​Nga sot, vaksina kundër COVID-19 mund të merret edhe në sheshin “Zahir Pajaziti”

Prishtina

​Nga sot, vaksina kundër COVID-19 mund të merret edhe në sheshin “Zahir Pajaziti”

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 16:45

Ministria e Shëndetësisë sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka hapur edhe një pikë të re të vaksinimit kundër COVID-19, më qëllim të ofrimit të sa më shumë mundësive për qytetarët për imunizim kundër koronavirusit.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, deklaroi që nuk ka probleme me vaksina, derisa apeloi të gjithë qytetarët që të vaksinohen për siç tha ai, për të mirën e Prishtinës.

Rama: Jemi në një kontrolle të mirë të pandemisë, mirëpo vaksinimi duhet të vazhdojë

“Është një rast i veçantë, një kalibrim mes UNICEF-it, Ministrisë së Shëndetësisë, Komunës së Prishtinës, ku është bërë edhe një pikë e vaksinimit për qytetarët e Prishtinës me rëndësi shumë të madhe, që vaksinimi të vazhdojë. Jemi në një kontroll të mirë të pandemisë duke i falënderuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë, ministrit, ndihemi ashtu me një vetëbesim shumë më të lartë mirëpo duhet me vazhdu vaksinimin, për këtë arsye është vendosur këtu edhe pika e vaksinimit në qendër të Prishtinës për shkak që ka një fleksibilitet shumë më të madh”, theksoi Rama.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen me të gjitha dozat, pasi sipas tij, nuk ka zgjidhje tjetër.

Latifi: E vetmja mënyrë që të shpëtojmë nga COVID është të vaksinohemi

“Kjo është një ngjarje me rëndësi te madhe, kur numri i rasteve të COVID-it po bie. Lus gjithë qytetarët që nuk janë vaksinuar që të vaksinohen me të gjitha dozat, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër, vetëm në këtë mënyrë mund ta mbajmë qytetin hapur”, tha Latifi.

Drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Prishtinës, Izet Sadiku tha që do të bëjnë edhe një fushatë sensibilizuese për t’i informuar dhe për t’i bindur qytetarët që vaksinimi është i domosdoshëm.

Sipas tij, vaksinimi mbetet forma më e mirë e parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Sadiku: Interesimi i qytetarëve për vaksinim është i mirë

“Kjo është qendër e re që e hapim sot për vaksinim, pavarësisht që janë disa qendra të tjera për vaksinim. Qëllimi ynë është që t’iu ofrojmë sa më shumë mundësi qytetarëve për t’u vaksinuar. Ndërkaq po shihet që interesi i qytetarëve për vaksinim është i mirë, mirëpo ne do të bëjmë edhe një fushatë sensibilizuese në mënyrë që t’iu japim sa më shumë informacione qytetarëve për t’i bindur që vaksinimi është forma më e mirë për parandalimin e COVID-19”, tha Sadiku.

Edhe Nona Zicherman, shefe e zyrës së BE-së foli për rëndësinë e vaksinimit.

Zicherman: Vaksinohuni për vetën dhe komunitetin tuaj

“Ne mund të ndjehemi të shëndetshëm, mirëpo kemi të moshuar në shtëpi, duhet t'i mbajmë shkollat hapur për fëmijët tanë. Me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, zyrës së kryetarit të komunës, ne jemi në gjendje ta afrojmë vaksinimin me komunitetin, për ta bërë atë sa më të përshtatshëm. Ju lutemi, vaksinohuni për veten tuaj, për fëmijët tuaj, për komunitetin tuaj”, tha ajo.

E hapjes së pikës së re të vaksinimit në shesh po i gëzohen qytetarët.

Kështu, Jakup Mehmeti tha për KosovaPress se ka qenë i nevojshëm krijimi i një mundësie të re për vaksinim.

Mehmeti: Vaksinimi i domosdoshëm për të fituar imunitet

“Jemi vaksinu sepse është e domosdoshme me kriju një imunitet dhe mos i infektu të tjerët”, tha Mehmeti.

Ndërkohë, pika e vaksinimit në QMF-7 në lagjen Kalabria (ish-Emshir) dhe ajo në “Albi Mall”, janë në dispozicion çdo ditë për qytetarët e Prishtinës dhe jo vetëm, që të vaksinohen lehtë, shpejt dhe sigurt kundër COVID-19.

Ndërkaq pritet të hapet edhe një pikë tjetër e vaksinimit shumë shpejtë në lagjen “Kodra e trimave” por edhe në qytetet tjera.

Pika e re e vaksinimit kundër COVID-19, e vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të jetë në dispozicion të qytetarëve nga ora 12:00 deri në ora 20:00 të ofrojë mundësi vaksinimi për qytetarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat