testohen edhe 140 mostra të tjera.

“Dje kemi marrë rezultatet për 115 persona ndërsa presim rezultatet edhe 140 testime tjera të mostrave të marra të ditëve të fundit, duke i shtuar edhe rastet që janë testuar sot, që realisht e qojnë numrin në 220 testime ose mostra të marra në kujdesin parësorë, pa i shtuar numrin e testeve që bëhen në Klinikën Infektive dhe nga ekipet e IKSHPK-së në terren”, ka thënë ai.

Mes personave që do të testohen, sipas Gashit, ka raste kontakti dhe të tillë që kanë shfaqur simptoma të virusit.

“Praktikisht listat që dërgohen nga IKSHPK-ja, janë prej gjurmimeve të kontakteve të rasteve aktive, thuajse të gjitha, ndërsa rastet të cilat mund të testohen në Klinikën Infektive mund të jenë edhe raste sporadike, me vetiniciativë ose për shkak të simptomave që paraqiten te ta dhe ata lajmërohen në Klinikën Infektive për t`u vizituar dhe për t`u testuar”, ka thënë drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë.

Me rastet e shënuara së fundmi, Coronavirusi është shpërndarë në 11 lagje të kryeqytetit. Sipas Bujar Gashit, nga Komuna e Prishtinës, më së shumti të prekur ka në lagjen Ulpiana dhe në Kodrën e Trimave.

“Në përgjithësi janë të përfshira 11 lagje të Prishtinës. Numër më i madh i të infektuarve për nga numri, nga gjithsej 51 raste aktive janë nga lagja Ulpiana, Kodra e Trimave, Dardania, tani kemi edhe në “Kodrën e Diellit”, “Kolovicë”, “Emshir”, “Kalabri”, “Prroi i Njelmtë” dhe lagje të tjera me numër të caktuar si “Mati 1”, e të tjera. Është i përfshirë pothuajse i gjithë qyteti i Prishtinës”, ka theksuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat