Nën presionin e protestuesve miratohet propozim-vendimi për shfuqizimin e Planit Rregullues për “Kalabrinë”

Prishtina

Nën presionin e protestuesve miratohet propozim-vendimi për shfuqizimin e Planit Rregullues për “Kalabrinë”

Më: 18 mars 2022 Në ora: 11:22
Mbledhja e Kuvendit të Prishtinës

(E plotësuar 15:01) - Nën presionin dhe zhurmën e protestuesve, dhe pa prezencën e opozitës, Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka miratuar Propozim-vendimin për anulimin e vendimit për miratimin e Planit Rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria”.

Vendimi është marrë me 25 vota ‘për’, as një kundër.

Banorët e kësaj lagjeje të cilët ishin të pranishëm në sallë, kanë debatuar ashpër dhe me tone të ngritura kanë kërkuar që plani të mos shfuqizohet.

Kërkesa e banorëve është mbështetur edhe nga këshilltarët e partive opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe AKR, të cilët pasi paraqitën qëndrimin e tyre e lëshuan sallën e mbledhjeve.

Po ashtu kuvendi miratoi edhe propozim-vendimin për anulimin e Vendimet për miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të përsëritshëm të bllokut urban “D2”, në kuadër të planit rregullues “Arbëria 3”.

Ndërkohë që paraditen e sotme teksa po fillonte mbledhja e Kuvendit Komunal të Prishtinës e që në rend të ditës ishte edhe Plani Rregullues për lagjen “Kalabria”, banorët e kësaj të fundit u mblodhën para objektit të komunës për ta kundërshtuar shfuqizimin e këtij plani.

Sipas tyre me shfuqizimin e planit rregullues do të pamundësohet mbulimi i lumit dhe punimet e rrugës A.

Përfaqësuesi i banorëve, Besim Krasniqi deklaron se plani rregullues ishte miratuar në Kuvend duke i hapur rrugë investimeve të reja në këtë lagje e cila deri tani është neglizhuar.

“Kërkojmë nga Kuvendi Komunal që të mos bëjë shkelje sepse plani rregullues është i barabartë për banorët. Nëse shfuqizohet sjell shumë probleme. Me planin mundësohet rregullimi i kolektorit dhe shpronësimi bëhet më lehë. Si lagje jemi diskriminuar tash e 15 vite sepse nuk ka pasur investime”, ka thënë ai.

Për të njëjtën arsye, këta banorë protestuan edhe më 15 mars para objektit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës (MMPHI).

​Rama arsyeton propozim-vendimin për anulimin e Planit Rregullues për “Kalabrinë”, banorët futen në sallë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në mbledhjen e sotme të kuvendit, ka arsyetuar propozim-vendimin për anulimin e vendimit për miratimin e Planit Rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria”, i cili tha se aspekti i shfuqizimit është si rezultat i vendimit të ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) që ka shpallur të pavlefshëm Planin Rregullues.

“Është kërkesë e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës-së. Ne duhet ta bëjmë një analizë të mirëfilltë se çka i nevojitet kësaj lagje me koeficientin 2.4. Ne po mundohemi të bëjmë Planin legal, sepse për momentin është e jashtëligjshme”, tha ai.

Rama premtoj se brenda periudhës gjashtë mujore do të sjellë planin e ri për këtë lagje.

Derisa në sallë po shqyrtohet kjo pikë janë futur edhe protestuesit, banorët e lagjes “Kalabria”, të cilët po kundërshtojnë shfuqizimin e Planit rregullues.

Ndërsa, në shenjë pakënaqësie për shfuqizimin e këtij Plani, VV, AAK dhe AKR, kanë lëshuar mbledhjen.

Asamblisti Gëzim Sveçla nga VV tha se kjo çështje nuk ishte dashur të jetë as në rend të ditës dhe sipas tij, nëse votohet sot ky shfuqizim do të bllokojë zhvillimin e kësaj lagje, e po ashtu edhe rrugën A.

Për këtë pikë të rendit të ditë ai tha se nuk do të qëndrojnë në sallë.

“Nëse ne sot votojmë këtë , rrezikojmë të bllokojnë zhvillimin e kësaj lagje të qytetit, rrugën ‘A’. Ne kërkojmë që mos të votohet. Prandaj, ne e lëshojmë mbledhjen”, tha ai.

Edhe Valbona Ajeti nga AAK ka thënë se kundërshtojnë shfuqizimin e këtij vendimi dhe nuk do të qëndrojnë në sallë.

Sami Boroci nga AKR tha se nuk e mbështesin shfuqizimin e këtij plani për “Kalabrinë”, sepse siç tha ai nuk ka asnjë logjikë me votuar sot diçka të tillë.

“Edhe ne si grup e lëshojmë sallën. Nuk ka asnjë logjik me shfuqizuar këtë plan”, tha ai.

Ndërsa, asamblistët e LDK-së dhe PDK-së kanë mbështetur shfuqizimin e këtij Plani Rregullues për “Kalabrinë”.

Ndërkaq, disa përfaqësues të lagjes “Kalabria”, që ishin brenda mbledhjes, ngritën zërin para asamblistëve që mos ta votojnë propozimin e komunës për anulimin e Planit të punës.

Kuvendi mori pauzë deri në orën 13:00, ku pritet të hidhet në votim ky propozim.

​Të pamjaftueshme votat për ta hequr nga rendi i ditës Planin Rregullues për “Kalabrinë”

Tre përfaqësuesit e partive opozitare të kuvendit të komunës së Prishtinës, Gëzim Sveçla nga Vetëvendosje, Sami Boroci nga AKR, dhe Bahri Gashi nga AAK kanë propozuar që të hiqen nga rendi ditës Propozim vendimi për anulimin e vendimit për miratimin e Planit rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria”, si dhe propozim-vendimi për anulimin e vendimet për miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të pjesërishëm të bllokut urban “D2”, në kuadër të planit rregullues “Arbëria 3”.

Por që propozimet e tyre nuk morën shumicën e votave në këtë mbledhje të kuvendit, 21 vota për dhe 22 vota kundër, dhe kështu mbetët që këto pika të rendit të ditës të shqyrtohen sot në seancën e mbledhjes së kuvendit të komunës së Prishtinës.

Derisa banorët e lagjes “Kalabria” në Prishtinë po vazhdojnë të protestojnë para komunës që nga mëngjesi sotëm për kundërshtuar shfuqizimin e planit për lagjen e tyre.

Të njëjtit kishin protestuar ditë më parë edhe para objektit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës (MMPHI). Ministri i kësaj të fundit, Liburn Aliu reagoi duke thënë se shqetësimet e banorëve do t’i trajtojnë me prioritet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat