Vazhdon dezinsektimi në kryeqytet, shtohet numri i ekipeve

Prishtina

Vazhdon dezinsektimi në kryeqytet, shtohet numri i ekipeve

Më: 23 gusht 2023 Në ora: 10:31
Foto ilustrim

Që nga qershori e deri më tani Komuna e Prishtinës ka arritur të përfundojë edhe fazën e pestë të dezinsektimit në kryeqytet e cila ka për qëllim largimin e insekteve që mund të jenë bartës të sëmundjeve ngjitëse. Zyrtarë nga Komuna e Prishtinës thonë se këtë vit kanë shtuar edhe numrin e ekipeve në terren.

Ani pse procesi i dezinsektimit ka filluar paksa me vonesë për shkak të ndryshimeve atmosferike, procesi duket se po shkon mbarë.

Kështu ka bërë të ditur për Radio Kosovën drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku. Ai tha se pilot projekti i dezinsektimit ka për qëllim largimin e insekteve, që mund të jenë bartës të shumë sëmundjeve ngjitëse.

“Ky proces është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Prishtinës, sepse insektet janë  bartës të shumë sëmundjeve të ndryshme infektive siç janë ethet hemoragjike, ethet e Nilit perëndimor  dhe përmes këtij procesi, synojmë që t’i shkatërrojmë këto insekte që përhapin këto sëmundje”, tha ai.

Sadiku, tutje ka thënë se kushtet atmosferike kanë ndikuar të ketë më shumë mushkonja, për çka kanë pranuar shumë ankesa. Por, sipas tij, qytetarët janë njoftuar me korrektësi për kohën e nisjes së dezinsektimit në lagjet e tyre.

“Në secilën lagje njoftohen paraprakisht qytetarët se në çfarë ore do të fillojë dezinsektimi në lagjet e tyre, me qëllim që qytetarët të përgatiten, t’i mbyllin dritaret dhe po ashtu edhe bletarët të cilët kanë bletë të kenë mundësi t’i mbyllin bletët në këtë periudhë. Sepse përfaqësuesit që bëjnë dezinsektimi nuk hyjnë në vendet ku ka bletë të hapura me qëllim që t’i ruajnë bletët”, tha ai.

Sadiku, tutje ka shtuar se gjatë kësaj faze i kanë shtuar ekipet në terren dhe se kanë bërë dezinsektimin e mbi 6 mijë e 700 hektarëve. E vitin tjetër planifikojnë të përfshijnë edhe më shumë fshatra të Komunës së Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat