Sadiku: Prishtina ka nevojë për mjekë e barna, furnizimi po mbulohet nga Komuna e jo Ministria

Prishtina

Sadiku: Prishtina ka nevojë për mjekë e barna, furnizimi po mbulohet nga Komuna e jo Ministria

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 08:06
Izet Sadiku

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për çdo 2 000 banorë, duhet të jenë një mjek familjar dhe dy infermierë. Duke u bazuar në këtë, drejtori i Shëndetësisë së Prishtinës, Izet Sadiku, thotë se kryeqytetit i nevojiten edhe 50 mjekë e 100 infermierë më shumë sesa që ka sot.

Sadiku ka paralajmëruar se do të hapen edhe konkurse për këto pozita.

Ai ka thënë se janë duke i pritur edhe statistikat e reja të regjistrimit të popullsisë, në bazë të të cilave do ta përcaktojnë saktë edhe numrin e personelit të ri shëndetësor.

“Faktikisht Prishtina ka shumë nevojë. I kemi diku 100 mjekë familjarë dhe numri i banorëve është shumë më i madh në Prishtinë”.

“Sipas grantit për shëndetësi, i cili ndahet sipas numrit të banorëve dhe sipas regjistrimit të fundit, Prishtina i ka 198 mijë banorë rezidentë, por sigurisht ka edhe më shumë jo rezidentë. Është paralajmëruar se sivjet do të ketë regjistrim të popullsisë dhe kjo do të ishte shumë e mirëseardhur pasi do ta tregonte numrin e saktë të banorëve që ka Prishtina dhe në bazë të atij numri ne do të kishim numrin e mjekëve”.

“Sipas OBSH-së parashihet që për çdo 2000 banorë të jetë një mjek dhe dy infermierë. Kjo i bile që Prishtina duhet t’i ketë të paktën edhe 50 mjekë dhe 100 infermierë më shumë se që i ka sot”, është shprehur Sadiku.

Ndërsa, i pyetur nga EO, për mungesën e furnizimit me barna, ai tha se Komuna ka marrë përsipër furnizimin 100 për qind nga burimet vetanake, por se pret që Ministria ta stabilizojë furnizimin, ashtu edhe siç ka premtuar, në korrik dhe gusht.

“Ne kemi edhe sivjet mungesë (të barnave) dhe kemi pasur edhe vitin e kaluar. Vitin e kaluar në nivel të vendit ka qenë 32% furnizimi. Mirëpo, ne e kemi mbuluar 100% me burime vetanake. Edhe këtë vit po ndodhë ashtu edhe pse Ministria ka premtuar që diku në korrik/gusht do të stabilizohet furnizimi. Deri tani jemi duke furnizuar me forca tona vetanake dhe nuk kemi pasur problem falë buxhetit që e ka ndarë komuna për barna”./EO

E për bashkëpunimin me Ministrinë, ai tha se është i mirë, por se pret që të rritet pikërisht furnizimi me barna.

“Kemi bashkëpunim me Ministrinë edhe me ministrin Vitia, por bashkëpunimi varet edhe prej takimeve, varet edhe prej përkrahjes dhe obligimeve që i kemi ndaj njëri tjetrit. Te barnat po shpresoj që do rritet furnizimi sepse është obligim i Ministrisë për të furnizuar me barna dhe material furnizues 100% në bazë të listës esenciale”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat