​Prishtina mbështet Ukrainën, bën thirrje për paqe

Prishtina

​Prishtina mbështet Ukrainën, bën thirrje për paqe

Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 12:12
Seanca solemne e Kuvendit Komunal të Prishtinës

Me një minutë heshtje për të gjitha viktimat e invazionit rus në Ukrainë ka nisur seanca solemne e Kuvendit Komunal të Prishtinës, e cila u mbajt në mbështetje të popullit ukrainas në shenjë solidarizimi dhe thirrje për paqe me rastin e 1 vjetorit të luftës në këtë shtet.

Të pranishëm në këtë seancë solemne ishin ambasadorë të vendeve aleate të Kosovës dhe gazetarët ukrainas që janë të strehuar në Kosovë.

Në këtë 1 vjetor të luftës në Ukrainës, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se po ndëshkohet një popull paqësor veç se dëshiron të ndjek rrugën pro-perëndimore.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbështes deri në fund luftën e drejtë të Ukrainës.

Rama tha se lufta në Ukrainë nuk është vetëm tragjedi për popullin ukrainas, por njollë e errët në ndërgjegjen e gjithë njerëzimit.

Rama: Të bashkohemi në thirrjen drejtuar komunitetit ndërkombëtar që të mbështes deri në fund Ukrainën

“Populli i Kosovës evokon kujtime të ngjashme kur sheh skena të tilla, populli i Kosovës e ka kujtesën e freskët të ushtrimit të dhunës nga agresioni serb nga lufta e fundit, prandaj ne bashkëndjejmë me popullin ukrainas...Ne besojmë që ky brutalitet i Rusisë do të ndëshkohet dhe të shtypet në Ukrainë se Rusisë do t’i duhet me u largua e koritur prej tokës ukrainase, prej tokës që padrejtësisht po e pushton besojmë që Ukraina do të fitoj e mbrojtësit e Ukrainës do të ngadhënjejnë besojmë që ky gjak i derdhur dhe ky flijim i tmerrshëm që po paguhet prej kombi ukrainas ka me i dhënë frytet e një fitoreje të madhërishme. Le të bashkohemi në besimin tonë që fitorja mbi agresionin të vijë pa pas nevojë me përjetuar edhe një tjetër përvjetor. Le të qëndrojmë me popullin ukrainas dhe të tregojmë mbështetjen tonë për luftën e tyre të drejtë.. Le të bashkohemi sot në këtë sallë në thirrjen drejtuar komunitetit ndërkombëtar që të mbështes deri në fund Ukrainën në luftën e saj të drejtë “, u shpreh Rama.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier thekoi se SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën për aq kohë sa duhet.

Ai u shpreh se shteti i Kosovës është rreshtuar karshi BE-së dhe SHBA-vë kundër invazionit rus.

Hovenier u shpreh se nga janari i vitit të kaluar SHBA-të kanë investuar më se 30 miliardë dollarë në asistentë për çështje të sigurisë për popullin ukrainas.

Hovenier: Populli i Kosovës është pjesë integrale e reagimit të unifikuar karshi luftës në Ukrainë

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën për siç ka thënë vazhdimisht presidenti Biden për aq kohë sa duhet….Si përfaqësues i SHBA-ve në Kosovë jam krenar për lidershipin që presidenti Biden ka treguar për të siguruar që SHBA i prinë përpjekjeve globale për të mbështetur Ukrainën përderisa ajo mbron popullin dhe territorin e saj. …Putini ka menduar se NATO do të thyhet dhe të qaj, në vend të kësaj NATO është më e bashkuar dhe më unike dhe më bashkë se kurrë më përpara. Populli I Kosovës është pjesë integrale e këtij reagimi të unifikuar nga kombet demokratike, ju keni ofruar strehim ukrainasve që ikin nga lufta, i keni strehuar gazetarët ukrainas që të mund të vazhdojnë punën e tyre në liri dhe siguri keni qëndruar përkrah nesh dhe BE në vendosje të sanksioneve si dhe ju keni dhënë krejt çka mundeni për të demonstruar saktësisht se ku qëndron Kosova si dhe për të demonstruar saktësisht me kë qëndroni ju”, tha ai.

Ndërsa, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog u shpreh se invazioni rus në Ukrainës nuk është vetëm kundër këtij shteti, por edhe agresion kundër demokracisë botërore.

Ai tha se Kosova me pozicioni e saj kundër Rusisë ka treguar se është në pjesën e duhur të historisë.

Szunyog: Kosova është në pjesën e duhur të historisë

“Pasojat janë parë dhe janë ndjerë në gjithë botën kështu përfshihet këtu edhe Ballkani Perëndimor e sidomos Kosova në veçanti. Ne i shohim efektet e luftës në faturat e rrymës dhe në tregtitë tona…. Në muajt e ardhshëm e di që do të duhet të kemi një bashkëpunim të lartë dhe duhet të bashku të qëndrojmë dhe të mbrojmë vlerat tona të përbashkëta dhe rregullat ndërkombëtare bazuar në të drejtat e njeriut, dua të falënderoj Kosovën që politikisht është bashkuar BE, mirëpo edhe duke i aplikuar sanksionet Rusisë dhe duke i pranuar refugjatët ukrainas sidomos gazetarët dhe duke iu bashkuar BE-së dhe përfundimit për të përkrahur Ukrainën dhe mendoj se Kosova është në pjesën e duhur të historisë“, u shpreh ambasadori i BE-së në Kosovë.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde shprehu mbështetjen e shtetit të tij për t’i dal në mbrojtje qytetarëve ukrainas.

Rohde: Jemi përkrah Ukrainës, qëndrojmë me Ukrainën

“Jemi përkrah Ukrainës qëndrojmë me Ukrainë dhe dje kur e pash rezolutën në Kombet e Bashkuara 141 përballë 7 shteteve…ishte porosi e qartë nuk jeni vetëm qofshin milionë refugjatë që kanë gjetur strehim në Gjermani, Kanada, SHBA, Mbretërisë të Bashkuara, ndihma ushtarake e emergjente dhe kjo më tregon që ne do të vazhdojmë tu mbështesim dhe do të sigurohemi që Putini të dështoj në kërkesën e tij në përpjekjet e tij kriminale për të nënshtruar një shtet tjetër”, u shpreh ai.

Në sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës ku po mbahej seanca solemne në shenj solidarizimi me popullin ukrainas të cilët tash e 1 vit po përballen me luftën ishin edhe gazetarët ukrainas që janë të strehuar në Kosovë.

Gazetarja ukrainase e cila po qëndron në Kosovë, Lyudmila Makey falenderoi shtetin e Kosovë që i strehoi në një epokë të vështirë.

Makey: Kosova na strehoi në një epokë të vështirë

“Fatkeqësisht jeta paqësore ukrainase është shkatërruar më 24 shkurt ë vitit të kaluar kur Rusia filloi pushtimin....Gjatë kësaj kohe liderët e shteteve evropian filluan të kuptojnë rrezikun që paraqet rreth botës regjimi kriminal i Putinit. Ata e kuptuan se ukrainasit mbrojnë jo vetëm tokën e tyre por edhe vlerat demokratike të vendeve të tjera. Prandaj, bota filloi të bashkohet dhe të mbështes Ukrainën në luftën e saj të drejtë për të jetuar…Kosova na strehoi në një epokë të vështirë. Prishtina u bë shtëpia jonë e dytë dhe na dha mundësi të qëndrojmë dhe t’i tregojmë botës të vërtetën për luftën në Ukrainë. Unë ndihem mirë dhe qetë“, theksoi ajo.

Pas seancës solemne të Kuvendit Komunal të Prishtinës në shenjë solidarizimi me popullin ukrainas, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama së bashku me një grup fëmijësh kanë lëshuar në qiell pëllumba të bardhë për të dhënë mesazhin për paqe.

Komuna e Prishtinës në shenj solidarizimin me popullin ukrainas ka vendosur flamujt e Ukrainës në sheshet e kryeqytetit, si dhe u ka dhënë ngjyrat verdhë dhe kaltër vendkalimeve dhe rrethojave në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat