​Rama synon ridefinimin e qendrës, prezanton projektin “Prishtina 7 minuta qytet”

Prishtina

​Rama synon ridefinimin e qendrës, prezanton projektin “Prishtina 7 minuta qytet”

Më: 1 nëntor 2021 Në ora: 14:27
Përparim Rama

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar sot projektin e tij “Prishtina 7 minuta qytet”. Rama tha se ky projekt i ridefinimit të qendrës është zgjidhja ideale e shumë problemeve urbane.

Pretendenti për të udhëhequr me kryeqytetin, tha se me riorganizimin e qendrës së qytetit që parasheh si qendër të re të Prishtinës të gjithë rrethin qendror Prishtina do të shndërrohet në “7 minuta qytet”.

Rama: Prishtina do të shndërrohet në “7 minuta qytet”

“Projekti ynë kryesor, ai i ridefinimit të qendrës vjen si zgjidhje ideale e shumë problemeve urbane të cilat ndërlidhen shumë ngushtë njëra me tjetrën. Me riorganizimin e qendrës së qytetit që parasheh si qendër të re të Prishtinës të gjithë rrethin qendror, i cili do të tangjetohet nga 6 pika kyçe me parkingje nëntokësore, Prishtina do të shndërrohet në ‘7 minuta qytet’. Ky nocion nënkupton që secila pikë përbrenda qendrës, pra gjithçka që i nevojitet qytetarit brenda qendrës së Prishtinës, qoftë kjo shkollë, çerdhe, vend i punës, shërbim, hapësirë e gjelbëruar, kinema apo shfaqje teatrale, do të jetë vetëm 7 minuta larg në këmbë ose me transportin alternativ dhe të autobusëve urbanë, të cilët do të qarkullojnë në një frekuencë brenda 7 minutave”, tha Rama.

Ai tha se me këtë projekt edhe lagjet përreth do të kenë qasje të lehtë e më të shpejtë në zonën e qendrës.

Rama: Lagjet përreth do të kenë qasje të lehtë e më të shpejtë në zonën e qendrës

“Gjithashtu, lagjet përreth do të kenë qasje të lehtë e më të shpejtë në zonën e qendrës. Projekti i ridefinimit të qendrës së qytetit, duke e vendosur në fokus këmbësorin dhe transportin alternativ e atij urban, do të na mundësojë një jetë më cilësore e më të shëndetshme, e do të na lejojë të shijojmë përjetime pozitive në përditshmërinë tonë. Pra, kjo është Prishtina 7 minuta qytet. Ridefinimi i qendrës e rritë vlerën shoqërore në gjithë këtë zonë dhe të gjitha lagjeve përreth”, tha ai.

Rama deklaroi se ditëve në vijim do të zhvillojë takime me qytetarë në të gjitha pjesët e qytetit për t’i informuar ata për projektet e tij për Prishtinën praktike, të pastër dhe të përjetimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat