​Komunikacion më i qetë gjatë ditës së shtunë në Prishtinë

Prishtina

​Komunikacion më i qetë gjatë ditës së shtunë në Prishtinë

Më: 29 tetor 2022 Në ora: 18:35
Foto ilustrim

Testimi i tretë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet ka shkaktuar kolona të gjata dhe pakënaqësi tek qytetarët.

Në ditën e dytë të këtij testimi, rrugët e kryeqytetit nuk ishin të ngarkuara si të premten. Rrugët u panë më të lira për ti kaluar dhe nuk ka pasur pritje të automjeteve në kolonë.

Qytetarët e frustruar nga ky testim shprehen të revoltuar për ditën e djeshme ku gjithsecili ka përjetuar pritje nëpër kolona.

Qytetari Ismet Selimi nuk e mori me siklet këtë testim, ai nuk e mohoi pritjen në komunikacion por para së gjithash theksoi se kjo është mënyra më e drejtë dhe çdo fillim i ri ka problemet e veta.

Selimi: Dje kam pritur një orë e gjysmë në autobus por ia vlen që të rregullohet komunikacioni

Është në rregull, kaosi në komunikacion duhet të rregullohet dhe kjo është mënyra më e drejtë. Në fillim çdo gjë që rregullohet ka problemet e veta mendoj që ana pozitive është më e leverdishme. Dje kam prit një orë e gjysmë në autobus por ja vlen që të rregullohet komunikacioni. Mendoj që gjithsesi do të bëhet mirë”, u shpreh ai.

Ndërkaq përkrahës i këtij testimi nuk ishte qytetari Emin Ademi, sipas tij, kryetari ka gabuar dhe zgjidhja për këtë është që hyrja në Prishtinë të bëhet me pagesë dhe të bëhen parkingje për këto vetura që të lëvizin brenda kryeqytetit me autobus.

Ademi: Në qytet nuk i kisha lënë me hi përpos prishtinasit

Përparim Rama ka gabuar shumë, uji duhet të ecë në rrjedhën e vet si ta ndryshon bën dëme”. Kjo është bërë me një qëllim të caktuar...Dje prej Bill Cintonit deri tek ura kam bërë 20 minuta për Obiliq me autobus me shku...për neve pensionistët me dal për të shëtitur është më mirë sepse nuk ka karburant, por në përgjithësi për biznese është më keq. Njerëzit vonohen në punë...Prishtina është e mbi populluar është rritur shpejtë, kur kam ardhur këtu më shumë ka Prishtina sot taxi se vetura atëherë, ka shumë vetura. E kisha bërë si në Londër kush vjen prej qyteteve të tjera 10 euro me hy në Prishtinë, me ja bërë parkingun dhe autobusin ta lënë kerrin të hyn në autobus dhe të vjen.. unë me qenë në vend të tij e kisha rregulluar më mirë se ai. Rampën në hyrje të qytetit parkingjet me i ndërtuar për vetura, stacionin e autobusëve çdo pesë minuta i bie në Prishtinë dhe me furgon tek parkingu dhe i qet jashtë qytetit. Në qytet nuk i kisha lënë me hi përpos prishtinasit”, tha ai.

Kurse qytetari Halit Blakçori u shpreh i pakënaqur me këtë testim. Ai e sheh të pa logjikshme dhe jo të mirë menduar sepse sipas tij ka zvogëluar 50 përqind të kapacitetit të lëvizjes.

Blakcori: Ka probleme prej që është bërë ka kolona ka vones

Ka probleme prej që është bërë ka kolona ka vonesa, asnjë nuk ka që nuk e ka provuar. Unaza edhe mund të jetë e nevojshme por nuk e ka llogaritur mirë sepse ka zvogëluar kapacitetin për 50 përqind, pa i rregulluar edhe çështjet për rreth. Duhet edhe rrugicat përreth që nuk ka logjikë kjo unazë dhe semafor me punu, vetëm e kanë mbyllur rrugën dhe kaq nuk kanë llogaritë dhe po provojnë që katër pesë herë. Përparimi po punon mirë dorën në zemër në krahasim me atë para tij mirëpo duhet dikush që din me llogaritë dhe me punu. Ndoshta është mirë kjo mirëpo duhet të punohet edhe infrastruktura përreth që kjo të funksionoj si unazë. Nuk jam inxhinier i komunikacionit për me ditë, për mua është më së mirë që të mos vonohem dhe mos me prit në kolona të gjata”, tha ai.

Qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve: “Agim Ramadani” që nga semaforët pranë ish-mensës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunës, rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-kino Rinia, rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE, “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore. rruga “Ukshin Hoti” si dhe rruga “Robert Doll”.

Edhe gjatë muajit prill dhe maj në ditët e vikendit ishte bërë një testim i tillë i qarkores njëkahore në kryeqytet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat