Dita e Çlirimit të Prishtinës, mbahet parada e fëmijëve së bashku me FSK-në

Prishtina

Dita e Çlirimit të Prishtinës, mbahet parada e fëmijëve së bashku me FSK-në

Më: 11 qershor 2023 Në ora: 13:47
Parada e fëmijëve së bashku me FSK-në

Me rastin e Ditës së Çlirimit të kryeqytetit, 11 qershorit, Komuna e Prishtinës ka organizuar një varg aktivitetesh që do ta shënojnë këtë ditë.

Aktivitetet kanë nisur në orët e e hershme të mëngjesit, ndërsa rreth orës 12:00 është mbajtur parada e fëmijëve me ushtarët e FSK-së, ku ka nisur nga hoteli Grand deri te sheshi “Skënderbeu”.

Përkundër motit me shi, ushtarët vazhduan ecjen bashkë me fëmijët.

Në 24-vjetorin e çlirimit të Prishtinës, kryetari i kësaj komune, Përparim Rama bashkë me drejtorë e këshilltarët e komunës, si dhe organizata të dala nga lufta sot kanë përkujtuar dhe bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve.

Rama e ka vlerësuar këtë ditë si më të rëndësishmen për gjithë vendin e veçmas për kryeqytetin.

Derisa ka kujtuar gjithë të rënët për liri, ai ka thënë se falë tyre populli e shijon lirinë sot.

“Sot është një ditë e madhe, historike për gjithë vendin, mirëpo për kryeqytetin veçanërisht, sepse me 11 qershor 24 vite më parë është çliruar kryeqyteti dhe sot jemi të lirë të jetojmë e të veprojmë ashtu si duam, duke falënderuar dëshmorëve e heronjve tanë”, ka thënë Rama.

Të gjitha aktivitetet do të përmbyllen në orën 20:45 me një koncert të madh që do të mbahet në sheshin “Skënderbej”, ku do të performojnë emra të njohur të muzikës.

Dita e Çlirimit të Prishtinës është ditë manifestimi për të kujtuar 11 qershorin e vitit 1999 kur forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) hynë në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat