Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve: 50-euroshi për qentë endacakë mund të keqpërdoret

Prishtina

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve: 50-euroshi për qentë endacakë mund të keqpërdoret

Më: 21 qershor 2023 Në ora: 10:59
Foto ilustrim

Elza Ramadani nga Fondi për të Drejtat e Kafshëve ka dilema se vendimi i Komunës së Prishtinës për t’i subvencionuar me 50 euro në muaj ata që strehojnë qentë endacakë mund të keqpërdoret për shkak të mungesës së dispozitave ligjore.

Komuna e Prishtinës ka vendosur të hënën që t’i subvencionojë me nga 50 euro në muaj personat që strehojnë një qen endacak. Një person ka të drejtë t’i strehojë deri në pesë qenë.

Ramadani e ka vlerësuar si iniciativë të mirë këtë vendim, por kanë pak dilema.

“Si iniciativë është e mirë në përgjithësi, sepse do me i ndihmu njerëzve që veçse merren me qenë endacakë, kujdesen për ta. Shumë njerëz merren vazhdimisht me kafshët e pastreha dhe 50 euro për kokë qeni ka me qenë ndihmesë për ata. Ne kemi pak dilema se mund të keqpërdoret prej shumë personave, sepse në Kosovë nuk ka dispozita ligjore që rregullojnë mbajtjen e përgjegjshme të qenve. Munden me përfundu 5 qenë nga rruga në zinxhir pa iu ofru kushtet minimale të jetesës, ku pastaj personat që i marrin ato pare i shfrytëzojnë jo për qen, por për vete”, ka thënë ajo.

Ramadani ka thënë se i kanë dhënë disa propozime Komunës që kjo mos të ndodhë.

“I kemi propozu që kjo skemë apo si ta quajmë me qenë me plan monitorues dhe me një kontratë ku komunës dhe inspektorëve iu lejohet vazhdimisht inspektimi i personit që merr qentë, që të sigurohemi që qentë kanë mirëqenie. Dhe të mos mundohemi vetëm t’i largojmë qentë nga rruga dhe t’i fusim me një jetesë më mizore. Nuk po paragjykojmë që kjo mund të ndodhë, por shpresojmë që Komuna na kthen përgjigje dhe na tregon detajet”, ka shtuar ajo.

Për krahasimet se si fëmijët marrin 10 euro në muaj, ndërsa për një qen 50 euro, Ramadani ka deklaruar se nuk është krahasim i vlefshëm pasi kjo është veç një masë emergjente e jo masë shtetërore.

“Kjo duhet të shihet si masë emergjente. Nuk është t’u u propozu masë shtetërore për me hi sistem shtetëror dhe tanë jetën me i pagu 50 euro njerëzit që marrin qenë. Thjesht një masë emergjente që ndoshta Komuna ka menduar ia lehtëson edhe situatës ku jemi tani, sepse nuk ka infrastrukturë dhe strehimore. Thjesht është masë emergjente, e cila nëse nuk funksionon, mund të ndalohet”, është shprehur Ramadani.

Ramadani e sheh më shqetësuese njoftimin e aksionit të Komunës për mbledhjen e qenve endacakë. Ka thënë se kjo është e parealizueshme dhe joligjore.

“Kjo është e parealizueshme, joligjore sepse nuk ka infrastrukturë të mjaftueshme për t’i strehuar të gjithë qentë. Munden me u strehu disa qenë, por duhet të theksohet strehimoret në Kosovë nuk janë të licencuara si të tilla. Ministri Peci e ka nxjerr udhëzimin administrativ në fund të majit për këtë”, ka përfunduar Ramadani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat