Situatë alarmante me menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë

Prishtina

Situatë alarmante me menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë

Më: 10 gusht 2023 Në ora: 09:53
Foto ilustrim

Situata me menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Prishtinës, vazhdon të jetë alarmante. Për përmirësimin e kësaj gjendjeje, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur së janë hapur ofertat për blerjen e mbi 1 mijë kontejnerëve dhe disa kamionë. Ndërkaq, këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ia ka rekomanduar komunës që në të gjitha pikat ku janë të vendosur kontejnerët, të mbulohen me kamera.

Shumë lagje, trotuare, rrugica e parqe në Komunën e Prishtinës vazhdojnë të përballën më keqmenaxhim të mbeturinave. E, për këtë situatë qytetarët po vlerësojnë së fajtor nuk është vetëm komuna, por edhe mungesa e vetëdijesimit të banorëve për hedhjen e mbeturinave në vendin e duhur. Ata i thanë Radio Kosovës së lagjet ku jetojnë por edhe në gjithë qytetin ambientet afër kontejnerëve kundërmojnë.

“Gjendjen aktuale për sa i përket menaxhimit të mbeturinave e vlerësoj jashtëzakonisht dobët, shumë keq! Duhet të fillojnë edhe me pjesën e riciklimit. Jetoj në rrugën ‘Agim Ramadani’. Gjendja është e njëjtë. Tmerr! Dhe po ashtu në qendër të qytetit gjendja është e njëjtë, nuk ke si kalon nga era e mbeturinave. Diçka nuk është në rregull, faji është edhe të qytetarët e jo vetëm të kompania. E kemi kontejnerin afër dhe qytetarët nuk i hedhin mbeturinat në të por anash tij. E kompania është fajtore se nuk vjen t’i largojë me kohë mbeturinat por i lenë të mbushën e pastaj mbeturinat dalin jashtë tyre në sipërfaqe. Shumë keq, në mes të qendrës së qytetit kundërmon era”, tha një qytetar për Radio Kosovën.

E, pas vlerësimit të gjendjes ekzistuese të kontejnerëve dhe lokacioneve ku janë të vendosur , Komuna e Prishtinës ka marrë disa hapa për përmirësimin e kësaj gjendjeje. Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, i tha Radio Kosovës se pas vlerësimit të gjendjes, e cila sipas tij, është alarmante, Komuna e Prishtinës ka hapur thirrjen për blerjen e 1 mijë kontejnerëve dhe disa kamionëve.

“Është hapur shpallja për pranimin e ofertave të cilat pritet të shqyrtohen prej datës 15 deri me 20 gusht për blerjen e kontejnerëve të rinj dhe po ashtu edhe blerjen e kamionëve. Është planifikuar të blihen më tepër se 1 mijë kontejnerë. Dhe pas vlerësimit të gjendjes, do të shtohen disa lokacione të reja, rritja e kontejnerëve në lokacionet ekzistuese dhe po ashtu edhe ndërrimi i disa kontejnerëve. Krejt kjo është duke u bërë për të ndihmuar ndërmarrjen ‘Pastrimi’ që të dalë nga situata e cila tani për tani është alarmante”, ka theksuar Musliu

Në shumë raste punëtorët e Kompanisë “Pastrimi” kanë hyrë në grevë e që me ditë të tera nuk është kryer asnjë shërbim për grumbullimin e mbeturinave.

Ndërkaq, ditë me parë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka ngritur shqetësim për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë. KMDLNJ i ka rekomanduar drejtorisë përkatëse në Komunën e Prishtinës që në të gjitha pikat ku janë të vendosur kontejnerët të mbulohen me kamera, në mënyrë që abuzuesit me mbeturina të dënohen për shkeljet eventuale që i bëjnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat