Një 4-vjeçar kafshohet nga qeni endacak në oborr të kopshtit në Prishtinë

Prishtina

Një 4-vjeçar kafshohet nga qeni endacak në oborr të kopshtit në Prishtinë

Më: 18 tetor 2022 Në ora: 14:15
Ilustrim

Lajmi është konfirmuar nga nëna e fëmijës Aridona Demolli-Lumi, e cila tha se djali i saj është sulmuar pasi kanë dalë më fëmijët tjerë në oborr në prani të mësueses.

“Gjatë ditës, fëmijët kanë dalë në oborr me prani të mësueses si zakonisht me lujt, mirëpo në oborr kanë qenë 3 qen endacak. Fëmijët tonë janë sulmuar ku njëri dhe ka kafshuar djalin tonë, i cili ka marrë plagë në këmbën e djathtë. Shqetësimi dhe trauma që kanë marrë fëmija është e patolerueshme. Secili prej fëmijëve që ka qenë prezent është tmerru dhe e kanë përjetu në mënyrë shumë të randë nga ana psikologjike”, ka thënë ajo.

Demolli-Lumi ka shtuar se është tmerruese që kjo të ndodhë në një institucion shtetëror, e aq më pak në një kopsht.

“Është tmerruese fakti që ka ndodh në një institucion shtetëror, e aq më pak në kopsht ku pritet që siguria e fëmijëve të jetë në maksimum”, u shpreh ajo.

Në lidhje me këtë rast, “Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar kopshtin në fjalë si dhe drejtoreshën e këtij kopshti, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Nëna e fëmijës ka treguar se kopshti kishte njoftuar ambulancën të cilët kishin pastruar plagët e fëmijës, por për shkak të plagëve i njëjti ishte dërguar edhe në Spital.

Po ashtu është kontaktuar edhe drejtori i  emergjencës në QKUK, Naser Syla, por i njëjti ka thënë se nuk ka informata për një rast të tillë, pasi ka mundësi të mos jetë trajtuar në emergjencë.

Në lidhje me këtë rast, Demolli-Lumi ka thënë se janë të njoftuar edhe Policia, e cila ka qenë e pranishme në kopsht pas incidentit, mirëpo të njëjtit ende nuk kanë dhënë në përgjigje zyrtare për këtë rast.

Në lidhje me shqetësimet për sigurinë në këtë Kopsht, nëna e fëmijës thotë se përfaqësuesja e çerdhes i ka thënë se kanë pasur në vazhdimësi kërkesa të adresuara në komunë për këtë gjendje, por që nuk janë marrë veprime.

Edhe nga zyra e kryetarit Përparim Rama, të njëjti kanë thënë se kryetari nuk është i njoftuar zyrtarisht për rastin e së hënës, por që t’i drejtohemi zyrës për komunikim publik, ndërsa këta të fundit nuk kanë qenë të qasshëm.

Në lidhje me atë se a janë bërë kërkesa në drejtim të Komunës në lidhje me trajtimin e rasteve me qentë endacak, “Betimi për Drejtësi”, i është drejtuar më kërkesë komunës por ende nuk kemi marrë përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat