Rama: Kaosi urban është larg më sfidues dhe më serioz sesa kundërkandidati im

Prishtina

Rama: Kaosi urban është larg më sfidues dhe më serioz sesa kundërkandidati im

Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 21:18
Përparim Rama

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përmbyllur fushatën zgjedhore në Prishtinë për balotazhin që do të mbahet të dielën më 14 nëntor. Në këtë tubim, kandidati i kësaj partie për kryetar të kryeqytetit, Përparim Rama ka thënë se projektet e LDK-së për Prishtinën janë të menduara mirë dhe synojnë çlirimin e trotuareve, shkarkimin e trafikut dhe kthimin e qendrës së qytetit të këmbësorët.

E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se kryeqyteti ka nevojë të transformohet dhe sipas tij Prishtina ka nevojë për Përparim Ramën.

Abdixhiku: Kryeqyteti ka nevojë të transformohet

“Ata që nuk ëndërrojnë shumë, që nuk kërkojnë shumë, që nuk munden shumë, natyrisht që e dyshojnë një Prishtinë të tillë, se nuk e bëjnë vet nuk e besojnë as potencialin e jashtëzakonshëm që ky qytet me kaq shumë njerëz ka. Por ne e dimë që kryeqyteti nuk mund veç të administrohet, është shumë më i veçantë se kaq, ne e dimë që kryeqyteti nuk mund as të përdoret sepse është më i shtrenjtë se kaq. Kryeqyteti duhet të transformohet, ne mendojmë e ëndërrojmë shumë sepse besojmë në kryeqytetin tuaj e tonin, ne mendojmë e ëndërrojmë shumë sepse e kemi Përparimin kandidat tonin”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Gjatë fjalimit të tij para përkrahësve, kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se programi për kryeqytetin është hartuar në bazë të nevojave të qytetarëve.

Rama: Rivali im kryesor kaosi urban është larg më sfidues dhe më serioz sesa kundërkandidati në këtë garë

“Përvoja të shumta ndërkombëtare që i kam akumuluar e më kanë formësuar në karrierën time 20 vjeçare i kam sjell këtu në vendlindje time, në qytetin tim më të dashur në rruzullin tokësor, për të ja shëruar plagët urbane duke e kthyer në një qytet model prej të cilit do të marrin shembull jo vetëm kryeqytetet e rajonit por edhe qytetet e tjera të botës. Rivali im kryesor kaosi urban është larg më sfidues dhe më serioz sesa kundërkandidati në këtë garë. Prandaj nuk kam dyshim që në këtë përballje ju prishtinali të dashur që po në shikoni në televizion dhe e di që jeni me mua, jeni me mua të gjithë ju, në qytet e në fshatra e dini tashmë se kush prej nesh është më i përgatituri në këtë punë”, ka thënë Rama.

Ai ka thënë se vizioni i tij është plotësisht i realizueshëm.

Rama: Nuk ju kemi servuar qytetarëve programe që i kemi parë të kundërkandidatët

“Nuk ju kemi servuar projekte që na kanë ra në mend para pesë ditësh, apo që i pamë në programet e kundërkandidatëve, ju servuam projekte të menduara gjatë e mirë, një vizion të qartë për të ja kthyer qendrën e qytetit këmbësorit, për ti çliruar trotuaret, për ta shkarkuar trafikun, për të pasur shkolla afër vendbanimeve për të krijuar infrastrukturën ndërlidhëse të lagjeve me qendër, për të krijuar infrastrukturën ndërlidhëse të qendrës me zonat rurale, për të pasur objekte në shërbim të rinisë, në shërbim të artit, kulturës e të sporteve, krejt kjo duke na e pasuruar përvojën që do ta kemi në qytetin tonë”, ka thënë ai.

Komuna e Prishtinës është një prej 6 komunave në të cilat ka shkuar në balotazh Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në Prishtinë më 14 nëntor qytetarët do të zgjedhin në mes të kandidatit të LDK-së Përparim Rama dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet e rregullta lokale më 17 tetor ku 21 komuna kanë shkuar në balotazh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat