Shkarkohet kryesuesi Fehmi Kupina, LDK dhe PDK rikthejnë sërish pushtetin në ndërmarrje

Prishtina

Shkarkohet kryesuesi Fehmi Kupina, LDK dhe PDK rikthejnë sërish pushtetin në ndërmarrje

Më: 27 qershor 2023 Në ora: 15:43
Përparim Rama

Me 27 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Prishtinës ka shkarkuar kryesuesin e Kryeqytetit, Fehmi Kupinën.

Po ashtu partitë që udhëheqin me Prishtinën, LDK dhe PDK kanë rikthyer sërish pushtetin në ndërmarrjet publike në kryeqytet.

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, me 27 vota për gjithashtu u anulua vendimi i datës 8 qershor për shkarkimin e aksionarëve të ndërmarrjeve publike në Prishtinë.

Këto vendime në Prishtinë u morën pasi braktisen seancënkryesuesi dhe asamblistët e Vetëvendosjes.

Fillimisht asamblistët e Vetëvendosjes me zhurmë nuk e lejuan kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama të merr fjalën.

Kryetari Rama duke kërkuar qetësinë e këshilltarëve të Vetëvendosjes, pati një kërkesë tallëse me ta.

Rama: Qysh ja keni nisë ju me kërcye, luani Shotën e a naj sen tjetër a

“S’po doni me dëgjuar a? Mbani madje ndonjë ritëm më të mirë, qysh ja keni nisë ju me kërcye, luani Shotën e a naj sen tjetër a… Unë po vazhdoj po bërtas. Prej datës 1 unë si kryetar I kryeqytetit kam qenë këtu dhe do të jem për të mirën e kryeqytetit. Gëzim Sveçla ka ardhur dhe ka thënë se e kam e shumicën, dhe normalisht që i kam thënë atij e ke shumicën, bëje shumicën. Jemi në demokraci. Kush e ka shumicën sot këtu, po me vjen keq për anëtarë të tjerë të Vetëvendosjes që bien pre dhe fore të Gëzim Sveçlës”, theksoi Rama.

Megjithatë, para se të shkarkohej, kryesuesi Fehmi Kupina e shpalli të mbyllur seancën, duke thënë se nuk ka kushte për punë.

Kupina: E shpalli të mbyllur mbledhjen nuk ka kushte për punë

“Kryetar a ka mundësi ju lutemi, për arse se nuk ka kushte për këtë mbledhje. E shpalli të mbyllur këtë seancë”, theksoi Kupina.

Por, kryetari i Prishtinës, Rama dhe asamblistët e partisë së tij vazhduan punën duke theksuar se ka kushte për punë.

Rama: Ka kushte për seancë, sepse ne jemi shumicë këtu

“Ka kushte për seancë, sepse ne jemi shumicë këtu”, ka thënë Rama.

Pasi braktisën seancën kryesuesi, Fehmi Kupina me asamblistët e Vetëvendosjes, seancën e udhëhoqi asamblisti më i vjetër Ajet Brajshori nga radhët e LDK-së.

Ndërkohë, u fut në rend dite propozimi Jeta Rafunës nga LDK-ja për shkarkimin e kryesuesit Fehmi Kupina.

27 këshilltarë komunal me vota të fshehta votuan për shkarkimin e Kupinës nga pozita e kryesuesit.

Asamblisti nga LDK-ja, Sami Salihu në emër të Komisionit për Mbarëvajtjen e procesit të votimit konstatoi shkarkimin e kryesuesit, Kupina.

Salihu: Konstatojmë se miratohet propozimi për shkarkimin e kryesuesit të kryeqytetit, Fehmi Kupina

“Në emër të Komisionit për Mbarëvajtjen e procesit të votimit për shkarkimin e kryesuesit të kryeqytetit, Fehmi Kupina, konstatojmë se në votim kanë marrë pjesë 28 këshilltarë komunal, prej tyre 27 janë për, 1 kundër dhe asnjë abstenim. Dhe me këtë konstatojmë se miratohet propozimi për shkarkimin e kryesuesit të kryeqytetit, Fehmi Kupina”, theksoi Salihu.

Pas këtij vendimi, në mbledhjen e Kuvendit të Kryeqytetit, me 27 vota për është miratuar propozim vendimi për anulimin e vendimit të datës 08.06.2023 për shkarkimin e anëtarëve në Komisionet e aksionarëve të ndërmarrjeve publike të Komunës së Prishtinës.

Këtë votim e konstatoi asamblisti më i vjetër, Ajet Brajshori, i cili e udhëhoqi seancën.

Brajshori: Me 27 vota për është miratuar vendimi për anulimin e shkarkimit të anëtarëve

“Me 27 vota për është miratuar për anulimin e vendimit të datës 08.06.2023 për shkarkimin e anëtarëve në Komisionet e aksionarëve të ndërmarrjeve publike të Komunës së Prishtinës”, theksoi Brajshori.

Po ashtu me 27 vota për është marrë vendim për caktimin e anëtarëve të Komisionit të Aksionarëve të ndërmarrjeve publike të Prishtinës.

Ndryshe, në mbledhjen e Kuvendit të Kryeqytetit më 8 qershor, Fehmi Kupina kishte dhënë dorëheqje nga LDK-ja në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat