Nga një shtatori pritet të funksionalizohet linja Prishtinë – Graçanicë dhe anasjelltas

Prishtina

Nga një shtatori pritet të funksionalizohet linja Prishtinë – Graçanicë dhe anasjelltas

Më: 12 gusht 2023 Në ora: 09:29
Graçanica

Banorët që udhëtojnë nga Graçanica për në kryeqytet apo anasjelltas, duhet të shfrytëzojnë transportin e kompanive private të autobusëve që vinë kryesisht nga Komuna e Gjilanit.

Por që nga shtatori, pritet që qytetarët të udhëtojnë më një linjë specifike të autobusëve Prishtinë – Graçanicë.

Këtë e ka konfirmuar për televizionin, nënkryetari i Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti.

“Marrëveshjen e kemi arritur saktë para nje viti, por për shkak të disa çështjeve teknike, përfundimtarja është arritur në muajin Shkurt të këtij viti. Tash sapo mora një lajm nga udhëheqësit e Komunës së Prishtinës, respektivisht nënkryetari z. Alban Zogaj që linja me shumë gjasë fillon më 1 Shtator. Pra ky është lajmi i fundit, dhe besoj që më në fund po zbatohet kjo marrëveshje e shumëpritur”, ka bërë të ditur ai.

Ajeti ka thënë që për këtë linjë është i paraparë një autobus teksa qarkullimi do të jetë çdo një orë teksa për numër të linjës ende nuk dihet.

E kurdo që vjen vendimi për lëshim të linjës në Trafikun Urban të Prishtinës thonë se janë të gatshëm ta zbatojnë.

“Sa i përket linjës Prishtinë – Graçanicë, ne kemi marrë vetëm një njoftim, kurse vendim nuk kemi diçka për atë linjë, dhe atë duhet me nënshkrua kryetari i Komunës ose Drejtoria e Shërbimeve Publike, por në momentin që neve na vjen një vendim për të filluar linjën edhe do ta bëjmë një zgjidhje ose duhet të ekzekutojmë, të gjitha që na vijnë, pra për këtë punë është Komuna dhe ata vendosin se kur do të fillojmë dhe si do të fillojmë”, ka theksuar drejtori operativ i Trafikut Urban në Prishtinë, Mentor Isufi.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës së bashku me atë të Graçanicës këtë marrëveshje e kanë arritur në shkurt të vitit të kaluar.

Nënkryetari i kryeqytetit, Alban Zogaj pati bërë të ditur edhe relacionin e qarkullimit.

Sipas tij, nisja dhe kthimi bëhen nga rrugët: “Mon Balaj”, “Fahri Fazliu”, “Ilir Konusheci”, “UÇK”, “Migjeni”, “Luan Haradinaj”, “Garibaldi”, “Gjorgj Bush”, Bulevardi “Bill Clinton”, Rrethi në M2 vazhdon për Veterrnik, “Jusuf Gërvalla”, rruga Prishtinë – Gjilan, Hajvali, Graçanicë dhe përfundon në Kishnicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat