Takohen Qelaj e Rama, flasin për qasjen e personave me nevoja të veçanta e qentë endacakë

Prishtina

Takohen Qelaj e Rama, flasin për qasjen e personave me nevoja të veçanta e qentë endacakë

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 13:38
Pamje nga vendi i ngjarjes

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka pritur të mërkurën në takim kryetarin e  Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën. Qelaj theksoi disa herë sa e rëndësishme është, sipas tij, respektimi dhe dëgjimi i këshillave të zyrës së Avokatit të Popullit si institucion e organ shtetëror.

Madje kërkoi që bashkëpunimi të rritet në të gjitha nivelet. Prandaj sipas tij, respektimi dhe përgjigja në kërkesa të Avokatit të Popullit do ta rrisë respektimin e ligjit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Niveli i bashkëpunimit institucional në mes të Avokatit të Popullit dhe institucioneve të tjera rritë nivelin e raporteve e këto kryesisht shkojnë në të mirë të qytetarëve dhe në ngritjen e mirëqenies për qytetarë. Arsyeja pse ju kemi pritur në këtë takim është se secili prej personave që është këtu në këtë sallë kanë punë me të gjitha institucionet e Kosovës e edhe me komunën e Prishtinës”, tha Qelaj.

“Në standardet ndërkombëtare një matës që reflekton në politikat publike matet me sa respektohen rekomandimet e Avokatit të Popullit. Bashkëpunimi dhe komunikimi janë mjetet e para në zbatim të këtyre kërkesave. Andaj respektimi dhe përgjigja në kërkesa të Avokatit të Popullit do ta rrisë respektimin e ligjit, rritjen e demokracisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarit”.

Qelaj përmendi disa probleme që hasen në Komunën e Prishtinës përfshirë qenët endacakë.

“Është problemi edhe i qenve endacakë sepse cenon jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Raporti për qendrat për punë sociale, ne kemi kërkuar të rritet numri në këto qendra me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira. Të gjitha këto që i përmenda e edhe për shumë të tjera, janë shumëdimensionale, ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve. Jam i bindur se këto rekomandime i keni parasysh edhe ju, por e jona është që t’ua përmendim”, tha Qelaj.

Përderisa kryetari Rama tha se me Avokatin është dashur që të takohen me herët, duke shtuar se e kanë obligim që secili qytetar të ndihet i barabartë.

Për fëmijët tha ai do të kenë trajtim të veçantë, por edhe për personat me aftësi të kufizuara.

“Është dashur të takohemi më herët, po ja që po takohemi tash. Si kryeqytet kemi obligim që secili qytetar të ndihet i barabartë. Duke filluar prej fëmijëve, në aspektin urban, arkitektonik, institucional e kemi fëmijë si pikë kyçe në bazë të së cilëve i kemi zgjedhur të gjitha prioritetet tona. Poashtu aspekti tjetër me fokus të veçantë janë edhe personat me aftësi të kufizuara, me nevoja të veçanta. Kryeqytetit po edhe ndërtesave institucionale u duhen shumë punë”.

“Një numër i madh i tyre nuk i plotëson kushtet për ta. Edhe në aspektin ligjore ku këto ndërtesa duhet t’i plotësojnë kushtet për të gjithë. Një nga mangësitë është komunikimi në mes institucionesh. Nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë në mes të institucionet t’i zgjidhim problemet që i kemi. Me një procedurë më pak burokratike e më shumë praktike”.

Rama foli për një sërë çështjes të ngritura si ajo e qenve endacakë, e leje për ndërtim që nuk përmbushin qasjen e mirëfilltë për persona me nevoja të veçanta, e ujin e pijshëm në fshatin Marec të Prishtinës.

“Mungon informata midis institucionesh. Të gjitha pikat që i përmendët duke filluar nga taksa 1 vjeçare që është e pezulluar tashmë. Një numër i madh i qytetarëve mund të bëjnë bartjen e pronave të tyre pa pagesë. Kemi investuar gati 1.5 milionë e që janë sa dyfishi i qeverisjeve të kaluara. Kemi ndarë 10 hektarë tokë për të krijuar parkun e kafshëve, me fokus qentë endacakë”.

“Në bazë të OJQ-ve, numri i qenve endacakë është 3000-3500. Nëse vetëm 3% e familjeve në kryeqytet adoptojnë zgjidhet problemi në kryeqytet. Por jo edhe në qytete të tjera. Prandaj, duhet bashkëpunimi me nivelin qendror. Ne tashmë kemi marrë vendim që ka me qenë pozitiv vendimi që kemi marrë në drejtim me këtë problem. Sa i përket ligjit për persona me aftësi të kufizuara, asnjë leje nuk është lëshuar prej që kemi ardhur ne në komunë pa e pasur ndërtesa të zgjidhur qasjen për persona me aftësi të kufizuara. I kemi pesë njësi.  Pesë ekipe që po punojnë që tua mundësojnë jo vetëm personave me aftësi të kufizuara por edhe prindërve me fëmijë qasjen më të lehtë në trotuare. Sa u përket qasjes në ujë të pijshëm. I kemi operatorët ekonomikë. Do ta shikoj se çfarë po ndodhë në Marec, por do sigurohem që të marrë informata sa më të shpejta”, u shpreh Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat