350 mijë ndërtime pa leje, Prishtina me numrin më të lartë të aplikuesve – Asnjë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian

Prishtina

350 mijë ndërtime pa leje, Prishtina me numrin më të lartë të aplikuesve – Asnjë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian

Më: 21 qershor 2023 Në ora: 12:13
Foto nga vendi i ngjarjes

Numri i ndërtimeve pa leje në gjithë Kosovën është 350 000. Ky numër mund të jetë edhe më i lartë në shifra reale. Edhe përkundër procedurave të lehtësuara, numri i aplikimeve për legalizim mbetet i vogël, sidomos tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.

Kështu u bë e ditur gjatë prezantimit të analizës së KOSINT për procesin e legalizimit dhe ndikimit të tij te këto komunitete.

Ekspertja Drita Shabani, e cila e prezantoi këtë analizë, tha se procesi i legalizimit mbetet ende sfidues, veçanërisht tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Si shembull konkret, ajo përmendi komunën e Prishtinës, për të cilën tha se ka më së shumti aplikime për legalizim, por asnjë aplikim nga këto komunitete.

Sfida më e madhe, sipas Shabanit, mbetet ana financiare dhe mungesa e statistikave.

Kemi identifikuar cilat janë nevojat për përkrahje dhe cilat janë rekomandimet për ndryshime te legjislacionit. Numri i ndërtimeve pa leje është 350,000 sosh, shpesh e kemi diskutuar këtë duke ditur që nuk mund të jenë shifra reale. Ligji aktual për trajtimin e ndërtimeve pa leje nuk ka arritur qëllimin. Me të gjitha dispozitat lehtësuese numri për legalizim mbetet i vogël”.

Asnjë komunë nuk e ka të njëjtën platformë për regjistrimin e kërkesave. Ka mungesë të organizimit në këto zyra. Rrallë kemi mundur që të merrnim ndonjë informatë. Komuna me më së shumti aplikime është komuna e Prishtinës. Asnjë aplikim nuk kemi nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Prishtinë. Gjakova ka numrin më të madh të aplikimit”.

“Këto informata janë marrë me shumë sfida. Siç shihet se aplikimi është i vogël, e sidomos nga komunitetet. Në Ferizaj, në bazë të anketës pjesëtarët e komuniteteve kanë deklaruar se 85 prej tyre kanë objekte të legalizuara, por kjo nuk ka mundur të vërtetohet. Kam një dozë dyshimi që kur janë deklaruar komunitetet që 85 ndërtesa janë legalizuar duhet të merren me rezerva”.

Ajo theksoi se ka pasur shumë sfida edhe në gjetjen e statistikave, sidomos nëpër komunat, ku ka mungesë stafi dhe mungon arkivimi i dokumenteve.

 “Është numër i vogël i aplikimeve. Sfida më e madhe është ana financiare. Ka mungesë të statistikave për komunitete, shumë vështirë është që të vihet deri tek informata. Tek të gjeturat për institucionet, arkivimi i dokumenteve ishte tmerr, as arkivimi i materialeve. Përveç mungesës së stafit nuk është ashtu siç duhet që të jetë. Komunat duke mos e zbatuar ligjin e gjeodezisë e kanë ngadalësuar procesin e legalizimit”.

Tutje, Shabani, pas prezantimit të analizës, ka dhënë edhe disa rekomandime për institucionet e Kosovës.

“Në këtë moment kur ende ligji i ri nuk është miratuar, rekomandojmë që MMPHI është mirë që të ju kërkojë një raport komunave se sa kanë përkrahur grupet sociale. MMPHI duhet t’u kërkojë komunave që të largojnë nga numri ndërtesat e rrënuara me leje rrënimi. Të ndahet fond i veçantë financiar për komunat për përkrahje për legalizim. Me këtë trend kurrë nuk do të përfundojë ky proces. Zyrat Komunale për Komunitet dhe Kthim të përkrahet për të qenë afër komuniteteve. Zyrat Komunale për Komunitet dhe Kthim të përgatisin data bazë për komunitet me të dhëna të gjendjes civile, pronësore dhe socio-ekonomike”, tha ajo.

Orhan Butic , menaxher i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, tha se procesi i legalizimit nuk është vetëm një sfidë komplekse me të cilën përballen komunitetet, por një nevojë për shoqërinë në përgjithësi.

Ndërsa, këshilltari politik në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Muharrem Asllani, tha se komunitetet pakicë sot jetojnë kryesisht në zonat urbane jo formale, me infrastrukturë të dobët, pa kanalizim funksional, pa ujë të pijshëm dhe me probleme të tjera sociale.

Siç tha ai,  MAPL, për dy vite, ka investuar mbi 5 milion euro në infrastrukturë për këto komunitete.

“Është një iniciativë e qëlluar që ka buruar edhe nga vetë qytetarët, ka hasur në mirëkuptim edhe të institucioneve. Komunitetet pakicë jetojnë kryesisht në zonat urbane jo formale, me infrastrukturë të dobët, pa kanalizim funksional, pa ujë të pijshëm dhe me probleme të tjera sociale.

“Kemi planifikuar investime kapitale në të gjitha komunat e Kosovës, për herë të parë kemi ndarë buxhet që i referohet komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian e fokusi është tek investimet kapitale. Për dy vite kemi investuar mbi 5 milion euro në infrastrukturë dhe nuk do të ndalemi. Këtë vit kemi ndarë 6 milion euro në dy linja buxhetore. Gjithë ky investim është i kotë nëse nuk janë të legalizuar.

“MAPL është e hapur me të gjitha organizata, donatorët, ministritë me të vetmin qëllim për të përmirësuar jetën e qytetarëve në përgjithësi. Të shohim edhe hapat që ne duhet t’i ndërmarrim, me të vetmin qëllim që ligji për legalizim të aprovohet me gabime minimale”.

Fatmir Azemi, zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, tha se nga ligji aktual, sipas tij, ka proceduar të lehtësuara e se kjo ka bërë që të ketë 30 mijë aplikime në të gjitha komunat e Kosovës.

“Me hyrjen në fuqi të ligjit për ndërtime pa leje, në vitin 2018, procesi i legalizimit në Kosovë ka marrë një hov të ri. Procedurat e lehtësuar të këtij ligji ka bërë që të ketë 30 mijë aplikime të regjistruara në të gjitha komunat e Kosovës, nga ato 10 mijë janë të legalizuara, 8 mijë kanë hyrë në kadastër, pjesa tjetër është në listën e pritjes”.

“Tani ligji aktual është në procedurat e Kuvendit, ka kaluar në lexim të parë. Ajo që më parë kemi gjetur në këtë proces është se informimi dhe vetëdijesimi i qytetarëve ka qenë i domosdoshëm dhe mbështetja e institucioneve dhe organizatave është e domosdoshme”, tha ai.

KOSINT është rrjet i organizatave “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, “Balkan Sunfloëers Kosova”, “Roma”, “Syri i Vizionit” dhe “Ashkalia Documentation Center”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat