Rama-Muratit: Nëse s’barten menjëherë të hyrat vetanake do t’i drejtohemi Kushtetueses

Prishtina

Rama-Muratit: Nëse s’barten menjëherë të hyrat vetanake do t’i drejtohemi Kushtetueses

Më: 6 prill 2023 Në ora: 11:31
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama- ministri i Financave, Hekuran Murati

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është shprehur i shqetësuar sot pas informatave se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake.

Ai ka bërë të ditur se i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe mnistrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës, "ashtu siç i takojnë".

I pari i kryeqytetit i ka kërkuar ministrit të Financave që urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave.

“Është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave. Janë 28.8 milion Euro të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës. Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade. Prandaj, kërkoj nga Ministri i Financave që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale.”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai ka shtuar se nëse mjetet nuk barten menjëherë, do të detyrohen t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës.”, ka shkruar tutje Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat