Dështon gjykimi ndaj noterit i cili dyshohet se kishte shpallë trashëgimtar nipin e jo fëmijët e trashëgimlënësit

Prishtina

Dështon gjykimi ndaj noterit i cili dyshohet se kishte shpallë trashëgimtar nipin e jo fëmijët e trashëgimlënësit

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 15:12
Pamje nga gjykimi

Ka dështuar të mbahet gjykimi për keqpërdorim detyre dhe mashtrim, ndaj noterit Sinan Visoka dhe të akuzuarit Lirim Mustafa, i paraparë të mbahej të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Shkak i dështimit të kësaj seanca ka qenë mungesa e të akuzuarit Lirim Mustafa dhe mbrojtësit të tij, avokatit Asllan Bilalli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, i akuzuari Mustafa dhe mbrojtësi e tij e kishin pranuar ftesën e gjykatës, mirëpo nuk e kishin arsyetuar mungesën.

Por mbrojtësi i të akuzuarit Visoka, avokati Halit Shaljani e ka njoftuar gjykatën se i akuzuari Mustafa dhe mbrojtësi i tij kishin kërkuar nga ai që të njoftojë gjykatën se nuk ishin në gjendje të mirë shëndetësore.

Në këto rrethana, gjykatësja Hasaj-Hyseni shtyu seancën e së hënës, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet me 24 dhjetor 2020 në ora 11:00.

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 tetor 2020, i akuzuari Sinan Visoka më cilësinë e noterit me 15 shkurt 2016, në zyrën e tij në rrugën “Lordi Bajron”, në Podujevë, kishte përpiluar aktvendim mbi shqyrtimin e trashëgimisë pa prezencën e trashëgimtarëve ligjor Gazmend, Blerim, Skender, Azem, Rizah Mustafa dhe Nexhije Demiri, të trashëgimlënësit Rexhep Mustafa.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Visoka kishte shpallë trashëgimtar ligjor të akuzuarin Lirim Mustafa, nip i të ndjerit Rexhep Mustafa për ngastrën kadastrale në sipërfaqe 993 m2, duke ia mohuar të drejtën e trashëgimisë ligjor të dëmtuarve, të cilëve iu kishte shkaktuar edhe dëm pasuror.

Ndërsa i akuzuari Lirim Mustafa po dyshohet se me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, në mënyrë mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, iu kishte shkaktuar dëm pasuror të dëmtuarve, të cilin i akuzuari Visoka e kishte shpallur trashëgimtar.

Pas këtyre, dy të akuzuarit me 15 shkurt 2016, e kishin vënë në lajthim Drejtorinë për Kadastër të Komunës së Prishtinës, e cila e kishte nxjerrë aktvendim, me të cilin e kishte aprovuar kërkesën e të akuzuarit Lirim Mustafa, ku paluajtshmëria në sipërfaqe prej 993 m2, kishte kaluar në emër të tij.

Për këto veprime Visoka po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe në bashkëkryerje më të akuzuarin Lirim Mustafa edhe për veprën penale “mashtrimi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat