Nga sot, në Komunën e Prishtinës nuk do t’ju duhet ky dokument për t’u pajisur me certifikatë të pronës

Prishtina

Nga sot, në Komunën e Prishtinës nuk do t’ju duhet ky dokument për t’u pajisur me certifikatë të pronës

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 14:11
Foto ilustrim

Komuna e Prishtinës ka shfuqizuar vendimin që parasheh paraqitjen e vërtetimit tatimor për të gjitha ata që duan të pajisen me certifikatë të pronës, të kopjes së planit apo regjistrim të pronës.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Kadastrës në kryeqytet, Donat Lushaku.

Përmes një njoftimi zyrtar, Lushaku njoftoi se neni 29 i Ligjit për Tatimin në Pronë, i cili parasheh pezullimin e shërbimeve komunale si pasojë e mospagesës së detyrimeve ndaj komunës, është fshirë.

Ky vendim do të hyjë në fuqi nga dita e hënë.

Ky është njoftimi i plotë i Lushakut:

Të dashur qytetarë të Prishtinës,

Pas hyrjes në fuqi (21 korrik 2023) të LIGJIT NR. 08/L-176 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJEVE QË PËRMBAJNË PROCEDURA TË VEÇANTA ADMINISTRATIVE DHE HARMONIZIMIN E TYRE ME LIGJIN NR. 05/L-031 PËR PROCEDURËN E PËRGJITHSHME ADMINISTRATIVE, respektivisht në nenin 111 të këtij Ligji parashihet fshirja e nenit 29 të Ligjit për Tatimin në Pronë – që parashihte pezullimin e shërbimeve komunale si pasojë e mospagesës së detyrimeve ndaj komunës.

Në Gazetën Zyrtare është publikuar tashmë shfuqizimi i rregullores për pezullimin e shërbimeve komunale të nxjerrë nga Kryeministri në vitin 2021.

Nga e hëna, qoftë për nxjerrjen e certifikatës së pronës/kopjes së planit, qoftë për regjistrimin e pronës NUK do të nevojitet VËRTETIMI TATIMOR.

Falenderoj për bashkëpunim dhe koordinim institucional akterët kompetent lokal e qendror.

Më thjesht, më mirë, më lehtë!

Kryeqytetasit e meritojnë një trajtim të këtillë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat