Vitia shpalos programin e tij qeverisës për Prishtinën

Prishtina

Vitia shpalos programin e tij qeverisës për Prishtinën

Më: 4 tetor 2021 Në ora: 22:04
Arben Vitia

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka shpalosur programin e tij qeverisës.

Gjatë shpalosjes së këtij programi Vitia ka thënë se Prishtina ka nevojë për transformim.

“Prishtina duhet të transformohet, të jetë vend i drejtë gjithëpërfshirës, i sigurt, i gjelbër, qytet që siguron mirëqenie sociale”, ka thënë ish-ministri i Shëndetësisë.

Për mirëqenie sociale dhe subvencione, Vitia ka premtuar rritje të buxhetit në 1 milion euro.

Ai po ashtu është zotuar që të gjitha lagjet do të jenë të barabarta, të kenë transport publik, rrugë të asfaltuara, rrjet të kanalizimit dhe hapësira të gjelbra.

“Shumë lagje janë të izoluara dhe të shkëputura nga qendra e qytetit, do t’i integrojmë këto lagje në mënyrë organike, Arbëria me qendër dhe Kalabria me Dardaninë”, ka shtuar Vitia.

“Përveç shtimit të shtigjeve për ecje, do të ketë fitnes të jashtëm, krijim i parqeve të reja, pesë parqe të mëdha dhe tetë parqe të vogla”, ka thënë Vitia.

Sipas tij përdorimi i makinave në mandatin e tij qeverisës do të ulet në 30 për qind.

Vitia është zotuar se asnjë rrugë e hapësirë publike nuk do të mbetet pa ndriçim.

E në sektorin e shëndetësisë, ish-ministri, ka premtuar forcim të rolit të infermierëve në vizita shtëpiake, investime në mjete për diagnostikim të sëmundjeve të ndryshme, si kancerit, kancerit të gjirit dhe të zorrës së trashë, investim në shëndetin mendor, dhe më pak tollovi në QKUK.

Ndërkaq në fushën e arsimit është zotuar që çdo shkollë do të ketë nga një mjek dhe psikolog.

“Çdo shkollë do të ketë në funksion, në part-time ose kur porositet, mjekun dhe psikologun në shkolla, si dhe ushqim të shëndetshëm për nxënësit”, ka thënë Vitia.

Sipas tij, Prishtina në mandatin e tij qeverisës do të ketë edhe qendra të riciklimit të mbeturinave. dhe po ashtu ka premtuar ndarje të 500 mijë eurove për tejkalimin e problemit me qentë endacakë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat