​Interesim për adoptim të qenve endacakë, frikë se mund të jetë vetëm prej parave

Prishtina

​Interesim për adoptim të qenve endacakë, frikë se mund të jetë vetëm prej parave

Më: 22 korrik 2023 Në ora: 12:56
Foto ilustrim

Komuna e Prishtinës së shpejti pritet të fillojë së zbatuari në praktikë idenë e adoptimit për qentë endacakë me subvencionim. Aktualisht, ky institucion ka pranuar mbi 30 kërkesa për adoptim, ndërsa synojnë që të rrisin sigurinë publike. Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve kërkon që përzgjedhja e atyre që do të adoptojnë qentë të merret seriozisht pasi disa mund ta bëjnë vetëm për përfitime financiare.

Çdo person që adopton një qen endacak do të përfitojë 50 euro në muaj, mbështetje kjo nga Komuna e Prishtinës. Një person nuk mund të adoptojë më shumë se pesë.

Drejtori për Siguri Publike dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica deklaroi se problemi me qentë endacakë është i trashëguar dhe aktualisht shqetësimi numër 1 për kryeqytetasit.

Fushtica tha se plani për adoptim ka ngjallur interes, ndërsa tha se kontrata sqaron në detaje jo vetëm përfitimet por edhe obligimet që rrjedhin. Sipas tij, në rast se kafsha keqtrajtohet dënimet do të variojnë nga 1 deri në 3 mijë euro.

Fushtica: Ka përfitime dhe detyrime me rastin e adoptimit të qenve

“Prej ditës kur kemi filluar, kur është lansuar kjo ide kemi marrë shumë kërkesa të qytetarëve, kemi bërë një listë të pritjes ku qytetarët vijnë dhe lajmërohen dhe shprehin interesim që të fillojnë procesin e adoptimit, mbi 30 kërkesa të qytetarëve që të fillojnë procesin e adaptimit... Kjo është një diçka e re që ndodhë për herë të parë jo vetëm në Kosovë por edhe në regjion, aty kemi parë edhe obligimet që ka adoptuesi dhe kryeqyteti, parashihen përveç beneficioneve që në këtë rast është subvencionimi nga 50 euro në muaj dhe trajtimi i qenve në qendrën tonë pa pagesë, por parashihen edhe dënime në rast që adoptuesi nuk sillet mirë me kafshën apo e shkel kontratën dhe dënimet do të jene prej 1 mijë deri 3 mijë euro”, tha Fushtica.

Sipas Fushticës, e gjithë kjo është pjesë e planit për një Prishtinë më të sigurt, pasi sulmet nga qentë endacakë janë rritur në 6-mujorin e parë të këtij viti.

Fushtica: Në plan të parë e kemi sigurinë

“Ne në plan të parë e kem sigurinë e kryeqytetit, nga të dhënat që i kemi nga QKMF-së ne vetëm për 6 muaj kemi 262 raste të sulmeve të qenve ndaj qytetarëve, është rritje enorme nga viti i kaluar, përveç aspektit të sigurisë publike kemi të bëjmë edhe me aspektin e shëndetit publik, lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe trajtimit human të qenve”, tha Fushtica.

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve është skeptik në lidhje me këtë ide të Komunës së Prishtinës. Elza Ramadani tha se në Kosovë ka mungesë të kulturës së adoptimit të kafshëve, prandaj si rrjedhojë kemi edhe kafshë që lihen rrugëve.

Ramadani: S’kemi kulturë të adoptimit të kafshëve

“Ne duke e ditur që nuk kemi kulturë të adoptimit në vendin tonë mundemi të parashikojmë që nuk do të ketë shumë adoptime te llojit të tillë, vetëm nëse kanë interesa të tjera qytetarët që është të marrin të holla dhe subvencione sa për sy e faqe, jo për t’u përkujdesur për qentë, po shpresojmë që nuk ka me ndodhë ajo por kanë më u përkujdes mirë... 02:35Ne kemi qen endacak pikërisht pse njerëzit nuk janë duke i mbajtur siç duhet kafshët e tyre, jo pse po i mbajnë mirë nëse i kishin mbajtur mirë nuk kishim pas kaq shumë qenë ose mace endacake”, tha Ramadani.

Ramadani theksoi nevojën që përzgjedhja e atyre që do të adoptojnë të bëhet me kujdes, ndërsa kërkoi nga vetë qytetarët që të jenë të sigurtë para se të vendosin të marrin një qen.

Ramadani: Qentë agresiv po e pasqyrojnë kulturën tone, dhunën tonë në shoqëri

“Para se të adoptohet një qen duhet të kenë kohë, të jenë të sigurt që mund të mbajnë qenin për 10-15 vite aq sa jeton qeni dhe që të kenë mundësi financiare që të dërgojnë të veterinari dhe të merren me kafshën çdo ditë, se nuk është objekt që lihet i lidhur mbas shtëpisë, por është një krijesë që ka nevojë për përkujdesje dhe dashuri dhe po shpresojmë që personat që me të vërtetë janë seriozë në këtë aspekt dhe kanë me marrë kafshë dhe mos merrni kafshë nëse nuk mund t’i mbani, nëse mendoni me i braktisë, sepse vetëm po shkaktoni probleme që po i pëson edhe vet kafsha”, tha Ramadani.

Qytetarët në Prishtinë të pyetur u shprehën se e përkrahin vendimin për subvencionimin nga komuna për ata që adoptojnë qentë.

Veseli: Qytetarët të mbajnë me kujdes qentë

“Nëse zbatohet me përpikëri edhe qytetarët kur të marrin t’i mbajnë me kujdes e jo t’i lëshojnë prape me u mbush qyteti prapë pa kontroll mos me pas nga me ik prej tyre, prandaj besoj që ai që e keqpërdor duhet të pësojë sanksionet meritore ligjore pasi rrezikon jetën e qytetarëve. Shqiptarët kanë pasur gjithmonë kulturë mirëpo tash kohët e fundit se shoh kulturë me u mbush sheshi ku shëtitin qytetarët dhe lokalet dhe shkollat të rrezikohen fëmijët kemi shumë raste konkrete po edhe të rritur prandaj është vendim me vend të gjendet forma për t’i eliminuar këta edhe qyteti me qenë i lirë. Ata d.m.th. duhet në strehimore po kush e merr qytetari ai d.m.th. le të kujdeset në mënyrë të ndërgjegjshme mos t’i keqpërdor”, tha Vesel Veseli, qytetar nga Prishtina.

Avdiu: Popullata duhet të vetëdijesohet rreth kafshëve

“Popullata duhet të vetëdijesohet për punën e qenve, me dashtë së pari ta dijë vlerën e qenit, nuk është i rrugëve, e vetmja kafshë që dhuron dashuri kush e kupton, kush nuk e kupton, pula e bën një ve, e ki përfitimin mishin, te qeni nuk dhuron asgjë vetëm dashuri prandaj është e qëlluar”, shtoi Rizvan Avdiu, një tjetër qytetar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat