Raporti i auditimit për Prishtinën, VV: Gjetjet do t’i adresojmë te organet e drejtësisë

Prishtina

Raporti i auditimit për Prishtinën, VV: Gjetjet do t’i adresojmë te organet e drejtësisë

Më: 6 korrik 2023 Në ora: 13:46
Asambleistë të Lëvizjes Vetëvendosje

Asambleistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë kanë paralajmëruar sot se për disa nga gjetjet e raportit vjetor të auditimit të vitit të kaluar do t’i adresohen organeve të drejtësisë. Ata i kanë bërë thirrje të parit të kryeqytetit, Përparim Rama për reflektim, sepse konsiderojnë se këto gjetura flasin për vepra penale. Asambleistja Violeta Salihu dhe Ermal Osmani kanë prezantuar të gjeturat dhe rekomandimet që ka dhënë Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin Vjetor të Auditimit për Komunën e Prishtinës për vitin 2022.

Asambleistja Salihu ka thënë se opinioni i kualifikuar i Zyrës Kombëtare të Auditimit flet për shkelje ligjore dhe keqplanifikim të mjeteve buxhetore.

Salihu: Opinioni i kualifikuar tregon për keqplanifikim dhe keqmenaxhim

“Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Prishtinës për vitin 2022. Sipas standardeve të auditimit, opinioni i kualifikuar jepet në rastet kur janë zbuluar keqdeklarime ose mospajtueshmëri, kur e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare. Baza për opinion të kualifikuar ka rrjedhur: si rezultat i planifikimeve buxhetore të gabuara, ku komuna ka paguar 2 milionë e 453 mijë e 137 euro nga investimet kapitale, shpenzime që për nga natyra u takojnë mallrave dhe shërbimeve. Kjo është një tregues i qartë për një keqplanifikim dhe keqmenaxhim, kur paratë merren nga një kategori e caktuar e shfrytëzohen për një kategori”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se Komuna e Prishtinës ka pasur mangësi në menaxhimin e të hyrave të tatimit në pronë, që si pasojë e keqmenaxhimit komuna ka realizuar 12 për qind më pak të të hyrave krahasuar me vitin e kaluar.

Salihu: Ka pasur subvencionim të OJQ-ve pa thirrje publike

“Ka pasur subvencionim të OJQ-ve pa thirrje publike, e cila paraqet shkelje të rregullores së Ministrisë së Financave 04/2017 tek neni 2.1 dhe tek neni 6, pika 6.2, ku thuhet se një përfitues fizik apo juridik mund të përfitojë subvencione vetëm një herë në vit, ndërsa këtu kemi një OJQ, e cila ka përfituar tri herë brenda vitit, ndërsa tjetra OJQ dy herë në vit. Kjo paraqet një shkelje ligjore sipas procedurave. Po ashtu, edhe kuzhina qendrore ka përfituar subvencion në vlerë prej 30 mijë euro dhe e cila nuk kishte hartuar raporte kthyese financiare dhe narative në lidhje me shfrytëzimin e mjeteve dhe kjo paraqet shkelje të rëndë të kritereve sipas legjislacionit në fuqi”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, asambleisti Ermal Osmani ka dhënë detaje për të gjeturat dhe rekomandimet. Ai ka thënë se këto të dhëna tregojnë për shkeljet ligjore të Komunës së Prishtinës.

Osmani: Prezantim i pasaktë i llogarive të arkëtueshme

“Po filloj me mashtrimin e parë që ka tentuar të bëhet, duke keqklasifikuar në kategoritë ekonomike, ku nga buxheti për investime kapitale janë paguar 2 milionë e 453 mijë e 137 euro shpenzime që për nga natyra nuk i takojnë investimeve kapitale. Prezantim i pasaktë i llogarive të arkëtueshme me taksat e infrastrukturës, ku kemi shumë të mbivlerësuar për 98 mijë e 78 euro dhe të arkëtueshme nga lejet e ndërtimit ishin të nënvlerësuara për 250 mijë e 309 euro. Mosprezantim i saktë i detyrimeve kontingjente në raportin vjetor të financuar, ku si pasojë e dyshimeve ato ishin mbivlerësuar për 11 milionë e 847 mijë e 843 euro”, ka thënë ai.

Osmani ka shtuar se janë evidentuar shkelje edhe në ngritjet në detyrë, me ç’rast ka theksuar se të gjitha këto kanë ndodhur pa u zhvilluar proces konkurrues. Ai ka thënë se pagesat për borxhe e kamate kanë arritur shifrën mbi gjashtë milionë euro, për çka ka paralajmëruar se do t’i drejtohen organeve të drejtësisë.

Osmani: Disa nga këto gjetje do t’i adresojmë te organet e drejtësisë

“Duke i bërë thirrje kryetarit Rama për reflektim në shërbim të drejtë të qytetarëve, po i njoftojmë qytetarët se disa nga këto gjetje do t’i adresojmë te organet e drejtësisë, sepse ka indikacione të veprave penale”, ka përfunduar Osmani.

Në konferencën e asamblistëve të kryeqytetit nga radhët e LVV-së është thënë se ky raport ka rezultuar me 22 të gjetura dhe rekomandime, prej tyre pesë janë të reja, 12 të përsëritura dhe pesë pjesërisht të përsëritura nga vitet e mëhershme. Sipas tyre, këto të gjetura tregojnë për dështimin e Komunës së Prishtinës në adresimin e rekomandimeve nga viti i kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat