Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për posedim të 0.83 gram marihuanë

Prishtina

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për posedim të 0.83 gram marihuanë

Më: 10 maj 2023 Në ora: 11:09
Gjykata Themelore në Prishtinë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së mërkurës, i akuzuari O.A është deklaruar i pafajshëm për posedim të 0.83 gram marihuanë.

“Në konsultim me avokatin, deklarohem i pafajshëm”, ka thënë i akuzuari O.A.

Paraprakisht, në këtë seancë, prokurorja Hava Krasniqi ka bërë precizimin e dispozitivit të aktakuzës në pjesën ku është konstatuar pesha e narkotikut, ashtu që në vend të 0.9 gram tha se duhet të jetë 0.83 gram, ndërsa pjesa tjetër mbetet e pandryshuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërkaq, pasi që i akuzuari u deklarua i pafajshëm, gjykatësi Eroll Gashi, njoftoi se i njëjti ka të drejtë që brenda afatit prej 30 ditësh të bëjë kundërshtimin e provave, si dhe të paraqes kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Po ashtu, në fillim të kësaj seance, mbrojtësi i të akuzuarit A., avokati Kushtrim Palushi dhe vetë i akuzuari, kanë kërkuar nga gjykata që me qëllim të mbrojtjes së jetës private dhe familjare të të akuzuarit, seanca të mbyllet për publikun.

Por, kjo kërkesë është refuzuar nga gjykatësi Gashi me arsyetimin se në sallë nuk ka publik përveç një monitoruese nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, të cilës i lejohet monitorimi i seancës sipas marrëveshjes me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, duke marrë vendim që emri dhe i mbiemri i të akuzuarit të publikohet me iniciale.

Ndryshe, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke kthyer çështjen në rivendosje në gjykatën e shkallës së parë, duke vlerësuar se gabimisht në këtë fazë të procedurës penale e ka hudhur aktakuzën dhe e ka pushuar procedurën penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, O.A akuzohet për posedim të paautorizuar të substancave narkotike.

Sipas aktit akuzues, më 27 janar 2020 në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë, gjatë një kontrolle nga ana e policisë tek i pandehuri O.A, respektivisht në xhepin e tij është gjetur një sasi narkotiku, e llojit marihuanë me peshë prej 0.9 gram, të cilën i pandehuri e ka poseduar pa autorizim.

Më këtë, O.A po akuzohet se ka kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 269, paragrafi 1 të Kodit Penal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat