​Nisin adoptimet e para të qenëve endacakë në Prishtinë, Rama: investuam më shumë se Qeveria

Prishtina

​Nisin adoptimet e para të qenëve endacakë në Prishtinë, Rama: investuam më shumë se Qeveria

Më: 28 gusht 2023 Në ora: 13:39
Foto nga vendi i ngjarjes

Janë bërë publike adoptimet e para të qenëve endacakë dhe kontrata për adoptimin e këtyre kafshëve, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Nga 25 qen endacakë të gatshëm për adoptim, dy qytetarë kanë shprehu gatishmëri t'i adoptojnë dy prej tyre.

I pari i kryeqytetit, Rama ka theksuar se problemi me qentë endacakë nuk është vetëm në këtë komunë, porse në gjithë vendin.

Sipas tij, Prishtina ka bërë investimet më të mëdha në këtë drejtim, madje siç tha ai, më të mëdha se Qeveria e Kosovës.

Derisa apeloi tek të gjithë qytetarët e vendit që të kujdesën për kafshë, ai tha se në bazë të të dhënave të OJQ-ve janë rreth 3 mijë e 500 qen endacakë.

"Është një proces që kemi filluar kahmoti dhe në problemin i qenve endacakë, është i madh në kryeqytet, po ashtu, edhe në Kosovë. Për këtë arsye kemi marrë një numër të madh të proceseve për ta zgjidhur këtë problem. Aspekti i qenve endacakë nuk është vetëm i kryeqytetit por është një problem i madh, kryeqyteti faktikisht ka bërë investimet më të mëdha se gjitha komunat tjera, e më të mëdha se Qeveria e Kosovës. Kemi shpenzuar më shumë se 1.6 milionë për zgjidhjen e këtij problemi të madh. Kemi krijuar edhe shumë llote për trajtimin e qenve endacakë. Sot në kryeqytet një numër i madh i qenve janë të kastruar, të sterelizuar, nuk janë siç kanë qenë më parë. E kemi bërë gjithë këtë që të ngrisim sigurinë për qytetarët tanë, për fëmijë tanë. Në bazë të OJQ-ve, që janë marrë me qentë endacakë, janë rreth 3500 qen endacakë dhe e kemi parë të arsyeshme që të krijojmë këtë mundësi të re për qytetarët e kryeqyteti dhe jo vetëm, çdo qytetar i çfarëdo pjese të Kosovës janë të mirëseardhur që të adoptojnë qentë endacakë në kryeqytet", tha Rama.

Ndërkaq, të parët që nënshkruan kontratat ishin dy adoptues, për të cilët, kryetari Rama bëri thirrje ta zbatojnë kontratën, në të kundërtën pasohen me gjoba.

"Jemi me dy adoptues të qenëve endacakë që janë ofruar. Kontratën e kemi të gatshme, kontrata ka përgjegjësi edhe nga ana e kryeqytetit por edhe për ata që adoptojnë qentë endacakë. Është kontratë e dyanshme me përgjegjësi të dyanshme. Derisa ne ofrojmë subvencione 50 euro në muaj për qentë endacakë, po ashtu edhe trajtimet e qenve endacakë në aspektin e vaksinimit, sterelizimit e kastrimit, në anën tjetër secili adoptues ka përgjegjësitë e veta t'i adoptojë në mënyrë humane, me kushte të mira, me ushqim, mos t'i lëshojnë në rrugë se është përgjegjësi e qytetarëve dhe gjobat janë të larta", tha Rama.

I pyetur nëse komuna ka fonde të mjaftueshme për këtë, Rama tha se fondet janë caktuar, porse ka ftuar edhe Qeverinë të marrë masa në këtë drejtim.

"Ne vetëm kemi caktuar fondet fillimisht për proceset që kemi filluar për adoptim të qenve endacakë. Në të ardhmen, në bazë të proceseve se si shkojmë, fondet do të jenë paralelisht sipas interesit të qytetarëve. Ne ftojmë edhe qeverinë dhe komunat tjera të marrin masa të njëjta si ne, që të ketë një fond special, sepse ky problem është i gjithë Kosovës", tha mes tjerash Rama.

Ndërsa, drejtori për Siguri dhe Emergjencë në këtë komunë, Lulzim Fushtica derisa u bëri apel qytetarëve të kujdesën për qentë endacakë dhe mos t'i lënë sërish në rrugë, tha se gjobat për qytetarin që adopton qenin dhe më pas nuk i përmbahet kontratës janë deri në 3000 euro.

"Gjobat janë prej 1000 deri 3000 euro të parapara, varet nga shkelja që e bënë, janë të përcaktuara shkeljet që bëhen me kontratë dhe për çdo shkelje do të pasojë edhe gjoba, do të bëhet monitorimi nga ekipet e drejtorisë për siguri e po ashtu nga shoqatat për mbrojtjen e kafshëve që kemi memorandum bashkëpunimi. Çdo qen është i mikroçipuar dhe nëse e hasim një qen të tillë, e dimë se i kujt është, në kontratë është edhe numri i çipit", tha Fushtica.

Florim Ferati nga Qendra për trajtimin e kafshëve, vlerëson se kjo metodë plotëson gjitha dëshirat e shoqërisë që merren me kafshët.

Ferati shtoi se nëse adoptimi shkon mirë, mund të vlerësohet kjo metodë e suksesshme.

"Kjo metodë i plotëson të gjitha dëshirat e secilit, edhe të OJQ-ve dhe shoqatave për mbrojtjen dhe të drejtave të kafshëve. Mirëpo, faktori kryesor është adoptuesi, nëse adaptimi shkon mirë, mund të themi se kemi sukses, sepse pa adoptim është problem që të zgjidhet ky problem. Për momentin kemi 25 qen për adoptim, disa janë të gatshëm e disa janë në proces të adoptimit", tha Ferati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat