73 për qind e studentëve në UP përdorin ChatGPT për përfitime akademike

Prishtina

73 për qind e studentëve në UP përdorin ChatGPT për përfitime akademike

Më: 19 qershor 2023 Në ora: 09:39
Foto ilustrim

73 për qind e studentëve në Universitetin e Prishtinës kanë pranuar se përdorin platformat e inteligjencës artificiale, duke përfituar nota më të mira, sipas një hulumtimi të bërë nga Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze. Të vetëdijshëm për këtë janë edhe nga stafi akademik, të cilët kanë theksuar se kjo do të ndikojë në pengimin e zhvillimit të shkathtësive akademike te studentët. E mekanizma për ta detektuar këtë Universiteti i Prishtinës nuk ka.

Mjafton vetëm ta shkruash pyetjen dhe në sekonda platforma e inteligjencës artificiale ChatGPT mbledh e shkruan për ty materialin/përmbajtjen.

E studentët kanë filluar ta përdorin këtë për të shkruar ese akademike, punime seminarike, e madje edhe punimet e diplomave.

Studentët e Departamentit të Anglishtes në Fakultetin e Filologjisë kanë bërë një hulumtim, ku 73 për qind e 100 të të intervistuarve nga të gjitha fakultetet në Universitetin e Prishtinës kanë pranuar se përdorin platformat e inteligjencës artificiale, ku kanë përfituar nota më të mira.

“Inteligjenca artificiale ka edhe anë pozitive edhe anë negative, pozitive që i kanë përmend studentët është që kanë menaxhuar kohën ma mirë ose me shkruar ese ose për punimet akademike më lehtë, por ka ardhur edhe me anë negative të cilët i ka bërë më të varur dhe më përtac sa i përket punës tyre”, ka thënë Fisnik Ajeti, student në Fakultetin e Filologjisë.

Nja prej pjesëmarrësve që e kemi intervistuar e ka cek si problem edhe ChatGPT, edhe është problem se është më vështirë me detektuar që është përdorë, mirëpo ka filluar të përdoret fatkeqësisht edhe në nivelet të mëdha nga studentët”, ka thënë Lirije Kastrati, studente në Fakultetin e Filologjisë..

Se studentët kanë filluar ta përdorin këtë platformë për të arritur sukses të lartë gjatë studimeve kanë vërejtur edhe profesorët.

Por mekanizma për ta detektuar këtë Universiteti i Prishtinës ende nuk ka

Kjo është theksuar edhe nga ekipi i ekspertëve ndërkombëtarë gjatë procesit të akreditim të programeve studimore. Në UP nuk kanë treguar nëse janë duke punuar në këtë drejtim.

Në mungesë të mekanizmave, profesoresha Luljeta Plakolli-Kasumi ka treguar se e ka të vështirë të detektojë se cilat punime janë të shkruara nga inteligjenca artificiale.

Sipas saj, përdorimi i inteligjencës artificiale është shndërruar në problematik, pasi cenon të drejtat e autorësisë.

“Përdorimi i ChatGPT për të arritur një notë ose për të kaluar një veprim nuk është etike, mirëpo kjo po ndodh dhe jo vetëm në universitetin e Kosovës por edhe në mbarë botën, është një problematik mjaftë e madhe dhe jo në mesin e studentëve, kjo është problem edhe në revista shkencore të cilat po e kanë shumë problem për ta detektuar në qoftë se një punim i cili është dorëzuar për publikim është diçka që është shkruar nga njeriu apo është shkruar nga Inteligjenca Artificiale”, ka thënë Luljeta Plakolli-Kasumi, profesoreshë në Fakultetin Jurudik.

Platforma ChatGPT është publikuar në nëntor të vitit të shkuar. Italia është shteti i parë në Bashkimin Evropian, e cili e ka ndaluar përdorimin e ChatGPT, për shkak të shqetësimeve në lidhje me ruajtjen e privatësisë dhe autorësisë.

Gjatë javës Parlamenti Evropian miratoi një projektligj i cili do të vendosë kufizime të reja në ato që shihen si përdorimet më të rrezikshme të teknologjisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat